Një shërbim i shoqëruar prej kohësh me probleme po hyn tashmë në një fazë të re përmirësimi në Shkodër. Bashkia ka nisur riorganizimin e transportit urban, me synim rritjen e cilësisë dhe funksionalitetit për qytetarët.
Kryetari i Bashkisë Shkodër inspektoi nga afër linjën e autobusëve, duke theksuar se, edhe pse ky shërbim funksionon prej vitesh, ai duhet të jetë në standardin e duhur dhe në përputhje me nevojat e qytetarëve. Sipas tij, të gjitha strukturat janë të angazhuara për të garantuar një transport urban më cilësor dhe më të besueshëm për banorët e Shkodrës.
“Të gjithë jemi dëshmitarë të një sistemi aspak funksional prej kohësh të autrobuzëve, me stacionë pa kushte estetike dhe funksionale, autobuzë që nuk kanë qenë në kohë që kanë edhe demoralizuar qytetin. Kemi hyrë në një fazë tjetër. Stacionet janë sistemuar dhe po plotësohen të gjitha. Tani e mbrapa do të kemi autobuzë ccdo 20 minuta në stacion në linjën Fermentim – Bahçallëk. Jemi vonuar por nuk ka qenë një punë e thjeshtë” tha Benet Beci .
Çdo 20 minuta, në çdo stacion, do të ofrohet shërbim urban në linjën Fermentim – Bahçallëk dhe anasjelltas. Kjo është faza e parë e përmirësimit të transportit publik, ndërsa në vijim pritet zgjerimi i rrjetit dhe shtimi i linjave të tjera në funksion të komunitetit.
Përveç përmirësimit të shërbimit, Bashkia ka ndërhyrë edhe në infrastrukturë, duke zëvendësuar të gjitha stacionet e autobusëve dhe duke i kthyer ato në një standard modern për Shkodrën. Ky investim shkon në sinkron me projektet e tjera zhvilluese që janë realizuar në qytet, duke kontribuar në një transport publik më dinjitoz dhe në një hapësirë urbane më funksionale për qytetarët.
Komente











