Institucioni i Avokatit të Popullit ka apeluar këtë të martë për rishikimin e tarifave të studentëve nga shtresat sociale në nevojë.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Institucioni i Avokatit të Popullit ka bërë me dije se prej dy vitesh kërkon që të përgjysmohen ose të hiqen tarifat e studimit për kategoritë e studentëve që vijnë nga shtresat sociale në nevojë, pasi qysh prej nisjes së zbatimit të ligjit të ri të arsimit ka marrë ankesa të shumta nga studentë dhe familjarë të cilët kërkojnë lehtësimin e barrës së pagesave.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka theksuar se ligji i ri nuk ka marrë në konsideratë zbatimin e atyre politikave në fuqi, të cilat shërbejnë për lehtësimin e këtyre kategorive nga pagesat e tarifave. E për këtë arsye, iu ka dërguar rekomandime të njëpasnjëshme Ministrisë së Arsimit, Universitetit të Tiranës e po ashtu edhe Universitetit të Elbasanit, përgjatë viteve 2017-2018.

Në deklaratë cilësohet se pavarësisht kërkesave dhe rekomandimeve, përgjigjet kanë qenë sipërfaqësore dhe të përgjithshme. "Në disa raste, kërkesat tona janë injoruar plotësisht dhe vetëm në dy raste individuale është marrë në konsideratë ulja e tarifës për studentët ankues. Nuk ka pasur një qëndrim pozitiv nga ana e institucioneve për të miratuar një politikë të qëndrueshme në lidhje me këto grupe vulnerabël të shoqërisë në linjë me të drejtat e tyre të miratuara në ligjet specifike që rregullojnë të drejtat e tyre", shkruhet më tej në deklaratë.

Avokati i Popullit ka apeluar që të marrë fund praktika e neglizhimit të rekomandimeve, si dhe u kërkon autoriteteve arsimore që sa më parë të dëshmojnë me veprime konkrete vullnet për plotësimin e rekomandimeve të dërguara nga Avokati i Popullit në lidhje me kategoritë e studentëve që vijnë nga shtresat sociale në nevojë.