Një arkipeshkv katolik në Australi mori dënimin maksimal prej 12 muajsh burg, për fshehjen e abuzimit ndaj fëmijëve në vitet 1970. Philip Wilson, aktualisht arkipeshkvi i Adelaides, është zyrtari më i lartë i Kishës Katolike në botë që dënohet për këtë krim. Ai u shpall fajtor muajin e shkuar, pasi prokurorët vërtetuan se kishte mbuluar abuzimet e një prifti pedofil në shtetin australian të New South Wales.
Në vitet ’70, Wilson ishte një prif i ri në zonën e Maitlandit, ku injoroi tregimet e viktimave dhe lutjet e tyre për ndihmë, vetëm për të mbrojtur reputacionin e kishës. Për këtë arsye, gjykata e shpalli fajtor se nuk kishte raportuar tek autoritetet, abuzimet që kolegu i tij, prifti James Fletcher kryente ndaj fëmijëve.
Gjykatësi tha se Wilson nuk ka treguar as keqardhje dhe as pendim për veprimin e tij, por çuditërisht i ka dhënë të drejtën që të vlerësohet për arrest shtëpie. Kjo do të thotë se, mbase nuk do të shkojë në burg dhe se ka të drejtë të kërkojë liri me kusht pas 6 muajve.
Wilson nuk ka dorëzuar titullin e arkipeshkvit, por ka hequr dorë nga detyra e tij ndërsa zhvillohet gjyqi.
Të mbijetuarit e abuzimit në Australi thanë se arkipeshkvi ia hodhi fare lehtë, por të paktën historia po shkruhet, sepse më në fund po dënohen zyrtarë të lartë të kishës për krimet e tmerrshme të priftërinjve.