Avokati i Popullit reagon për protestën: Nuk pajtohemi me asnjë akt dhune

Avokati i Popullit reagon për protestën: Nuk pajtohemi me asnjë akt dhune

Protesta e13 prillit e organizuar nga partitë opozitare në vend pati në disa raste tensione ku nuk mungoi dhuna dhe përplasja e protestuesve me policinë.  Nga ana e protestuesve janë konstatuar dhjetra persona të cilët kanë hedhur bojë, perime, shashka, kapsolla e sende të forta ndaj godinës së Kryeministrisëm Kuvendit e ndaj forcave të rendit. Këta të fundit janë përgjigjur me gaz lotjsellës që është hedhur herë pas here për të shpërndarë turmën.

Në lidhje me këto akte dhune dhe reagim të policisë me gaz lotjsellës ka reaguar edhe Avokati i Popullit. Ky institucion ka deklaruar se nuk pajtohet me asnjë akt dhune çfarëdo shkalle apo natyre të drejtuara ndaj individit, institucioneve shtetërore apo pronës private.


Reagimi i plotë:

AVOKATI I POPULLIT RAPORTON MBI PROTESTËN E DITËS SË DJESHME DHE ARRESTIMET PAS PËRFUNDIMIT TË SAJ

Institucioni i Avokatit të Popullit ka vëzhguar me vëmendje edhe protestën e mbrëmjes së djeshme ashtu si edhe çdo protestë tjetër të mëparshme javët e fundit. Mandati i Avokatit të Popullit shtrihet mbi veprimtarinë e autoriteteve shtetërore e konkretisht të forcave të rendit për të verifikuar zbatimin me rigorozitet prej tyre të legjislacionit në fuqi e per te garantuar mbrojtjen e te drejtave te njeriut.

Ekipe monitoruese të Avokatit të Popullit kanë qenë në terren prej orës 18.00 deri në përfundim të protestës për të parë dhe dokumentuar nga afër çdo zhvillim.

Avokati i Popullit ka konstatuar se protesta është zhvilluar përgjithësisht në mënyrë paqësore dhe se episodet e dhunës apo të kundërshtimit të forcave të policisë nga ana e protestuesve kanë qenë në një shkallë të menaxhueshme. Por pavarësisht sa më sipër Avokati i Popullit nuk pajtohet me veprime të dhunshme të çfarëdo shkalle apo natyre të drejtuara ndaj individit, institucioneve shtetërore apo pronës private.

Sikurse është parë edhe në protesta të tjera edhe në vende të ndryshme të Europës, disa akte të kufizuara por të dënueshme dëmtimesh janë konstatuar në disa godina isntitucionesh por edhe prona (makina apo qepena dyqanesh) të individëve privatë jashtë institucioneve ku po protestohej, ndërsa u vu re se grupe qytetarësh kanë çarë kordonin policor për të përdorur shkallët e godinës së kryeministrisë si tribunë për të brohoritur.

Avokati i Popullit megjithatë, edhe kësaj radhe gjen rastin të bëjë thirrje ndaj autoriteteve shtetërore që të garantojnë të drejtën kushtetuese të qytetarëve për tubim paqësor, pa e kufizuar këtë të drejtë në asnjë mënyrë, as të drejtpërdrejtë e as të tërthortë.

Gjithashtu, Avokati i Popullit shpreh shqetësimin që sjelljet e jashtëligjshme apo të dënueshme të individëve apo grupimeve të vogla e të veçuara, vazhdojnë të përdoren si pretekst nga ana e institucioneve tona ligjzbatuese për të kufizuar të drejtën për tubim, edhe për qytetarët e tjerë të papërfshirë në shkelje ligjore.

Për përdorimin e gazit lotsjellës apo përbërësve të tjerë irritues vazhdon te mos bëhet publik protokolli apo manuali i hetueshëm i përdorimit, me anë të të cilit rregullohen specifikisht rastet kur ai mund të përdoret, sasia, shpeshtësia, dendësia dhe lloji i tij.

Për këtë arsye, mbetet në gjykimin subjektiv të opinionit dhe pjesëmarrësve në protesta, të vlerësojnë se përdorimi i gazit lotsjellës jo vetëm që vazhdon të jetë në shpërpjesëtim me shkallën e rrezikshmërisë që paraqet turma e protestuesve, por ai është shndërruar tashmë në një instrument të preferuar për pengimin e vetë së drejtës kushtetuese të qytetarëve për tubim paqësor.

Përdorimi në masë i gazit lotsjellës përveçse është konstatuar nga grupet në terren është raportuar me shqetësim edhe nga një numër gazetarësh dhe përfaqësuesish të pavarur të medias, si kufizues për ushtrimin e detyrës së tyre në raportimin e protestës.

Ekipet e gazetarëve kanë raportuar se Policia e Shtetit në vazhdimësi ka vazhduar të përdorë metoda të ndryshme për t’i dekurajuar apo shmangur ata nga pasqyrimi i ngjarjeve. Në të paktën një rast është raportuar se ekipet e përfaqësueve të medias janë goditur edhe me ujë të pompuar apo mjete të tjera të rezervuara për përdorim në raste kur grupime të dhunshme protestuesish kërcënojnë sigurinë publike.

Trajtimi i medias dhe gazetarëve si një kërcënim i sigurisë publike, konsiderohet nga Avokati i Popullit si një nga sinjalet më shqetësuese për një situatë ku liria e shtypit është vënë në dyshim.

Përfaqësues të Avokatit të Popullit gjithashtu kanë mbledhur të dhëna në lidhje me një numër ndalimesh dhe shoqërimesh të pjesëmarrësve në protestë pas përfundimit të saj. Ka informacione se disa nga shoqërimet e qytetarëve janë kryer pa ndonjë arsye të posaçme duke krijuar një psikozë se pjesëmarrja në tubime është e kundraligjshme.

Përgjatë gjithë ditës së sotme, tre grupe të Avokatit të Popullit kanë marrë takime me të gjithë të ndaluarit e ndodhur në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, si dhe komisariateve nr.1, nr.2, nr.3 dhe nr.6.
Në Drejtorinë e Policisë së Tiranës është vënë kontakt me 2 shtetas të shoqëruar dhe 16 të arrestuar. Asnjë nga këta shtetas nuk ka pranuar të ketë kryer veprime aktive gjatë protestës apo të kenë dëmtuar pasuri. Në deklarimet e tyre ata pohojnë se kanë qenë pjesëmarrës në një protestë për të drejtat e tyre dhe në mbështetje të subjektit politik që e organizon. Kryesisht të arrestuarit janë në moshë të re, por ka edhe persona të moshuar. 
Dy vëllezër të shoqëruar nga Miloti deklarojnë se nuk u është komunikuar arsyeja e shoqërimit. Pas kontaktit të Avokatit të Popullit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ata janë shoqëruar fillimisht në Komisariatin e Policisë nr.1 dhe më pas janë liruar.
Në ambientet e ndalimit të DVP Tiranë është vënë re mes të arrestuarve një shtetas 19 vjeçar, nga Fushë-Kruja, me probleme mendore. Njëri nga të arrestuarit ka kërkuar në vazhdimësi të komunikonte me familjen e tij, pasi kishte tre fëmijë të vegjël, por kjo nuk u lejua nga Policia as pas ndërmjetësimit të Avokatit të Popullit. 
Në ambientet e Komisariatit të Policisë nr.1 është kontaktuar shtetasi A.G, i cili paraqitej me shenja të dukshme dhune në trup. Është marrë deklarimi i tij si dhe janë dokumentuar shenjat e dhunës. Sipas tij është ushtruar dhune fizike nga disa efektivë të komisariateve të Policisë nr.1 dhe nr.4. Po ashtu ai deklaron se i është mohuar trajtimi ushqimor. Qytetari ankohet për dhembje në të gjithë trupin dhe nga mjekët i është komunikuar se ka shembje. 
Shtetasi në fjalë është shoqëruar fillimisht në komisariatin nr.4, pastaj po mbrëmë me insistimin e një mjeku është dërguar në spitalin ushtarak, ku ai deklaron se është mbajtur i lidhur me pranga ndërkohë që merrte trajtim mjekësor. Pamje ku ky qytetar shfaqet i lidhur me pranga në shtratin e spitalit janë publikuar edhe në disa rrjete sociale. Ky shtetas ka qenë me statusin e personit të shoqëruar gjatë kohës që ndodhej në spital dhe se vendimi i marrjes së masës së arrestit në flagrancë është marrë dhe i është komunikuar vetëm në orën 2 pas mesnate. 
Avokati i Popullit, në linjë me qëndrimet dhe interpretimet që Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut i bën Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, konstaton se mbajtja e të dënuarve (e aq më pak e të shoqëruarve) të lidhur me pranga në kushte spitalore përbën një rast te trajtimit denigrues e çnjerëzor në kuptim të kësaj konvente dhe do të kërkojë marrjen e masave energjike dhe të menjëhershme për nxjerrjen e përgjegjësisë për këtë rast pas rekomandimeve të mëparshme për raste të tjera të ngjashme e të bëra publike.
Gjithashtu gjatë vizitës në spital përfaqësuesit e Avokatit të Popullit kanë kontaktuar qytetarin A.K. i cili shpjegoi se ishte tërhequr zvarrë nga punonjësit e FNSH 30-40 metra duke u ofenduar në vazhdimësi prej tyre. Ai deklaroi se ishte goditur me grushta, shkelma dhe me shkopinj në pjesë të ndryshme të trupit dhe ankohej edhe për dhimbje të veshit të djathtë. Avokati i Popullit ka marrë në administrim foto të dëmtuarit dhe të kartelës.
Në Komisariatin nr.6 ishin të arrestuar 5 persona së bashku me shtetasin A.K ku ky i fundit ishte pyetur jo nën hetim por si person që kishte dijeni për ngjarjen. Në komisariatin nr.3 janë konstatuar 8 persona të arrestuar dhe është marrë dokumentacioni. Në komisariatin nr.2 janë konstatuar 4 persona të arrestuar por ndër ta veçohen 2 persona, një nga të cilët me prapambetje mendore dhe motorike ndërsa tjetri me insuficiencë renale.
Të ndaluarit apo arrestuarit e tjerë nuk patën pretendime për trajtim të papërshtatshëm prej forcave të policisë veç disa raportimeve sporadike. Përfaqësuesit e Avokatit të Popullit kanë kërkuar të vihen në kontakt edhe me përfaqësues të forcave të rendit të cilët u raportuan të lënduar gjatë protestës, por në momentin e vizitës në spital nuk ishte i pranishëm asnjë prej tyre.

Sa më sipër janë konstatime paraprake të cilat do të verifikohen gjatë hetimit e në përfundim do të paraqiten rekomandimet përkatëse.

Avokati i Popullit mbetet i dedikuar që të raportojë me paanësi dhe rigorozitet profesional mbi marrdhënien mes së drejtës së qytetarëve për të protestuar në tubime paqësore dhe menaxhimit nga ana e institucioneve tona shtetërore të ruajtjes së rendit publik pa e cënuar këtë të drejtë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Vertet?!: 14/04/2019 23:12

    Kush eshte z.Avokat i popullit=Znj=Ballanca=Av.e Lulzim Bashes=shoqja e ngushte e Argita Berishes!?Kjo znj.Multi Milionere,

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI