Avokati i Popullit Endri Shabani ngriti të premten shqetësimin për varfërinë, mungesën e mbështetjes për familjet shqiptare dhe situatën në burgje, duke deklaruar se ndihma ekonomike nuk garanton më një jetë me dinjitet, ndërsa rreth 60% e personave në burgjet shqiptare ndodhen në paraburgim pa një vendim të formës së prerë.

Gjatë një aktiviteti në Pogradec për Ditën Ndërkombëtare të Familjes, ai tha se shumë të moshuar jetojnë të vetmuar dhe pa kujdes institucional, ndërsa në burgje janë konstatuar probleme serioze me trajtimin mjekësor dhe kushtet e mbajtjes. Shabani deklaroi se vetëm në katër muajt e fundit kanë humbur jetën pesë persona në institucionet e vuajtjes së dënimit dhe theksoi se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.

I pyetur për pretendimet e ngritura në media lidhur me largime nga puna në institucionin e Avokatit të Popullit, Endri Shabani shmangu komentet direkte dhe tha se fokusi duhet të jetë tek problemet reale të familjeve shqiptare dhe jo tek “skupet” mediatike.

"Sot është Dita Ndërkombëtare e Familjes, dhe ne kemi ardhur në Pogradec për të diskutuar për ndihmën ekonomike, për familjet në nevojë, dhe mendoj se edhe fokusi i medias duhet të jetë pikërisht kjo çështje. Unë besoj se është përgjegjësi e medias të fokusohet te hallet e familjeve shqiptare, jo tek skupet. Ky është edhe qëllimi i sotëm"

Shabani deklaroi se ndihma ekonomike nuk mjafton për të garantuar një jetë dinjitoze për familjet shqiptare, ndërsa paralajmëroi se shumë prej tyre po mbeten në varfëri të thellë për shkak të rritjes së kostos së jetesës dhe mungesës së mbështetjes reale nga shteti. Ai tha se përllogaritja e minimumit jetik në Shqipëri është bërë afro 20 vite më parë dhe vazhdon të përdoret edhe sot, pavarësisht ndryshimeve ekonomike dhe inflacionit.

Jo. Dhe ky është problemi kryesor. Duhet të kemi parasysh se Avokati i Popullit është i vetmi institucion që ka bërë një përllogaritje të minimumit jetik, dhe ajo është realizuar afro 20 vite më parë. Është e vetmja përllogaritje që vazhdon të përdoret edhe sot, ndërkohë që situata është bërë edhe më e rëndë për shkak të inflacionit dhe rritjes së kostos së jetesës. Sot, ndihma ekonomike jo vetëm që nuk u garanton familjeve shqiptare një jetë me dinjitet, por në shumë raste i mban ato në varfëri të thellë, pa asnjë mundësi reale për të dalë prej saj.

Gjatë diskutimit të sotëm, bashkë me qytetarë dhe përfaqësues të komunitetit, folëm për mënyrat se si mund të ndërhyhet në këtë situatë. Një pjesë e problemit lidhet me pabarazinë dhe shpërndarjen jo të drejtë të pasurisë së përbashkët. Një pjesë tjetër lidhet me pamundësitë ekonomike. Bashkia e Pogradecit, për shembull, është një nga bashkitë më të varfra dhe me borxhin më të lartë në raport me shumë bashki të tjera në vend. Ndërsa një pjesë tjetër lidhet me mungesën e prioriteteve dhe neglizhencën nga institucionet vendore dhe qendrore.

Mendoj se jo vetëm sot, në Ditën e Familjes, por çdo ditë duhet të flasim për sfidat që po kalojnë familjet shqiptare. Familja është një nga pasuritë më të mëdha që ka kjo shoqëri. Por kjo pasuri nuk mund të mbahet në këmbë nëse të rinjtë detyrohen të largohen, sepse në qytetin apo në shtëpinë e tyre nuk shohin më progres dhe perspektivë. Ky është një nga prioritetet kryesore të punës së Avokatit të Popullit"
 tha Shabani

Endri Shabani ngriti shqetësimin për situatën e të moshuarve në Shqipëri, duke deklaruar se mijëra prindër jetojnë të vetmuar, pa mbështetje dhe pa kujdes institucional. Ai tha se rreth 20 mijë të moshuar jetojnë vetëm dhe se shteti duhet të krijojë mekanizma realë kujdesi për këtë kategori, ndërsa theksoi se shumë prej tyre janë lënë vetëm edhe për shkak të largimit të të rinjve nga vendi në kërkim të një jete më të mirë. 

"Pyetja është: sa e vështirë është për qeverinë shqiptare të ndërtojë institucione dhe mekanizma realë kujdesi për këtë kategori moshe? Ky është një shqetësim bazë që duhet të ketë shteti sot. Janë rreth 20 mijë të moshuar që jetojnë vetëm, dhe për këtë besoj se Avokati i Popullit, institucionet dhe media duhet të flasin çdo ditë, përtej zhurmës së lajmeve të përditshme që shpesh bëjnë bujë, por nuk zgjidhin asgjë.

