Shoqata e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë i kanë dërguar një kërkesë zyrtare Këshillit të Lartë Gjyqësor që të vendosë për zhvillimin e seancave gjyqësore të hapura.

Në kërkesën e tyre, Shoqata thotë se duhet të lejohen të jenë të pranishëm në seanca familjarët e të pandehurve që kanë kryer vaksinimin, duke paraqitur certifikatë e vaksinimit.

Ata argumentojnë se nuk ka asnjë kuptim që të lejohen njerëzit në restorante, bare e dasma dhe nga ana tjetër, seancat gjyqësore të zhvillohen me dyer të mbyllura.

Sipas Shoqatës së Avokatëve Penalistë, pjesëmarrja e familjarëve të të pandehurve dhe publikut, vendos gjykatën në presion për të dhënë drejtësi dhe 'jo të vazhdojnë të dëgjojnë vetëm djathtas, ku qëndron prokurori'.

Avokatët i kanë kërkuar edhe më herët publikisht Këshillit të Lartë Gjyqësorë që të nisin seancat të hapin dyert për publikun dhe mediat.

Në një intervistë për Report Tv, kreu i avokatëve penalist, Saimir Visha tha se një seancë pa publik është e pavlefshme.