TIRANE - Një javë pas masës së sigurisë për pilotin italian Giorgio Riformato dhe shqiptarit Sajmir Bajrami të akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim, A1Report ka mundur të zbardhë detaje në lidhje me hetimin.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar për akt-ekspertimi dy pajisjet e komunikimit të sekuestruara pilotit Riformato, përkatësisht një telefon dhe një iPad. 

Në pritje të përgjigjes së akt-ekspertimit, burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thanë për A1Report se do të vendoset dhe për procesin e pyetjeve që do të bëhen ndaj pilotit, pasi ky i fundit deri në këto momente mban qëndrim mohues për akuzën si dhe deklaron se nuk e njeh shqiptarin Sajmir Bajrami, i cili ka deklaruar se rreth 460 kilogramë drogë do ja jepte pilotit për ta transportuar me avion drejt Italisë.

Po të njëjta burime thanë për A1Report, se ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar akuzën ndaj pilotit italian, si pamje filmike dhe dëshmi por si provë kryesore pritet të përdoren kontaktet telefonike, mesazhet dhe e-mailet që ai ka shkëmbyer me Bajramin, por dhe persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë në trafikun e drogës nga ajri me avion.

Riformato u arrestua më 10 maj në plazhin e Divjakës pas rrëzimit të avionit të tij tip Piper, ku veç pilotit u arrestua dhe Sajmir Bajrami, i kapur me 460 kilogrmaë drogë në makinë, në pyllin e Divjalës. Ai ka pranuar akuzën si dhe ka dhënë detaje në lidhje me trafikun e drogës.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)