TIRANË- Avokatët e Arben Frrokut, paraqitën dje në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda mbrojtjen për klientin e tyre, i akuzuar për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt. Në fjalën e tyre avokatët Tonin Prendi dhe Genc Gjokutaj, argumentuan se nuk qëndronin pretendimet e prokurorisë se Frroku ishte autor i vrasjes së Lamajt.

Avokatët u përqëndruan në tre shtylla, atë të rrëzimit të dëshmitarit të mbrojtur, mungesën e provave direkte sipas tyre ndaj Frrokut, si dhe faktin se sipas tyre Lamaj kishte pasur edhe konflikte me persona të tjerë, dhe po ashtu Frroku konfliktet që kishte pasur me Lamajn i kishte denoncuar në prokurori. Po ashtu avokatët arsyetuan se sipas tyre eksperimenti hetimor nuk kishte provuar pretendimet e prokurorisë se Frroku kishte udhëtuar menjëherë pas vrasjes në Kapshticë e në Greqi.

Mbetjet e faktorëve plotësues sipas tyre nuk provonin që klienti i tyre kishte qëlluar me armë. Edhe në këtë seancë prokurori iu qëndroi pretendimeve të tij, se Arben Frroku ishte autor i vrasjes së kryekomisar Dritan Lamajt. Kjo ngjarje ndodhi me 24 shkurt 2013, kur Lamaj u qëllua pranë shtëpisë së tij. Prej disa muajsh Lamaj, nuk ishte më shef komisariati në Kombinat, ndërsa konfliktin kryesor ai pati me të akuzuarin si dhe me Edmond Vlashajn, i njohur si mik i Frrokut. Pasi dëgjoi mbrojtjen Gjykata vendosi të japë vendimin të hënën me 29 qershor në orën 14:30.

Redaksia online
(S.M/shqiptarja.com)