Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike dhe e Informacionit të Republikës Çeke ka paralajmëruar se TikTok është një kërcënim për sigurinë. TikTok, një aplikacion kinez për shpërndarjen e videove, është vënë nën kontroll të shtuar kohët e fundit në shumë vende mbi procedurat e trajtimit të të dhënave.

Autoritetet çeke paralajmëruan se më tej Tik-Tok mund të përbëjë një kërcënim sigurie nëse instalohet në pajisjet që aksesojnë informacionin kritik dhe infrastrukturën e komunikimit.

Pse ka shqetësime në rritje?

Vendet perëndimore janë të shqetësuara se aplikacioni popullor mund t'u japë autoriteteve kineze akses në të dhënat e ndjeshme të përdoruesve.

"Agjencia është e shqetësuar për një kërcënim të mundshëm të sigurisë që rrjedh nga përdorimi i TikTok kryesisht për shkak të sasisë së të dhënave të përdoruesve që mblidhen nga aplikacioni," thuhet në reagim.

Shqetësime të mëtejshme burojnë nga fakti se kompania mëmë e TikTok, ByteDance është nën juridiksionin ligjor të Republikës Popullore të Kinës.

Autoriteti kibernetik çek shtoi më tej se mbledhja e tillë e të dhënave në shkallë të gjerë është shqetësuese për shkak të mjedisit ligjor dhe politik të Republikës Popullore të Kinës.

Politikanët dhe zyrtarët u këshilluan kundër përdorimit të aplikacionit dhe publikut të gjerë iu kërkua të shqyrtonte nëse do ta përdorte gjithashtu aplikacionin.

ByteDance, kompania mëmë e TikTok, ka thënë më parë se shqetësimet rreth aplikacionit janë nxitur nga dezinformatat dhe ka mohuar përdorimin e aplikacionit për spiunimin e perëndimorëve. Pekini nga ana tjetër ka mohuar të ketë synime për të përdorur aplikacionin për qëllime spiunazhi.

Republika Çeke i bashkohet listës së disa vendeve që kanë ndërmarrë hapa për të kufizuar përdorimin e TikTok. Shtetet e Bashkuara dhanë një kufi 30-ditor muajin e kaluar për të hequr aplikacionin nga të gjitha pajisjet dhe sistemet federale.

Parlamenti Evropian, Komisioni Evropian dhe Këshilli i BE-së e kanë ndaluar TikTok nga të gjithë telefonat e stafit.

Kanadaja dhe Danimarka gjithashtu e kanë ndaluar stafin e tyre që të ketë TikTok në telefonat e tyre.

Në një raport të mëparshëm të lëshuar në vitin 2022, agjencia e inteligjencës kombëtare çeke me bazë në Pragë e quajti Kinën si një kërcënim të madh që synon hapësirën kibernetike çeke.