Incidentet në protesta/Raporti i Avokatit të Popullit apo Avokatit të Berishës?

Institucioni i Avokatit të Popullit ka zbardhur raportin e sjellë nga vëzhguesit në terren gjatë protestës së dhunshme të mbrëmjes së djeshme që u thirr nga opozita. Por në fakt më shumë se raporti i Avokatit të Popullit, duket raporti i Avokatit të Berishës dhe opozitës. Jo rastësisht, pikërisht në krye të institucionit zyrtarisht të pavarur, ndodhet Erinda Ballanca, ish- avokate personale e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe të shumë eksponentëve të Partisë Demokratike, e emëruar në atë rol me propozim të opozitës përgjatë marrëveshjes së 17 majit 2017 mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. 

Në raport mbi incidentet e djeshme Erinda Ballanca fsheh çdo referim mbi sulmet ndaj gazetarëve nga ana e protestuesve (të pranuara edhe nga Lulzim Basha), minimizon sulmet ndaj policëve dhe institucioneve të bëra me shishe molotov nga militantët e partisë, nuk permend aspak sulmet e bëra drejt një protestuesi të shtruar në spital, të rrahur nga protestues të tjerë që e akuzonin padrejtësisht se ishte një i infilturuar nga policia. Erinda Ballanca minimizon edhe ngjarjen e rëndë të plagosjes së mbi 12 policëve në krye të detyrës, ndërsa shqetësimi i saj i vetëm duket të jetë ajo mbi Sahit Dollapin, një drejtues i Partisë Demokratike, i filmuar ndërsa sulmon policët dhe më pas protagonist i një incidenti me forcat speciale. Duke ndjekur të njëjtën logjikë të Partisë Demokratike, Erinda Ballanca kritikon në mënyrë aspak profesionale, veprimet e policisë pa shpjeguar se në ç'mënyrë alternative policia do të duhej të mbronte institucionet dhe jetën e vet nga sulmet e dhunshme të demonstruesve që në të njëjtin raport përmenden.

Paanshmëria e këtij raporti të Avokatit të Popullit tregon më mirë se çdo analizë tjetër se si opozita koncepton administrimin e institucioneve që drejton duke dhunuar, si në këtë rast, edhe pavarësinë e tyre kushtetuese.


Reagimi i plotë i Avokatit të Popullit:

"Avokati i Popullit ka ndjekur dinamikën e protestës së zhvilluar mbrëmjen e djeshme si dhe vazhdimësinë e sjelljes së institucioneve ligjzbatuese gjatë procedurave të ndalimeve dhe shoqërimeve të qytetarëve të cilët janë konsideruar në shkelje të ligjit nga ana e ketyre organeve.

 Në vazhdën e zbatimit të detyrës së tij kushtetuese, Institucioni i Avokatit të Popullit me gjithë kapacitetet e kufizuara njerëzore, ka kryer me anë të katër grupeve të inspektimit që ka nxjerrë në terren monitorim përgjatë gjithë kohëzgjatjes së protestës.

 Me përfundimin e saj janë organizuar edhe grupe të tjerë specialë për të kryer inspektime në Drejtorinë e Policisë së Tiranës si dhe në Spitalin e Traumës. Janë kryer një seri konstatimesh të cilat do të reflektohen në një numër rekomandimesh për sjelljen e institucioneve ligjzbatuese dhe nivelin e garantimit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, të cilat do të paraqiten zyrtarisht.

 Gjithsesi, në funksion të transparencës për publikun, Avokati i Popullit informon si më poshtë:

 -       Avokati i Popullit vëren me shqetësim tentativën për kufizimin ana e policisë të së drejtës së tubimit me anë të vendosjes së limiteve kohore për zhvillimin e protestave. Vazhdon praktika e trajtimit të informimit të policisë për zhvillim protestash si të ishte kërkesë për t’u lejuar për të ushtruar kjo e drejtë çka është në kundërshtim me të drejtën kushtetuese të qytetarëve për tubime paqësore dhe po ashtu në kundërshtim me frymën e ligjit për Tubimet.

