Pas tubimit të dhunshëm që nisi në 18:30 dhe u mbyll pas mesnate me sulm ndaj institucioneve me bomba molotov, fishekzjarrë e sende të forta ndaj efektivëve të policisë, këtë mëngjes për një orë e gjysmë, opozita jokuvendore protestoi përballë Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Aty qëndrojnë të shoqëruar persona të identifikuar nga uniformat blu si pjesmarrës aktivë në sulmet e dhunshme, për të cilët kryedemokrati Lulzim Basha kërkoi të lirohen. E quajti një drejtësi të korruptuar që merr urdhra politike, ndërsa qeverinë një grusht kushtetues shteti që ka instaluar juntën në Parlament. Lideri demokrat ishte krah ish-deputetëve të PD-së, LSI-së dhe aleatëve, ndërsa mungoi në tubimin e sotëm kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi.

Basha foli për një skenar dhunë nga ana e qeverisë e policëve veshur me uniformë dhe civil, pasi sipas tij protestuesit ishin paqësorë!

Mbajtja e protestës së sotme u mor në një vendim emergjent, në një mbledhje pas mesnate në selinë blu, pas shoqërimit nga policia të sekretarit organizativ të Partisë Demokratike, Sahit Dollapit. Ai u shoqërua pasi sulmoi me sende të forta policinë tek kryeministria, dhe pati kundërshti ndaj efektivëve tek Parlamenti. Por Sahit Dollapi i cili në mbrëmje u transportua nga Drejtoria e Policisë për në Spitalin e Traumës për  shkak të lëndimeve që pësoi teksa u rrëzua duke i ikur policisë me vrap, u lirua këtë mëngjes. Kështu që protesta para policisë ndërroi kauzë duke kërkuar lirimin e protestuesve të tjerë.

Në mbledhjen e pasmesnatës në selinë blu u mor vendimi që protesta e pestë kombëtare kundër qeverisë të mbahet të hënën më 13 maj në orën 18:30 para Kryeministrisë.

"Le të derdhemi nesër në orën 18:30 në shesh në betejën për Shqipërinë si gjithë EvropaAsnjë hap pas, vetëm para. Zoti ju bekoftë", -  tha kryedemokrati para drejtorisë së Policisë së Tiranës - duke thënë se nuk do të ketë proces zgjedhor fars me qeverinë Rama.

Dje opozita jo parlamentare për më shumë se 7 orë protestoi kundër qeverisë, në një tubim të zhvendosur nga kryeministria, tek Parlamenti dhe më tej tek Drejtoria e Policisë së Tiranës dhe u përmbyll pas mesnate, në 01:30. Të treja këto institucione, së bashku me kryesinë e Kuvendit, u sulmuan me bomba molotov nga ana e protestuesve, ndërsa u dëmtuan efektivë policie që ndodheshin në rreshtat e parë të sigurisë dhe disa protestues.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:35
Incidentet në protesta/Raporti i Avokatit të Popullit apo Avokatit të Berishës?

Institucioni i Avokatit të Popullit ka zbardhur raportin e sjellë nga vëzhguesit në terren gjatë protestës së dhunshme të mbrëmjes së djeshme që u thirr nga opozita. Por në fakt më shumë se raporti i Avokatit të Popullit, duket raporti i Avokatit të Berishës dhe opozitës. Jo rastësisht, pikërisht në krye të institucionit zyrtarisht të pavarur, ndodhet Erinda Ballanca, ish- avokate personale e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe të shumë eksponentëve të Partisë Demokratike, e emëruar në atë rol me propozim të opozitës përgjatë marrëveshjes së 17 majit 2017 mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. 

Në raport mbi incidentet e djeshme Erinda Ballanca fsheh çdo referim mbi sulmet ndaj gazetarëve nga ana e protestuesve (të pranuara edhe nga Lulzim Basha), minimizon sulmet ndaj policëve dhe institucioneve të bëra me shishe molotov nga militantët e partisë, nuk permend aspak sulmet e bëra drejt një protestuesi të shtruar në spital, të rrahur nga protestues të tjerë që e akuzonin padrejtësisht se ishte një i infilturuar nga policia. Erinda Ballanca minimizon edhe ngjarjen e rëndë të plagosjes së mbi 12 policëve në krye të detyrës, ndërsa shqetësimi i saj i vetëm duket të jetë ajo mbi Sahit Dollapin, një drejtues i Partisë Demokratike, i filmuar ndërsa sulmon policët dhe më pas protagonist i një incidenti me forcat speciale. Duke ndjekur të njëjtën logjikë të Partisë Demokratike, Erinda Ballanca kritikon në mënyrë aspak profesionale, veprimet e policisë pa shpjeguar se në ç'mënyrë alternative policia do të duhej të mbronte institucionet dhe jetën e vet nga sulmet e dhunshme të demonstruesve që në të njëjtin raport përmenden.

Paanshmëria e këtij raporti të Avokatit të Popullit tregon më mirë se çdo analizë tjetër se si opozita koncepton administrimin e institucioneve që drejton duke dhunuar, si në këtë rast, edhe pavarësinë e tyre kushtetuese.


Reagimi i plotë i Avokatit të Popullit:

"Avokati i Popullit ka ndjekur dinamikën e protestës së zhvilluar mbrëmjen e djeshme si dhe vazhdimësinë e sjelljes së institucioneve ligjzbatuese gjatë procedurave të ndalimeve dhe shoqërimeve të qytetarëve të cilët janë konsideruar në shkelje të ligjit nga ana e ketyre organeve.

 Në vazhdën e zbatimit të detyrës së tij kushtetuese, Institucioni i Avokatit të Popullit me gjithë kapacitetet e kufizuara njerëzore, ka kryer me anë të katër grupeve të inspektimit që ka nxjerrë në terren monitorim përgjatë gjithë kohëzgjatjes së protestës.

 Me përfundimin e saj janë organizuar edhe grupe të tjerë specialë për të kryer inspektime në Drejtorinë e Policisë së Tiranës si dhe në Spitalin e Traumës. Janë kryer një seri konstatimesh të cilat do të reflektohen në një numër rekomandimesh për sjelljen e institucioneve ligjzbatuese dhe nivelin e garantimit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, të cilat do të paraqiten zyrtarisht.

 Gjithsesi, në funksion të transparencës për publikun, Avokati i Popullit informon si më poshtë:

 -       Avokati i Popullit vëren me shqetësim tentativën për kufizimin ana e policisë të së drejtës së tubimit me anë të vendosjes së limiteve kohore për zhvillimin e protestave. Vazhdon praktika e trajtimit të informimit të policisë për zhvillim protestash si të ishte kërkesë për t’u lejuar për të ushtruar kjo e drejtë çka është në kundërshtim me të drejtën kushtetuese të qytetarëve për tubime paqësore dhe po ashtu në kundërshtim me frymën e ligjit për Tubimet.

 -       Gjatë protestës janë konstatuar episode dhune te herepashershme ndaj institucioneve dhe forcave të rendit, për të cilat Avokati i Popullit vazhdimisht ka bërë thirrje të evitohen me çdo kusht e në çdo rrethanë.

 -       Përdorimi i shpërpjesëtuar i gazit lotsjellës si mjet për të shpërndarë protestat nga ana e policisë vazhdon të mbetet një problem shqetësues për të cilin Avokati i Popullit ngre zërin.

 -       Avokati i Popullit ka konstatuar se ende nuk tregohet asnjë kujdes që mjetet e përdorura nga policia gjatë menaxhimit të protestave, të garantojnë që mediat të kryejnë të pacënuara detyrën e tyre të raportimit. Gjithashtu, përdorimi i shkujdesur i gazit lotësjellës në vendbanime me dendësi të lartë popullsie është raportuar se ka shkaktuar shqetësime për një numër të madh familjesh dhe qytetarësh.

 -       Gjatë orëve të natës janë verifikuar një numër i madh ndalimesh (rreth 90) dhe shoqërimesh të personave pjesëmarrës në protestë të cilat po verifikohen një për një gjatë ditës së sotme brenda mandatit tonë kushtetues e një pjesë e konsiderueshme e tyre ndërkohë janë liruar.

 -       Janë konstatuar parregullsi në regjistrat e personave të shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës si dhe moskryerje të disa veprimeve proceduriale në përputhje me protokollët përkatës.

           -          Janë vizituar 12 punonjës policie të cilët po merrrnin trajtim mjekësor për lëndime të lehta, si dhe një protestues dhe një gazetar.

- Ndër efektivët e policisë të vizituar, njëri prej tyre ka referuar se është goditur në kokë me ristelën e një parrulle. Një punonjëse policie referoi se është lënduar nga gazi lotsjellës për shkak të keqfunksionimit të maskës së saj kundërgaz. Ndërsa 10 punonjës të tjerë të policisë referuan dëmtime më të lehta nga plasjet e kapsollave apo hedhjet e gurëve. Gjithsesi asnjëri prej tyre nuk ishte vlerësuar nga ekipet mjekësore si i kualifikueshëm për të marrë trajtim.

 -       Pasi specialistët e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës u ndaluan të hyjnë në spital për të vizituar qytetarin S.D. (për të cilin kishte prova publike ushtrimi dhune), Avokatja e Popullit Erinda Ballanca e ka takuar atë personalisht në spital në orët e pasmesnatës.

 -       Janë vënë re prirje për të krijuar pengesa të paarsyeshme nga ana e Policisë për përfaqësuesit e Avokatit të Popullit të cilët kanë mandat kushtetues për për të mbledhur në kohë e me efektivitet dëshmi si të të ndaluarve ashtu edhe të të lënduarve në qendra shëndetësore.

 -       Avokatja e Popullit ka konstatuar se qytetari S.D. në momentin e vizitës rezultoi se po mbahej nën kujdes korrekt shëndetësor. Ai shfaqi një gjendje të mirë psikologjike, por dëshmoi për shqetësime shëndetësore. Qytetari referoi për ushtrim dhune (gjatë dhe pas shoqërimit), shpatull të nxjerrë dhe dëmtime të llojeve të ndryshme.

  -        Masat e zbatuara nga ana e policisë së shtetit për dërgimin dhe ruajtjen e ambienteve të Spitalit të Traumës kanë qenë edhe më të ashpra sesa për ruajtjen e personave të arrestuar apo të dënuar, ndonëse ndaj qytetarit S.D. nuk ishte marrë asnjë masë arresti në flagrancë por thjesht ishte i shoqëruar.  Nga ana tjetër, punonjësve të Avokatit të Popullit u është ndaluar në mënyrë të habitshme të marrin dëshmi fotografike në spital gjatë vizitave të të lënduarve.

Ora 14:09
Pasi u la i lirë u shtrua në spital, si është gjendja shëndetësore e Sahit Dollapit


Sekretari Organizativ i Partisë Demokratike, Sahit Dollapi vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës. sipas mjekëve ai është paraqitur rreth orës 00:30 ndërsa aktualisht është në gjendje të mirë mjekësore. 

"Sahit Dollapi është paraqitur në Spitalin e Traumës në orën 00:30 të mëngjesit të 12 majit, i shoqëruar nga epiki i urgjencës. Në urgjencën e Spitalit të Traumës u krye protokolli i plotë mjekësor "- thuhet në një njoftim të Spitalit.

"Dollapi 56 vjeç, kishte dhimbje të gjymtyrëve. Nga trajtimi mjekësor, gjendja e përgjithshme shëndetësore rezultoi e mirë dhe jashtë rrezikut për jetën. Aktualisht pacienti po qëndron nën kujdesin e mjekëve", thuhet më tej në njoftim.

Ora 12:22
Fatmir Mediu: Duhet diskutim sa më i shpejtë për të mos shkuar në konflikt

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu në një pronocim për Report TV ka deklaruar se duhet gjetur një zgjidhje sa më parë për situatën politike të krijuar në mënyrë që vendi të mos shkojë në përplasje.

" Jemi sepse jemi aleatë me shqiptarët. Jemi këtu që të garanatojmë zgjedhjet të lira dhe të ndershme. Kemi një pushtet një njeri në marrdhënie koruptive . Skemi paralament as pushte gjyqsore. E ardhmja eruopiane është në pikëpytje. Jemi ktu për tu solidarizuar me shqiptaret. " ka dekalruar Mediu.

"Kur politika është nën këmbët e politikës. Ajo nuk mund të veprojë vetëm me urdhër politik, organizimi i policisë tregon dhëmbët në mënyrë brutale me Dollapin. Bënë marrdhenie dhe alenca me krimin dhe krorrupsionin në vend. Ne nuk mund të jemi si delet që rrinë e presin  kur do të shkojnë në thertore. Jam për nisjen e nje dikutim sa më të shpejte sa më të thellë për të mos shkuar në konflikt. Është e rëndësishme se 30 qershori është proces i ndërtuar nga Edi Rama. Ne po shkojmë drej një procesi farse. Është një ardhme e zezë, opozita nuk do te lejoje zgjedhje farsë. Opozita janë qytetarët. Kta qytaetarë duhet të marrin pjese. Duhet gjetur gjuha të zgjedhjeve te ndreshme. Të cilët padyshim duhet të flasin më fortë.
" ka thënë Mediu.

Ora 12:19
Basha: Dhuna skenar i qeverisë, protestuesit ishin paqësor! Le të derdhemi nesër në 18:30 në shesh

Protesta më e madhe për liri, demokraci, kushtetutë dhe shtet të së drejtës e quajti Lulzim Basha tubimin e një dite më parë të opozitës jokuvendore. Nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, lideri demokrat tha se dhuna në protestë ishte skenar i qeverisë pasi protestuesit sipas tij ishin paqësore.

Një deklaratë e çuditshme kjo kur protesta ishte në transmetim direkt në media, dhe ku u pa se protestuesit në momente të vazhdueshme në grup me njëri-tjetrin hodhën bomba molotov ndaj kryeministrisë, kryesisë së kuvendit, parlamentit dhe drejtorisë së Policisë ku mbrëmë u zhvendos protesta.

Basha tha se kjo qeveri do ta marrë përgjigjen nesër në protestën e pestë kombëtare që do të mbahet sërish para kryeministrisë në orën 18:30. Për personat e shoqëruar tek Drejtoria e Policisë, Basha tha se ata nuk do të qëndrojnë aty dhe nuk do të përballen me drejtësinë që sipas tij merr urdhra politikë. "ne do t'i çlirojmë ata", tha lideri i Partisë Demokratike.

"Gjithë rrugët e Tiranës u mbushën nga dozat luftarake të gazit helmues dhe lotsjellës që ishte akti kriminal me të cilin kjo juntë kriminale i përgjigjet aspiratës së bashkuar të shqiptarëve për liri. E kanë të kotë, shqiptarët dhe opozita nuk ndalen. Javë pas jave, muaj pas muaji që nga dita kur Rama e mori pushtetin me bandat e krimit, është asgjësuar çdo institucion. Parlamenti ishte i pari që ra, sot ulen figurina që janë zgjedhur me duart dhe babëzinë e krimit të oligarkëve. Ata nuk përfaqësojnë demokratët, por faqen e zezë, llumin e këtij vendi që e ka marrë peng. Nga parlamenti i krimit ka dalë një qeveri e krimit me në krye njeriun më të korruptuar, më mashtrues, dhe më të pashpirt, që i ka vënë shkelmin në fyt shqiptarët dhe ka ulur në tavolinën e babëzisë kriminelët. E gjithë Shqipëria e bashkuar kundër një grushti horrash dhe kriminelësh, që kanë instaluar përmes një grushti kushtetues shteti juntën në parlament. Maduro i Ballkanit i ka orët e numëruara. Skenari i dhunës dje me kriminelë të veshur me uniformë në turmën e protestuesve paqësore, i shërbeu Edi Ramës për të treguar para botës se i vetmi njeri i interesuar për dhunë është Maduro i Ballkanit i cili do të marrë përgigjen e plotë nesër nga shqiptarët e bashkuar. Ndalimi i Sait Dollapi mesazh mafie për të trembur shqiptarët, por do të marrë përgjigje nesër. Asnjë nga bijat dhe bijtë tanë nuk do të qëndrojë në kthetrat e tyre, e drejtësisë së kapur që merr urdhra politikë. Ne do t'i çlirojmë ata. Kurrë nuk ka qenë më e qartë zgjedhja, o me juntën kriminale, o me popullin e bashkuar për liri dhe demokraci. Falenderoj nga zemra qytetarët që na janë bashkuar në këtë betejë jo për pushtet, por për të mbyllur tranzicionin, për të larguar Ramën, për të vënë në vend kushtetutën përmes një qeverie tranzitore. Dhunuan dje studentët e ardhur nga Evropa, vetëm se ishin në krahun e opozitës së bashkuar", tha Basha.

"Në qeli duhet të jenë kriminelët që vodhën zgjedhjet", tha Basha, duke kërkuar lirimin e protestuesve të shoqëruar. "Kjo ditë do të vijë kur të kemi një drejtësi të çliruar nga krimi - theksoi kryeopozitari.

 Basha theksoi edhe një herë mesazhin se kjo betejë nuk bëhet për pushtet.

"Pushteti dhe karrigia nuk i takon asnjë partie politike, do ta vendosë populli me votë të lirë dhe të ndershme. Junta do të cmontohet dhe do të cohet para drejtësisë. Orët vendimtare të demokracisë shqiptare po trokasin, nuk ka më vend për hamendësim. Le të derdhemi nesër në orën 18:30 në shesh në betejën për Shqipërinë si gjithë Evropa. Asnjë hap pas, vetëm para. Zoti ju bekoftë", -  tha kryedemokrati - duke thënë se nuk do të ketë proces zgjedhor fars me qeverinë Rama.

Ora 12:10
VIDEO-Ç'ndodhi me Sahit Dollapin! Sulmi ndaj policisë, rrëzimi me këmbët e tij dhe përfundimi në spital /KRONOLOGJIA

Sekretari Organizativ i Partisë Demokratike, Sahit Dollapi është liruar nga policia, pas shoqërimit dje tek Parlamenti gjatë zhvillimit të protestës së dhunshme të opozitës përreth 7 orë. Sait Dollapi është ende në Spitalin e Traumës, por pranë tij nuk ndodhet më asnjë efektiv policie, pasi është lënë i lirë.

Mbrëmë pas mesnate spitali ishte i rrethuar me forca policie, pasi Sahit Dollapi u shoqërua fillimisht tek Drejtoria e Policisë së Tiranës, por më pas për shkak të lëndimeve që mori gjatë protestës, ai u transportua në spital.

Gjatë protestës së mbrëmshme, kryedemokrati Lulzim Basha thirri një mbledhje të jashtëzakonshme ku u mor vendimi për të shkuar para Drejtorisë së Policisë së Tiranës për të kërkuar lirimin e Dollapit.

Ish-drejtuesi i OSSH dhe OSHEE, në kohën e qeverisjes së së PD, tashmë mban funksionin Sekretar Organizativ të Partisë Demokratike.

Pamjet filmike të Report Tv treguan Sahit Dollapin, në orët e para të protestës para godinës së Kryeministrisë. Në të njëjtën kohë që kryetari i tij u drejtohej militantëve nga podiumi para kryemnistrisë, Sahit Dollapi u filmua teksa sulmoi me sende të forta efektivët e policisë në kordonin e parë para godinës. Më tej Sekretari Organizativ i PD-së, u shfaq me maskën anti-gaz në fytyrë para Parlamentit ku sërish kushte shpërthyer dhuna nga militantët me bomba molotov dhe fishekzjarrë.

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, i kërkuan Sahit Dollapit të hiqte maskën për tu identifikuar, por sekretari organizativ i PD-së debatoi me efektivin dhe më tej vrapoi, çka bëri që forcat e tjera policore ta ndiqnin duke e shoqëruar në polici. Gjatë momentit të vrapimit për t'i ikur policisë, Sahit Dollapi u rrëzua ku pësoi edhe lëndime në shpatull, prej të cilave u transportua shoqëruar nga Policia në Spitalin e Traumës. Edhe vetë presidenti Ilir Meta që më herët në reagime të njëpasnjëshme i drejtohej organizatorëve për qetësi, shoqërimin e Dollapit e quajti absurd duke thënë se ai duhej të ishte në spital dhe jo në polici.

Ora 11:51
Kryemadhi 'braktis' protestën tek Drejtoria e Policisë, kryedemokrati çon gruan...dhe mesazhi për 'paqe' (VIDEO)

Vetë lideri demokrat Lulzim Basha teksa vizitoi këtë mëngjes Sahit Dollapin, sekretarin organizativ të PD-së, që u shoqërua mbrëmë nga policia dhe u lirua sot, tha se do të ishte në protestën e opozitës jokuvendore para Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Por teksa protesta nisi që në 11:00, atje ndodhej bashkëshortja e liderit të opozitës, Aurela Basha, ndërsa kryedomokrati ju bashkua një orë më pas. Por në protestë mungoi kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi. Para Drejtorisë së Policisë ishin aleatët dhe ish-deputetë të PD-së dhe LSI-së.

Mbrëmë në nisje të protestës Aurela Basha mbërriti me bashkëshortin e saj në selinë blu, por në marshimin drejt kryeministrisë ajo nuk ishte e pranishme duke mos ju bashkuar në asnjë moment protestës që shpërthur në dhunë dhe sulme me bomba molotov ndaj institcioneve.

Mungesa e saj ishte një paralajmërim për dhunën që shpërtheu, pasi në radhët kur ka qenë krah kryedemokratit Basha në marshim dhe gjatë protestës, dhuna nuk është përshkallëzuar në të tilla përmasa si mbrëmë në tubimin përreth 7 orë që u mbyll pas mesnate.

Ora 11:24
Ish-deputetja e LSI: Dhuna e policisë ndaj protestuesve është e patolerushme

"Është e patolerueshme dhuna e ushtruar nga policia ndaj protestuesve", kjo ka qënë deklarata e ish-deputetes së LSI, Silva Cakaj për Report Tv. Ajo ndër të tjera ka thënë se do të qëndrojnë në protestë deri me largimin e kryeministri Edi Rama.

"Është një protestë e organizuar në mënyrë spontante. Kriminaliteti i policisë ndaj protestuesi ka qënë i patolerushëm. Ka qënë e tmerrshme për personat që jetojën përreth. Nuk kanë taksirat banorët për sasine e gazit të hedhur, ka qën kriminale dhe e pakrontrolluar. Nuk mund të sillesh në këtë mënyrë. Eshte e  pafalshme. Protesta e sotme është e justifikuar. Edhe ajo e ditës së hënë më  18:30   eshtë e  justifikuar. Do të qënrdojmë këtu deri kur të largohet Rama. Kam përshtypjen që ka protestues që mbështesin LSI PD dhe qytetarë të lirë.  Kjo është një gjë me pak rëndësi janë shqiptarë dhe kanë pakqanqësi. Eshte e padiskutueshme që dhuna e ushtruar nuk është proporcionale me aktet e protestuesve. Kjo është shumë shpirtrëtore nga ana e protestuesve. Nuk thuhet nga ne as LSI e PD po thuhet nga njerez të protestave dhe dhuna eshte e patolerueshme." ka thënë në fjalën e saj Cakaj.

Ora 11:22
Balliu i PD-së: Tërhiqeni zvarrë Ramën. Zjarr e benzinë për të shpëtuar Shqipërinë

Pamje nga protesta dje

Ditën e sotme opozita joparlamentare ka dalë sërish në protestë përpara Drejtorisë së Policisë. I pranishëm në këtë protestë ka qënë edhe ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu, i cili ka thënë se opozita nuk do të ndalet dhe do të përdorë çdo mjet për të rrëzuar qëverinë.

"Ajo që ka rëndësi është se kta banorë kanë dal në mbështetje të protestueseve. Ata janë dhunur si me Sait Dollapin. Ata janë dhunuar me urdhër të Edi Ramës. Deklarata më e turpshme është deklarata e Edi Ramës për të ushtruar opozitën. Nëse Edi Rama grushtëon, grushtim do të gjejë.  U bëj thirrje shqiptarëve ta marrin zvarrë dhe ta hedhin në koshin e plehrave" ka thënë Balliu.

"Dje Edi Rama nuk sulmoi thjeshtë opoiztën dje Edi Rama kërkonte luftë më qytetarët shqiptarë dhe tani të presi përgjigjen . Opozita do të bëjë gjithcka me çdo mjet me çdo mënyrë. Cdo mjet dhe çdo mënyrë! Zjarr benzin për të shpëtuar Shqipërinë. Këtu nuk bëhet fjalë për karrige. Duhet të grushtohet Edi Rama për fatin që i ka lënë qytetarët pa lek në xhep." ka përfunduar ai.

Ora 11:22
Nis protesta e opozitës tek Drejtoria e Policisë së Tiranës (VIDEO)

Ka nisur tek Drejtoria e Policisë së Tiranës protesta e opozitës paralajmëruar pas mesnate për të kërkuar lirimin e personave të shoqëruar gjatë tubimit të dhunshëm të opozitës. Në fakt protesta u lajmërua në përgjigje të shoqërimit të sekretarit organizativ Sahit Dollapi, por ai u lirua nga policia dhe aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës ku po merr mjekim nga lëndimet që pësoi gjatë tubimit dhe momentit të shoqërimit kur i iku me vrap policisë para Parlamentit teksa planin bomba molotov të hedhura nga protestuesit.

Në protestë janë edhe aleatët e PD-së dhe LSI-së, Fatmir Mediu i Repubikanes, Vangjel Dule i PBDNJ-së, aleatë të tjerë dhe ish deputetë.

Ora 10:44
Basha viziton sërish Sahit Dollapin: Po e mbajnë mjekët nën kontroll, protestë tek Drejtoria e Policisë

Pamje nga protesta dje

Kreu i Partisë Demokratike ka vizituar sërish në spitalin e Traumës, Sekretarin Organizativ të Partisë Demokratike, Sahit Dollapi. Kjo është vizita e dytë që kreu i PD-së i bën Sahit Dollapit në spital që nga lirimi i tij nga komisariati i policisë pasi u shoqërua për akte dhune në protestë.

Ndërkohë në një deklaratë për mediat kryeopozitari Basha ka thënë se do të riorganizohet sërish një protestë para Drejtorisë së Polcisë në Tiranë.

"Një natë pa gjumë për shkak të asaj që na bënë. Mjekët Sahitin po e mbajnë nën kontroll. Do të ketë përsëri protestë tek Drejtoria e Policisë." ka thënë Basha në një deklaratë për media.

Ora 10:32
Kryeprokurorja, Arta Marku 'kokë më kokë' me Ramën pas protestës së dhunshme


Kryeprokurorja, Arta Marku ka takuar kryeministrin Edi Rama një ditë pas protestës së dhunshme të thirrur nga opozita e vendit. Kjo lëvizje mendohet se vjen pas akteve të dhunës që shpërthyen në protestë, ku simpatizntët e PD dhe të LSI hodhën bomba molotov, kapsolla dhe mjete të tjera priroteknike ndaj institucionit të Kryeministrisë, Kryesisë së Kuvendi dhe Drejtorisë së Policisë si dhe u konfrontuan dhunshëm me policinë e shtetit.

Mësohet se veç kryeprokurores, Arta Marku, në takim ka qenë i pranishëm edhe kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Heldion Bendo, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Ora 09:25
Basha viziton në 2 të mëngjesit Sait Dollapin tek Trauma: Do gjejmë urdhëruesin e arrestimit politik (VIDEO)

Rreth orës 02 të mëngjesit të së dielës, lideri demokrat Lulzim Basha, ish deputetët e tij, dhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, shkuan në spitalin e Traumës. Kryetari i PD-së Lulzim Basha, ta se Sait Dollapi, sekretari organizativ i PD-së ndodhet në gjendje të stabilizuar, por theksoi se ai nuk ka bërë asnjë akt dhune ndaj policisë që të shoqërohej.

Sipas Bashës, Sait Dollapi ka qenë duke ndihmuar një gazetare të cilës i kishte rënë të fikët. Shefi i opozitës jokuvendore, tha se në policinë e Tiranës janë me qindra të shoqëruar të cilët sipas tij janë dhunuar nga policia, dhe për këtë arsye në 11:00 PD dhe LSI do protestojnë sërish edhe tek Drejtoria e Policisë së Tiranës.

"Ka nxjerrë shpatullën, ka plagosje në këmbë. Ka qenë duke tërhequr një gazetare që i kishte rënë të fikët kur ju vursulën. Arben Baro është urdhëruesi i fundit, do të shkojmë deri tek urdhëruesi i parë. Do ta paguajnë shumë shtrenjtë. Saiti ka qenë gjithmonë me duart lart para policëve për t'i mbrojtur. Nuk ka pasur arsye tjetër, vetëm me urdhër politikë.

Ka afro 100 të tjerë të shoqëruar dhe të dhunuar, në 11:00 para Drejtorisë së Policisë", tha kryedemokrati Basha.