Avokati amerikan i Zogut: Çfarë
i raportonte CIA-s për mbretin

Avokati amerikan i Zogut: Çfarë<br />i raportonte CIA-s për mbretin
OPERACIONI MOLLA/
PJESA V
Sikurse pamë në shkrimet e mëparëshme, gjatë udhëtimit të tij të parë në SHBA në verën e vitit 1951 Ahmet Zogu u angazhua plotësisht në hartimin dhe planifikimin e operacionit “Molla”, sipas të cilit fillimisht në Shqipëri do të infiltroheshin një grup i vogël oficerësh të besuar të tij për të hulumtuar gjendjen dhe për të përgatitur terrenin për përmbysjen e regjimit komunist. Dokumentet e deklasifikuara nga arkivat amerikane nxjerrin në pah takimet e shumta jozyrtare të Zogut në SHBA. Në fakt, Zogu kishte filluar të bluante planet për kthimin në pushtet qysh kur jetonte në Egjipt. I strehuar nën mikpritjen e Mbretit Faruk, i cili kishte gjak shqiptar, Zogu nuk kishte munguar të ndërmerrte takime dhe të thurrte plane për zbatimin e ëndrrës së tij të vjetër.
Avokati amerikan i Zogut
Në takimin e 12 shtatorit 1951 në Nju Jork Zogu i prezantoi bshkëbiseduesit amerikan gjatë darkës edhe avokatin e tij egjiptian,  cili, sipas tij, ishte edhe avokat i Mbretit Faruk.  Mirëpo Zogu kishte në SHBA edhe një avokat amerikan, i cili e kishte përfaqësonte atë në mbrojtje të interesave të pakta që ish-Mbreti shqiptar kishte deri atëhere në Amerikë.  Ky ishte Edgar M. Church [Çërç], i cili kishte lidhje krushqie me Mbretëreshën Geraldinë. Z. Çërç udhëtonte shpesh në Egjipt, ku takonte Zogun dhe Geraldinën, dhe me t’u kthyer në Nju Jork, nuk mungonte t’u raportonte shërbimeve amerikane për takimet e tij me Zogun atje.
Lidhja e krushqisë ishte e tillë: Avokati Çërç ishte i martuar me konteshën Margaret Scherr-Thoss. E ëma e saj ishte amerikane, kurse i jati gjerman. E ëma ishte detyruar të vriste veten gjatë Luftës II Botërore nga Gestapo, kurse i jati pas Luftës jetonte nue Klangenfurt, Austri. Pra, vjehrra e z. Çërç kishte lidhje të afërt farefisnore me Geraldine Apponyin dhe kishte luajtur rolin e prindit duke ndihmuar në lidhjen martesore me nusen e re. Madje ajo kishte qenë e pranishme në Tiranë edhe në çastet dramatike të lindjes së Lekës, të pushtimit fashist të vendit dhe të largimit të Zogut nga atdheu. Pra, nëpërmjet lidhjes me vjehrrën e tij të ndjerë, z, Çërç ishte bërë avokati i Zogut në SHBA.
Në një raport të datës 16 shtator 1949 z. Çërç, i sapo kthyer nga Egjipti, njofton shërbimet amerikane për gjendjen e përgjithshme në oborrin e mbretit Zog. Ai njofton edhe për gjyshen e Geraldinës, Madame de Strahl d’Ekna, e cila në atë kohë ishte 82 vjeç dhe jetonte në SHBA. Sipas avokatit Çërç, ajo merrte një ndihmë financiare mujore prej Zogut në masën $115.  Sipas indekseve të konvertimit të fuqisë blerëse historike të dollarit, sot kjo shumë do të ishte barabar me $1,095 në muaj.
Sipas z. Çërç, gjyshja e Geraldinës “nuk kishte ndikim të madh tek Zogu, por vazhdimisht ndërhynte [continually intriguing] që ta sillte Zogun dhe Geraldinën në SHBA”. Z. Çërç theksonte se “ka shumë mundësi që ajo do të shkojë në Ëashington për të bërë njëfarë lobingu në këtë drejtim”. Z. Çërç përmend se edhe pse “ideja mund të ketë vlerë, duhet treguar kujdes pasi ajo është thjesht një grua e moshuar por me imagjinatë të pasur”. Ai jep edhe një të dhënë tjetër interesante: “Ajo ka shkruar një libër për Zogun, që don t’ia shesë industrisë kinematografike”.
