Autoritetet indiane akuzojnë transmetuesin britanik BBC për evazion fiskal

Autoritetet indiane akuzojnë transmetuesin britanik BBC për evazion fiskal

Ministria e Financave e Indisë akuzoi të premten rrjetin televiziv publik të Britanisë së Madhe, BBC për evazion fiskal , duke thënë se nuk i kishte deklaruar plotësisht të ardhurat dhe fitimet mbi veprimtarinë e tij në këtë vend.

Autoritetet tatimore indiane përfunduan kontrollin tre ditore në zyrat e transmetuesit britanik në Nju Delhi dhe Mumbai të enjten në mbrëmje. Partitë politike të opozitës dhe organizatat mediatike i kanë kritikuar këto veprime të qeverisë, duke i cilësuar si përpjekje për të frikësuar mediat.

Kritikët e kryeministrit Narendra Modi kanë ngritur pikëpyetje gjithashtu rreth kohës kur u kryen kontrollet. Para disa javësh BBC transmetoi një dokumentar në Mbretërinë e Bashkuar që ishte kritik ndaj kryeministrit Modi.

“Departamenti mblodhi disa prova në lidhje me funksionimin e organizatës (mediatike), të cilat tregojnë se nuk janë paguar taksat për një pjesë të të ardhurave nga jashtë”, tha Bordi Qendror i Taksave në një deklaratë.

Në deklarat thuhej se kishte “mungesë e mospërputhje” informacioni dhe se autoritetet kishin mbledhur “prova thelbësore” nga deklaratat e punonjësve, prova dixhitale e dokumente, të cilat do të shqyrtoheshin plotësisht më vonë.

Deklarata akuzonte BBC-në se nuk kishte paguar taksa mbi të ardhurat e punonjësve të huaj e që kishin punuar në Indi për periudha të shkurtra.

BBC tha në një deklaratë se do t'i përgjigjet në mënyrë të përshtatshme çdo komunikimi të drejtpërdrejtë zyrtar të marrë nga Departamenti i Tatimit mbi të Ardhurat.

“Ne po mbështesim personelin, disa prej të cilëve janë përballur me marrje në pyetje për një kohë të gjatë ose u është kërkuar të qëndrojnë gjatë natës. Mirëqenia e tyre është prioriteti ynë. Ne i jemi kthyer tashmë normalitet dhe mbetemi të përkushtuar për t'i shërbyer audiencës sonë në Indi dhe më gjerë”, thuhej në deklaratën e BBC-së.

Agjencia e lajmeve “Press Trust of India” citoi zyrtarë anonim të kenë thënë të enjten se hetuesit mblodhën të dhëna financiare nga disa punonjës të BBC-së, kopjuan të dhëna nga kompjuterat dhe nga dokumente që u gjetën brenda zyrave të BBC-së.

Udhëheqësi i partisë kryesore opozitare në Kongresin e Indisë, Mallikarjun Kharge, e cilësoi kontrollin e zyrave të BBC-së si një sulm ndaj lirisë së shtypit nën qeverinë e kryeministrit Modi. Reporterët pa Kufij, një mbikëqyrës ndërkombëtar i medias, denoncoi veprimin e qeverisë si “përpjekje për të shtypur median e pavarur”.

“Këto bastisje kanë pamjen e një hakmarrjeje kundër BBC-së për publikimin e një dokumentari kritik ndaj kryeministrit Narendra Modi tre javë më parë. Kontrollimet u bënë në një kohë kur mediat e pavarura po përndiqen gjithnjë e më shumë, kur pluralizmi po tkurret në Indi dhe për shkak të kontrollimit të medias nga një numër çdo herë e më i vogël i njerëzve”, tha grupi në një deklaratë të enjten.

Dokumentari, “India: Çështja Modi”, u transmetua në Britani muajin e kaluar, duke trajtuar rolin e kryeministrit në trazirat anti-myslimane të vitit 2002 në shtetin perëndimor të Guxharatit, ku ai ishte kryeministër në atë kohë. Më shumë se 1000 njerëz u vranë gjatë dhunës.

Kryeministri Modi ka mohuar pretendimet se autoritetet nën mbikëqyrjen e tij lejuan dhe madje inkurajuan gjakderdhjen, dhe Gjykata e Lartë tha se nuk gjeti prova për ta ndjekur atë penalisht. Vitin e kaluar, gjykata hodhi poshtë një peticion të paraqitur nga një viktimë myslimane që vinte në dyshim vendimin që shfajësonte zotit Modi.

Programi nxiti reagim të menjëhershëm nga qeveria e Indisë, për të bllokuar transmetimin e dokumentarit në Indi. Autoritetet lokale u përpoqën të ndalonin transmetimet e organizuara në universitetet indiane. Platformat e rrjeteve sociale përfshirë Twitter dhe YouTube u pajtuan me kërkesat e qeverisë për të mos e lejuar publikimin e dokumentarit të BBC-së.

BBC tha në atë kohë se dokumentari ishte “shqyrtuar në mënyrë rigoroze” dhe përfshinte një gamë të gjerë zërash dhe opinionesh.

“Ne i ofruam qeverisë indiane të drejtën për t'iu përgjigjur çështjeve të ngritura në dokumentar, por ajo nuk pranoi të përgjigjet”, tha transmetuesi publik britanik.

Ministria e Jashtme e Indisë e quajti dokumentarin një “propagandë të krijuar për të nxitur një debat diskreditues” e që i mungonte objektiviteti./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë