Valeria Dedaj
Është nga Saranda dhe vetëm 24 vjeçe, por me këngën e saj të fundit “Sweet but psycho” Ava Max ka mundur të klasifikohet e para ndër hitet më të shitura në Evropë. Artistja ka mundur të lërë pas “Nothing breaks like a heart” të Mark Ronson e Miley Cyrus, që qëndrojnë në vendin e dytë dhe Westlife me “Hello my love” në vend të tretë.
Këngëtarja kohët e fundit ka marrë pjesë në emisionin “Today show”, ku përveçse ka performuar ka treguar edhe domethënien e këngës së saj dhe nga është frymëzuar.
“Jam frymëzuar nga këngë të artisteve si Whitney Houston, Celine Dion apo Mariah Carey, që dikur i këndoja në dhomëzën time. Kënga ime flet për një vajzë që ndihet e pakuptuar, ajo është një grua e fortë dhe e pavarur, por në të njëjtën kohë kupton se po del nga vetja . Mirëpo i dashuri i saj e dashuron ashtu siç është, nga ana tjetër të gjithë kemi një lloj dualiteti”,është shprehur ajo.
Vetëm pak ditë më parë për rrugëtimin, Ava Max ka shkruar edhe Billboard. Ava është bijë e dy emigrantëve shqiptarë nga Saranda dhe talentin për muzikën e ka trashëguar nga e ëma, këngëtare e operës lirike. Këngëtarja ka rrëfyer se fillimet e tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë shumë të vështira.
“Prindërit e mi ishin me portofolin bosh asokohe, madje nuk flisnin as gjuhën. Ka qenë shumë e vështirë. I kam parë ata tek sakrifikonin duke punuar deri në tre punë”.
E gjitha kjo e ka bërë artisten ta vlerësojë gjithçka ka sot dhe mundësitë që i janë dhënë. E konsideruar si trashëgimtarja e Lady Gaga-s, Ava Max ka mundur të listohet në kualifikimet botërore radiofonike me “Let it be me”, si bashkëpunim me David Guetta dhe “Make up” me Jason Derulo. Mandej si soliste ajo ka nxjerrë në treg hite të suksesshme, si: “My way” apo “Slippin” , por suksesin e madh do ta gjente me këngën e fundit “Sweet by psycho”.
Ava bashkë me Dua Lipën, Rita Orën ka marrë së fundmi edhe një propozim për bashkëpunim nga Bebe? A do të kemi një këngë nga yjet shqiptare të popit? Mbetet për t’u parë!