Z. Çërç i raporton më tej shërbimeve amerikane se kontesha Margaret Scherr-Thosse, shoqja e tij,  dhe njëkohësisht kushërira e Geraldinës, ishte “një vajzë shumë e mire” [a fine girl], por sëbashku me të vëllain, kishin prirjen “të bisedonin për gjithshka që dinin”, pra atyre nuk u duheshin treguar informata apo të dhëna përmbajtja e të cilave duhej mbajtur e fshehtë.
Z. Çërç përmend më tej se ndikimi i tij tek Zogu vjen “nëpêrmjet Geraldinës dhe mirënjohjes që ai ka ndaj vjehrrës time të ndjerë”.  Ai thekson se “Zogu edhe mund të përpunohet [handled], por pengesa më e madhe tash për tash është motra e tij  Zenida”, të cilën avokati amerikan e përshkruan me ngjyra aspak lëvduese.
Gjatë vizitës së tij në Aleksandri në gusht-shtator 1949, avokati Çërç përmend se Geraldina i kishte thenë se të gjitha motrat e Zogut nuk ndodheshin aty, dhe pra “më në fund, Mbreti im i dashur do të ketë kohë të merret vetëm me mua”.
Ideja për përfshirjen Zogun në planet për përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri ekzistonte qysh në vitin 1949 tek shërbimet amerikane. Avokati amerikan, me sa duket, kishte marrë detyrë për të tatuar pulsin e Zogut në këtë drejtim. Z. Çërç i raportonte shërbimeve se “nëse Zogu do të mund të përdoret, ai duhet të çlirohet nga ndikimi i grave të familjes dhe të shtyhet që të mendojë se po kryeson një projekt ushtarak për çlirimin e Shqipërisë.  Vetëm kështu ai mund të mbarështrohet me lehtësi.”
Z. Çërç theksonte se Zogu “mezi ç’pret me padurim” [chafing at the bit] për t’u kthyer dhe për të luftuar për Shqipërinë”, dhe më tha se do të kthehej në cilindo funksion që do ta kërkonte populli i tij”.  “Ai tha më tej se do t’i nënshtrohej një plebishiti, dhe do të pranonte rezultatin edhe nëse humbte”.
Avokati Çërç përmend në raportin e tij, sërish me ngjyra aspak pozitive, edhe Skënder Vilën, ose Kontin Alexander de Villa, me prejardhje frëngo-shqiptare, i cili ishte i lidhur me familjen nbretërore.
Avokati Çërç në disa raporte të tjera, që do t’i trajtojmë më vonë, jep të dhëna të hollësishme edhe për gjendjen financiare të Mbretit Zog. Sikurse dihet, gjatë vizitës së tij në SHBA Mbreti Zog bleu edhe një shtëpi të madhe në Long Island, në rrethet e Nju Jorkut. Shtëpia në formë kalaje, e quajtur Knoëlood Estate, kishte rreth 60 dhoma dhe ndodhej në fshatin e vogël, piktoresk, tejet të pasur dhe ekskluziv të quajtur Muttontoën, në “Bregdetin e Artë” të Nju Jorkut, ku sot jetojnë rreth 3500 banorë. Ndryshe nga sa raportonte një emission i vjetër i BBC i ritransmetuar para disa javësh në TV Klan se Zogu e pat blerë këtë shtëpi me “paratë e CIA-s”, nuk ka asnjë të dhënë dokumentare që të ketë ndodhur kështu. Zogu asnjëherë nuk jetoi atje, dhe në fund hoqi dorë nga shtëpia, madje edhe nga avokati i tij amerikan. Pavarësisht nga afëria që avokati Çërç kishte me Geraldinën, ish-Mbreti i Shqipërisë ishte mërzitur dhe kishte mbetur tejet i pakënaqur prej tij, deri në pikën kur arriti t’u kërkonte bashkëbiseduesve të vet misteriozë amerikanë sugjerime për emra të tjerë avokatësh që do të përfaqësonin interesat e tij në SHBA.
(Vijon)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Modena/ Dy ‘skifterët’ shqiptarë grabitën 400 mijë euro mall në tetë ditë, 19 vjedhje në seri! Njëri i dënuar dhe për plagosje, plaçkitjet me orar

Modena/ Dy ‘skifterët’ shqiptarë grabitën 400 mijë euro mall në tetë ditë, 19 vjedhje në seri! Njëri i dënuar dhe për plagosje, plaçkitjet me orar