Thelbi është ajo që po ndodh sot me prindërit e moshuar, të cilët janë lënë vetëm. Shpesh ata mbeten vetëm sepse fëmijët janë detyruar të largohen nga shtëpia si e vetmja mundësi për progres. Por ata nuk kanë pse të lihen vetëm edhe nga shteti. Shteti, përveçse duhet t’u japë mundësi të rinjve, ka detyrimin të kujdeset për të gjithë qytetarët, veçanërisht për të moshuarit, pavarësisht nëse jetojnë në qendër të Tiranës apo në periferitë më të largëta të Shqipërisë" tha Shabani

Avokati i Popullit deklaroi se sfida kryesore e Shqipërisë në procesin e integrimit europian mbetet zbatimi i ligjeve dhe jo vetëm miratimi i tyre në letër. Ai tha se ekziston një hendek i madh mes reformave ligjore dhe realitetit që përjetojnë qytetarët, ndërsa theksoi se integrimi në Bashkimi Evropian duhet të sjellë më shumë mbështetje për familjet, të rinjtë dhe shtresat në nevojë, veçanërisht përballë plakjes së popullsisë dhe problemeve sociale në vend. 

"Ne, si Avokat i Popullit, kemi një rol në Kapitullin 23. Ajo që kemi vënë re është se ekziston një hendek i madh mes progresit në letër dhe realitetit në praktikë. Legjislacioni i ri po ndryshon dhe po përparohet, por kjo nuk mjafton. Integrimi në Bashkimin Evropian nuk do të thotë vetëm ndryshim ligjesh. Do të thotë ndryshim i qasjes ndaj qytetarëve.

Një nga këto qasje është krijimi i kushteve për progresin e të rinjve, sepse kur të rinjtë kanë mundësi të ecin përpara, familjet janë më të shëndetshme dhe prindërit janë më të mbrojtur. Së dyti, është përkujdesja për çdo qytetar, veçanërisht për ata që janë më shumë në nevojë. Vendet e Bashkimit Evropian kanë ndërmarrë masa serioze për plakjen e popullsisë. Kjo duhet të reflektohet edhe në Shqipëri dhe kërkon angazhim si nga qeveria qendrore, ashtu edhe nga pushteti vendor" tha ai. 

Endri Shabani deklaroi se reforma administrative dhe harta e re gjyqësore nuk duhet të krijojnë pabarazi mes qytetarëve dhe të kufizojnë aksesin në drejtësi për zonat më të largëta të vendit. Ai tha se sot gjykatat shqiptare punojnë me ngarkesë të lartë dhe nën kapacitet, çka ndikon drejtpërdrejt tek qytetarët që presin vendime për vite me radhë. Sipas Shabanit, integrimi europian nuk lidhet vetëm me ndryshimin e ligjeve, por me garantimin e aksesit real në drejtësi, duke theksuar se “drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”. 

"Sa i përket reformës administrative që po diskutohet aktualisht, por edhe reformës së hartës gjyqësore, ne nuk mund të themi se sa gjykata duhet të ketë dhe ku duhet të jenë ato, apo sa bashki duhet të ketë vendi. Kjo është kompetencë e Kuvendit. Por shqetësimi ynë është i qartë: këto reforma nuk duhet të cenojnë të drejtat themelore të qytetarëve, pavarësisht vendit ku ata jetojnë. Ato nuk duhet të krijojnë pabarazi.

Nuk mund të ndodhë që një qytetar që jeton në një qytet të madh të ketë më shumë akses në drejtësi dhe shërbime, ndërsa një qytetar që jeton në një zonë më të largët të vuajë neglizhencën e shtetit për shkak të mënyrës se si është organizuar harta gjyqësore apo reforma administrative.

Ky është shqetësimi që kemi ngritur. Aktualisht jemi duke përgatitur edhe një raport të veçantë për të adresuar aksesin në drejtësi. Sa u përket gjykatave, sot gjykatat shqiptare punojnë nën kapacitet. Ka një ngarkesë shumë të madhe me dosje dhe kjo ndikon drejtpërdrejt te qytetarët që kërkojnë drejtësi.

Integrimi evropian nuk nënkupton vetëm ndryshim legjislacioni apo krijimin e pavarësisë së gjyqësorit. Në thelb, ai nënkupton akses real në drejtësi. Pra, kur një qytetar shkon në gjykatë, ai duhet të marrë drejtësi në kohë të arsyeshme. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar" tha ai.

