Për avokatin Arbër Hoxha, drejtësia për të mitur nuk duhet që të fokusohet tek dënimi i autorëve por tek parandalimi i ngjarjeve.
I ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv, teksa iu referua vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, ku autori u dënua me 16 vite burg, Hoxha tha se të miturit nuk duhet që të kenë rrjetet sociale, pasi ato po nxisin konfliktet mes tyre.
‘Drejtësia për të mitur s’ka si parim ndëshkimin e autorit, por luftimin e shkakut. Shoqata e avokatëve do të organizojë një tryezë për drejtësinë e të miturve, ku do të diskutohet për rastin e Martin Canit dhe dy raste të tjera. Duhet që të merremi me shkakun që ka qenë bullizimi dhe sherret në rrjetet sociale, është e papranueshme që një fëmijë i moshë 13 ose 14 vjeçare të ketë llogari në rrjetet sociale.
Ne do propozojmë që të bëhen ndryshme në ligjin për mbrojtjen e fëmijëve dhe në ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Duhet që të ndalohen rrjetet sociale për të miturit. Kjo do të jetë një luftë reale, ku duhet që të luftohen shkaqet dhe jo pasojat’, tha ai.
Për avokatin Hoxha paraqitja në SPAK ditën e sotme e ish-presidentit Bamir Topi, i cili u pyet si person që ka dijeni për krimin shtetëror të 21 janarit tregon se hetimet janë duke shkuar drejt fundit. Hoxha tha se dëshmia e tij do të jetë e rëndësishme për zbardhjen e ngjarjes.
‘Hetimet për 21 janarin po vijojnë dhe jemi drejt një konkluzioni, janë pyetur Basha dhe Berisha, u pyet edhe sot Bamir Topi dhe me shumë gjasa do të pyeten edhe organizatorët edhe gazetarët. Hetimet janë drejt përfundimit, me dëshminë e Topit është zbardhur një pjesë e situatës.
Unë them se ai ka dëshmuar pa asnjë ekuivok të gjitha ato që ka ditur. Besoj se edhe Ilir Meta duhet që të pyetet, di që ka bërë një kërkesë që do të dëshmojë dhe besoj se shpejtë do të kemi një njoftim të akuzës për personat përgjegjës’, tha ai.
Komente