 -       Gjatë protestës janë konstatuar episode dhune te herepashershme ndaj institucioneve dhe forcave të rendit, për të cilat Avokati i Popullit vazhdimisht ka bërë thirrje të evitohen me çdo kusht e në çdo rrethanë.

 -       Përdorimi i shpërpjesëtuar i gazit lotsjellës si mjet për të shpërndarë protestat nga ana e policisë vazhdon të mbetet një problem shqetësues për të cilin Avokati i Popullit ngre zërin.

 -       Avokati i Popullit ka konstatuar se ende nuk tregohet asnjë kujdes që mjetet e përdorura nga policia gjatë menaxhimit të protestave, të garantojnë që mediat të kryejnë të pacënuara detyrën e tyre të raportimit. Gjithashtu, përdorimi i shkujdesur i gazit lotësjellës në vendbanime me dendësi të lartë popullsie është raportuar se ka shkaktuar shqetësime për një numër të madh familjesh dhe qytetarësh.

 -       Gjatë orëve të natës janë verifikuar një numër i madh ndalimesh (rreth 90) dhe shoqërimesh të personave pjesëmarrës në protestë të cilat po verifikohen një për një gjatë ditës së sotme brenda mandatit tonë kushtetues e një pjesë e konsiderueshme e tyre ndërkohë janë liruar.

 -       Janë konstatuar parregullsi në regjistrat e personave të shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës si dhe moskryerje të disa veprimeve proceduriale në përputhje me protokollët përkatës.

           -          Janë vizituar 12 punonjës policie të cilët po merrrnin trajtim mjekësor për lëndime të lehta, si dhe një protestues dhe një gazetar.

- Ndër efektivët e policisë të vizituar, njëri prej tyre ka referuar se është goditur në kokë me ristelën e një parrulle. Një punonjëse policie referoi se është lënduar nga gazi lotsjellës për shkak të keqfunksionimit të maskës së saj kundërgaz. Ndërsa 10 punonjës të tjerë të policisë referuan dëmtime më të lehta nga plasjet e kapsollave apo hedhjet e gurëve. Gjithsesi asnjëri prej tyre nuk ishte vlerësuar nga ekipet mjekësore si i kualifikueshëm për të marrë trajtim.

 -       Pasi specialistët e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës u ndaluan të hyjnë në spital për të vizituar qytetarin S.D. (për të cilin kishte prova publike ushtrimi dhune), Avokatja e Popullit Erinda Ballanca e ka takuar atë personalisht në spital në orët e pasmesnatës.

 -       Janë vënë re prirje për të krijuar pengesa të paarsyeshme nga ana e Policisë për përfaqësuesit e Avokatit të Popullit të cilët kanë mandat kushtetues për për të mbledhur në kohë e me efektivitet dëshmi si të të ndaluarve ashtu edhe të të lënduarve në qendra shëndetësore.

 -       Avokatja e Popullit ka konstatuar se qytetari S.D. në momentin e vizitës rezultoi se po mbahej nën kujdes korrekt shëndetësor. Ai shfaqi një gjendje të mirë psikologjike, por dëshmoi për shqetësime shëndetësore. Qytetari referoi për ushtrim dhune (gjatë dhe pas shoqërimit), shpatull të nxjerrë dhe dëmtime të llojeve të ndryshme.

  -        Masat e zbatuara nga ana e policisë së shtetit për dërgimin dhe ruajtjen e ambienteve të Spitalit të Traumës kanë qenë edhe më të ashpra sesa për ruajtjen e personave të arrestuar apo të dënuar, ndonëse ndaj qytetarit S.D. nuk ishte marrë asnjë masë arresti në flagrancë por thjesht ishte i shoqëruar.  Nga ana tjetër, punonjësve të Avokatit të Popullit u është ndaluar në mënyrë të habitshme të marrin dëshmi fotografike në spital gjatë vizitave të të lënduarve.


Lajmi kryesor:

Basha: Dhuna skenar i qeverisë, protestuesit ishin paqësorë! Le të derdhemi nesër në 18:30 në shesh


/r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb