Autoportreti i poetit Moikom Zeqo

Autoportreti i poetit Moikom Zeqo

Kam në dorë ciklin me poezi të poetit tonë të jashtëzakonshëm Moikom Zeqo të shkruar pesëmbëdhjetë vite më parë, të cilin ia përkushton filozofit ebre-gjerman Baruch Spinoza.

E çuditshme për një Poet vizionar, që shkruan për amëshimin dhe u vë data poezive të veta!

Ç'vlerë kanë këto data që për amëshimin janë të papërfillshme?!

Sidoqoftë, ka një justifikim suigeneris.

Frymëzimi lind në një çast, në një sekondë fluturuese për të jetuar gjatë, mbase, pambarimisht.

Në një vit-çast Poetit mund t'i lindin shumë ide frymëzuese.

Ky kalendar i duhet jo Poetit. I duhet Frymëzimit.

Dhe, pikërisht, në këtë vit-çast, Moikom Zeqo ka shkruar më qartë se çdo herë tjetër portretin e tij emblematik, sipas vizionit të tij fantastik.

Në këtë cikël ka edhe motive të tjera bashkëshoqëruese dhe plotësuese të këtij poertreti, sepse nuk mund të shkruhet portreti i poetit shkëputur nga bota që e rrethon, nga bota e mundimeve të përditshme, nga figurat emblematike shpirtërore të tij.

Moikomi ia kushton këtë cikël poetik Spinozës, por përmend edhe Budën, edhe Krishtin, edhe Antikrishtin.Për një çast është e pranishme edhe Perëndia dhe, patjetër, vetë Koha, e cila “kalëron me jele ankthi/dhe patkonj tipografikë”.

Asgjë nuk ka për t'u çuditur.

Filozofi dhe Poeti janë vëllezër siamezë.

I pari me vështrimin nga bota e ideve. I dyti nga universi i figuracionit artistik.

Edhe metaforat e Moikomit janë, mbi të gjitha, metafora të mendimit.

Vargjet e Poetit janë “gjurmë mbi pllajën e mendimit”.

Kurse Poeti është “shtyllë kurrizore e ideve”.

Poeti është “ndërgjgegje e lirë endacake”.

Moikomi e quan veten një “rishtar”,një murg që ka veshur zhgunin e ashpër të Poezisë.

Për atë “Poezia është dashuri pa martesë”.

Skicova kështu, me fjalët e vetë Moikomit, portretin e tij, më të veçantin në historinë e Poesisë sonë Kombëtare.

Historia Botërore e Poezisë njeh disa lloje “autoportretesh” të poetëve.

Pikat e referencave të tyre janë të ndryshme.

Një gjë është e përbashkët midis tyre: konfliktualiteti me botën reale dhe me botën e mendimeve, me vetveten dhe me Kohën.

Historikisht, Poeti është skicuar fillimisht si poet Profet, zëdhënës i Demiurgut.

Kemi më vonë Poetin në konflikt me fenë.

Poetin në konflikt me realitetin.

I përjetshëm mbetet konflikti i Poetit me Kohën, me Jetën dhe me Vdekjen.

Profilin e poetit Moikom Zeqo e mundon konflikti me jetën dhe me Amëshimin.

Atë e mundojnë dilema sfilitëse që lidhen me botën reale.

Ai jeton në një botë të ashpër dhe të pamëshirshme.

Shembulli i Baruh Spinozës është shumë domethënës për të: s'ka shtëpi për të qenë, as familje, as katandi, është i vetëm me “latinishten e tij gjeometrike”, me “sintaksën e qartë” dhe me “simetrinë e konkluzioneve”.

 Ai vetëm hesht përpara Zotit, nuk kërkon falje për “herezitë filozofike” të tij.

“Realiteti, thotë Poeti ynë, më grish për të më vrarë pabesisht”.

Për atë, zgjidhja e këtij konflikti, është idea kozmike e pafundësisë së universit, e cila metaforikisht na flet për përjetësinë.

 

Kemi, pra, një autoportret me ngjyrim të theksuar filozofik, që poetikisht, shtron argumentin, idenë e fuqisë së artit mbi pamundësinë e shpirtit poetik, që “kalëron me jele makthi/dhe patkonj tipografikë”.

Poetin Moikom Zeqo e frymëzon mitologema e Pegasit, kalit mitologjik me krahë, që rreh me patkonjtë e tij në malin Helikon dhe bën të shpërthejë burimi i frymëzimit ku pi ujë Muza e çuditshme Moikomjane.

Poezi

 Ka nje mrekulli të vdekjes

Ka nje mrekulli te vdekjes te sakte si ligjet
kur trupat tone do te shperbehen ne elemente
te natyres,
ndoshta do te takohemi si ujera nentokesore,
si humus e kripera te rrenjet e nje bime,
qe ajo te lulezoje e te hapi petale
e te mahnite gjithçka me bukurine anonime.
Do te na lulezoje eshterat…
Ajme! Po shpirtrat valle?
Si krijesa ajri do te enden neper re,
perhere te dy ndare dhe asnjehere nje!

Moikom Zeqo. Në Durrës, 03.06.1949, gazetari, historiani, arkeologu dhe krijuesi letrar.

Ora 09:05
Autoportreti i poetit Moikom Zeqo
  • Komento

    KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

    • Sondazhi i ditës:
      23 Dhjetor, 23:33

      Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



    ×

    Lajmi i fundit

    Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër

    Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër