Institucioni Avokatit të Popullit ka publikuar dhe ka dorëzuar në Kuvend raportin vjetor 2025, mbi gjendjen e respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut.

Gjatë vitit 2025, Avokati i Popullit regjistroi 1,593 ankesa, dha 3,667 këshillime, nisi 214 raste me iniciativë dhe kreu 101 inspektime. Hetimi administrativ përfshiu 1,911 raste, përfshirë çështje të reja dhe të mbartura nga vitet e mëparshme. Nga këto, 773 raste u zgjidhën pa qenë e nevojshme dhënia e një rekomandimi formal, ndërsa në 309 raste Avokati i Popullit iu drejtua institucioneve me rekomandime konkrete.

“Sipas fushës së të drejtës, numri më i lartë i rasteve u përqendrua në cilësinë dhe barazinë e shërbimeve publike (256 raste), procesin e rregullt ligjor (242 raste), të drejtën e pronës (181 raste), të drejtat e fëmijëve (251 raste), të drejtën për arsim (136 raste), mbrojtjen sociale dhe ndihmën ekonomike (121 raste). Kjo shpërndarje e çështjeve të trajtuara konfirmon se cenimi i të drejtave në Shqipëri vijon të lidhet ngushtë me cilësinë e administrimit publik, funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe ofrimin e shërbimeve bazë për qytetarët”,-thuhet në raport.

Analiza e përgjithshme e këtyre të dhënave nxjerr në pah disa tendenca për vitin 2025:

•           Cenimi i të drejtave të qytetarëve lidhet kryesisht me cilësinë e administrimit publik, funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe ofrimin e shërbimeve bazë;

•           Problematikat e marra për shqyrtim nga Avokati i Popullit kanë natyrë të përsëritur dhe sistemike, duke u shfaqur në fusha të ndryshme, por në forma të ngjashme;

•           Ndërhyrjet korrigjuese të Avokatit të Popullit prodhojnë rezultate kryesisht në raste individuale, por nuk përkthehen në mënyrë të qëndrueshme në ndryshim të praktikave administrative.

“Një nga treguesit më domethënës të vitit 2025 mbetet niveli i përgjithshëm i zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit, në masën rreth 21%. Ky tregues nuk pasqyron thjesht një nivel të pamjaftueshëm të ndjekjes së rekomandimeve, por evidenton në praktikë disa problematika strukturore në mekanizmat e llogaridhënies dhe kontrollit administrativ”,-citohet në dokument.

Në këtë drejtim, analiza e praktikës vjetore të Avokatit të Popullit tregon se:

•           Rekomandimet shpesh pranohen nga institucionet vetëm në mënyrë formale, pa u shoqëruar me masa konkrete zbatimi;

•           Institucionet kanë tendencë të mos reagojnë kur rekomandimet kërkojnë ndryshime strukturore, ndërhyrje normative ose alokim burimesh financiare;

•           Mungojnë mekanizmat efektive për ndjekjen dhe verifikimin e zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit;

•           Niveli i reagimit institucional ndaj rekomandimeve është më i ulët në nivel vendor dhe në institucionet me burime të kufizuara financiare.

“Për rrjedhojë, ndikimi i rolit kushtetues të Avokatit të Popullit mbetet kryesisht i kufizuar në korrigjimin e rasteve individuale, ndërsa institucionet nuk arrijnë të përkthejnë rekomandimet në ndryshime të qëndrueshme të praktikës administrative, duke lënë të paprekura shkaqet që prodhojnë shkelje të përsëritura. Në praktikë, kjo do të thotë se shkeljet e konstatuara trajtohen rast pas rasti, pa u adresuar në nivel sistemi, çka lejon riprodhimin e tyre në mënyrë të vazhdueshme”,-thotë raporti.

Në këtë kontekst, ekziston një mundësi e qartë për Kuvendin e Shqipërisë që, në ushtrim të funksionit të tij kushtetues të mbikëqyrjes parlamentare, të forcojë ndjekjen dhe zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit përmes kërkesës për raportim, shqyrtimit në komisionet përkatëse dhe vendosjes së mekanizmave të llogaridhënies institucionale.

“Asnjë nga këto objektiva nuk mund të realizohet pa mbështetjen tuaj, si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, dhe pa rolin tuaj mbikëqyrës ndaj administratës publike. Prandaj, shpresoj ta lexoni këtë raport jo si një listë ankesash, por si një plan pune se si mund të ndërtojmë një shtet evropian. Po të doni shikojeni edhe si një pasqyrë ku shteti ynë sheh vetveten një here në vit. Sigurisht, as me synimin për ta thyer pasqyrën, dhe as për t’u bërë makijazh problemeve, por me synimin e vetëm për ta ndryshuar rrënjësisht imazhin e shtetit tonë,”-u shpreh Avokati i Popullit, Endrit Shabani në mesazhin drejtuar deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

 

Kliko këtu për të lexuar raportin e plotë