Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë rishikuan dje një vendim unifikues të vitit 2011 mbi masën e sigurimit të arrestit në burg dhe kohëzgjatjen e tij. Vendimi i marrë në unanimitet parashikon se kufizimi më i rëndë i lirisë personale, masa e arrestit me burg duhet të merret pasi më parë të jenë shqyrtuar realisht masat e tjera alternative.

I ftuar në Frotnline, ish-deputeti socialist Spartak Braho thekson se ky hap i Gjykatës së Lartë është tejet i dobishëm për përmirësimin e sistemit gjyqësor në Shqipëri, por shton edhe disa sugjerime.

“Nuk po ecën ashtu siç duhet edhe nga prokuroria, të tëra shkallët e prokurorive, edhe nga gjykatat. Përveç shpalljes së dënimit të fajësisë apo pafajësisë, duhet sekuestrimi i pasurisë. Janë të domosdoshme 2 gjëra, pasuria e rrjedhur nga një krim apo e fituar nëpërmjet një allishverishi apo korrupsioni, duhet të sekuestrohet dhe këtu duhet fort të përqendrohet SPAK-u, por edhe gjykatat. Dhe e dyta kam një drojë, që pas këtij vendimi mund të ketë një anim nga krahu tjetër, nga liberalizimi, sepse kështu jemi ne. Siç është formuluar vendimi i Kolegjeve është shumë i rregullt, shumë i dobishëm. Unë uroj që të zbatohet drejt”,- tha Braho.

Ish-deputeti rrëzon aludimet se vendimi i Gjykatës së Lartë është i motivuar politikisht.

“Anëtarët e Kolegjeve të Gjykatës së Lartë janë të tërë juristë me integritet, me përvojë të madhe në karrierën gjyqësore, do më vinte çudi që të çedojë si rezultat i një presioni të majtë apo të djathtë mbi ta”,- tha Braho.

Edhe Braho është kundër mbajtjes së ish-presidentit Ilir Meta në kabinën e qelqtë gjatë seancave gjyqësore. Për ish-deputetin socialist, kjo është një masë e tepërt dhe e panevojshme.

“Nuk është normale gjykimi në kafaz. Nuk është normale, nuk është kriminel. Nuk ka rrezikshmëri. Kafazet t’i mbajnë për ata që kanë vrarë dhe kanë prerë dhe që duhen të përgjigjen duke folur para kafazeve“,- tha Braho.

Përplasjet mes Edi Ramës dhe Elisa Spiropalit, për ish-deputetin socialist ishin të parashikueshme.

„Pritej ky proces në PS dhe kam përshtypjen që kjo mahisje nuk erdhi papritur, ka ardhur gradualisht. Kam parasysh që këto zëra kritikë apo ndryshe në PS kanë vite që qarkullojnë. Edhe sot e kësaj dite nuk e kuptoj pse u largua Ditmir Bushati. Edhe kjo zonja Spiropali. Aty që kanë ardhur në PS shumica e i kanë pozicionet si mjet jetese. Ne ishim idealistë”,- tha Braho.

Ndërsa monopolizimin e Partisë Demokratike nga Sali Berisha dhe përjashtimin e kandidatëve për kryetarë nga garë, Braho e quajti një turp të madh.

“Të zgjedhim kryetarin dhe s’ka garë. Qesharake. Është për të qeshur”,- tha Braho.