TIRANË - Austria do të ndihmojë Shqipërinë të ngrejë Byronë Kombëtare të Hetimit. Këtë ka deklaruar sot, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, pas takimit të nivelit të lartë që është zhvilluar me Drejtorin e Përgjithshëm të Sigurisë Publike të Austrisë, Konrad Kogler, i cili shoqërohej nga drejtues të Zyrës Federale të Krimeve.
 
Ministri Tahiri informoi palën austriake për reformat e iniciuara nga qeveria e re në fushën e sigurisë publike.
 
“Reforma e thellë ka prekur gjithë ligjet. Kemi parashikuar ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, e në këtë aspekt do të donim edhe ndihmën e palës austriake, përmes ekspertizës dhe trajnimeve për oficerët e policisë. Eficenca e hetimeve, nuk duam që të mbetet peng i kapaciteteve të mangëta profesionale”, tha ministri Tahiri.
 
“Të gatshëm të dërgojmë ekspertët tanë në Shqipëri, por edhe të presim ekspertë shqiptarë për vizita studimore në Vjenë”- theksoi Drejtori i Përgjithshëm i Sigurisë Publike në Austri Kogler.
 
Ai e ftoi ministrin Saimir Tahiri të marrë pjesë në Forumin e Ministrave të Brendshëm që do të mbahet pranverën e ardhshme në Salsburg, ftesë e cila u prit me kënaqësi. I pranishëm në takim ka qenë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)