Shabani deklaroi se shqetësimi më i madh në burgjet shqiptare mbeten kushtet çnjerëzore dhe numri i lartë i personave që mbahen në paraburgim pa një vendim përfundimtar. Duke komentuar edhe debatin për trajtimin e Ilir Metës, Shabani tha se prioritet i institucionit nuk janë “të burgosurit VIP”, por qytetarët e zakonshëm që nuk kanë mundësi të dëgjohen. Sipas tij, rreth 60% e personave në burgjet shqiptare janë ende të padënuar me vendim të formës së prerë, një shifër që ai e cilësoi shumë më të lartë se mesatarja europiane. 

“Ne jemi një institucion që kemi vazhdimësi, por unë, si drejtues i ri i këtij institucioni, kam vendosur prioritetet e mia. Për mua prioritet janë njerëzit që nuk kanë zë. E di që vëmendja publike dhe mediatike fokusohet kryesisht te të burgosurit VIP apo figurat e njohura, por për mua prioritet janë qytetarët e zakonshëm: ata që mund të jenë në burg pa një vendim përfundimtar, ata që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor, ata që kanë sëmundje të rënda dhe mbahen në kushte çnjerëzore, si edhe të moshuarit që në disa raste qëndrojnë në burg pa një vendim të formës së prerë.

Pa dyshim, shtetasi Ilir Meta apo shtetas të tjerë kanë paraqitur ankesa pranë institucionit të Avokatit të Popullit dhe janë trajtuar njësoj si çdo qytetar tjetër. Por për mua prioritet nuk janë të burgosurit VIP. Prioritet janë qytetarët që nuk kanë mundësi të dëgjohen. Raporti ynë është bërë publik dhe kushdo mund ta lexojë. Por fokusi ynë kryesor janë kushtet çnjerëzore në të cilat mbahen sot shumë persona në institucionet e vuajtjes së dënimit, veçanërisht ata me probleme shëndetësore.

Në burgjet e Durrësit, Lezhës dhe institucione të tjera ku mbahen persona me probleme shëndetësore apo me masa sigurie, kemi konstatuar kushte të papranueshme: mungesë trajtimi të duhur mjekësor, vonesa në aksesin ndaj shërbimeve shëndetësore dhe probleme serioze në trajtimin e tyre. Vetëm gjatë katër muajve të fundit kanë humbur jetën pesë persona në burgje. Dy prej tyre kanë ndërruar jetë nga arresti kardiak. Nga monitorimet që kemi zhvilluar, kemi konstatuar raste kur të burgosurve u është dashur të presin deri në dy muaj për të takuar një mjek kardiolog. Dhe dy muaj, në raste të tilla, mund të jenë diferenca mes jetës dhe vdekjes.

Në lidhje me pyetjen për “kafazin e xhamit”, nga trajtimi që ne kemi bërë, ai nuk përbën automatikisht shkelje të të drejtave të njeriut. Por përdorimi i tij duhet të vlerësohet rast pas rasti. Ai duhet të aplikohet vetëm në rastet kur ka rrezikshmëri nga personi i akuzuar, rrezik për largimin e tij, apo rrezik për sigurinë e tij dhe të të tjerëve në sallën e gjyqit. Sa i përket paraburgimeve, vëmendja sot është rritur sepse në paraburgim ndodhen edhe njerëz të pushtetshëm.

Por nuk duhet harruar se ata përfaqësojnë vetëm një pjesë shumë të vogël të personave që ndodhen sot në paraburgim. Ne, si institucion i Avokatit të Popullit, por edhe Këshilli i Europës, e kemi ngritur këtë si problematikë serioze. Sot, rreth 60% e personave që ndodhen në burgjet shqiptare nuk janë të dënuar me vendim të formës së prerë. Pra, janë në burg ndërkohë që hetimi apo procesi gjyqësor ndaj tyre ende vazhdon.

Kjo përbën shqetësim serioz për të drejtat e njeriut, sepse edhe legjislacioni shqiptar e parashikon paraburgimin si masë përjashtimore. Askush nuk duhet të mbahet në burg pa një vendim përfundimtar, përveç rasteve kur plotësohen kushtet e përcaktuara qartë nga ligji. Sot, 60 nga 100 persona që mbahen në burg ende nuk e dinë nëse janë apo jo fajtorë. Kjo situatë duhet të ndryshojë, sepse është gati trefishi i mesatares europiane.

Në Europë, më pak se 25% e personave që mbahen në burgje janë të padënuar. Ky është fokus i rëndësishëm i institucionit tonë. Pa dyshim, vëmendja e politikës dhe medias shkon shpesh te të burgosurit VIP, apo te të pandehurit e SPAK-ut, që janë pjesa më e vogël, por edhe më e zhurmshme. Megjithatë, ata zakonisht kanë avokatin e tyre dhe nuk kanë nevojë për avokatin e popullit.  Avokati i Popullit duhet të flasë sidomos për ata që nuk kanë zë" tha ai.