Në cilat fusha, soti Papajani, sipërmarrja dhe qytetarët-tatimpagues kanë më shumë nevojë për ndihmën, këshillën dhe orientimin tuaj si Avokat i Tatimpaguesve?
Pyetje me vend. Janë kryesisht fushat ku edhe kontakti administratë/biznes është më influent. Është pikërisht problematika e krijuar në marrëdhënie të tilla nga funksioni kontrollues i administratës, qoftë ai operacional, qoftë territorial. Dhe është logjike që në këtë sistem fiskal, të ngritur mbi parimet e vetëvlerësimit, roli kundërparti i administratës konsiston kryesisht në funksionin kontrollues të saj.
Do të doja të shtoja faktin që ende nuk sigurojmë mbrojtje (këshillime kemi dhënë e do të japim) për tatimpaguesit e taksave vendore të biznesit të vogël, që administrohen nga pushteti vendor. Në fakt, ky grup i madh e ka të nevojshme ndihmën dhe, me implementimin e inciativave të para fiskale të programit qeverisës, ky handikap do të zgjidhet.
Mediat disa herë kanë nënvizuar me shqetësim se specialistët më të zotë tatimorë kanë ngelur shumë pak në sistemin tonë fiskal. Ata, ose janë marrë nga sektori privat, ose kanë emigruar, në mungesë të nxitjeve për të qendruar nga strukturat tona shtetërore. Cili është mendimi juaj për qasjen e deritanishme ndaj burimeve njerëzore në Tatimet shqiptare?
Është pikë problematike. Personalisht, këtë mungesë e kam ndier vetë mbi supe. Është fakt që janë të rrallë specialistët e mirëfilltë, të kompletuar edhe përsa i takon nivelit cilësor profesional, por edhe atij etik, deontologjik, që, për tatimet tona, është me rëndësi jetike. Vazhdimisht, në kohëra të ndryshme, specialistët janë larguar, janë demotivuar, janë anashkaluar.
Për ne ky është problem serioz, se i kemi të paktë dhe, në fakt, duhet t’i ruajmë e kultivojmë si ujët e pakët. Këta quhen fiskalistë në zhargonin tonë dhe jo të gjithë ata marrin një pagesë në institucion. Qasjet e reja duhen të bëhen në bazë të këtyre kërkesave, për të krijuar një bazë solide e të lartësuar administrate.
Më mirë të mbeten disa a shumë vende bosh në këtë administratë, se sa të plotësohet me shpejtësi vetëm e vetëm se duhen plotësuar numrat. Nuk ka numërorë për ata që sigurojnë mbushjen e buxhetit të shtetit. Nëse do të kemi një administratë të tillë, pra kualitative, në aftësimin profesional dhe etik njëkohësisht, do t’i japim mundësi qeverisë që të ketë më tepër burime për të punësuar të rinjtë e të rejat në shumë fusha të domosdoshme të tjera, përveç dhe larg atyre të limituara në tatime e dogana. Ndoshta kur punëson një tatimor për ta bërë fiskalist nuk është keq që, përtej rregullave të rekrutimit, të konsiderohet edhe morali në gen i kujtdo individi.
Si mund të motivojnë tatimorët e zotë dhe të ndershëm drejtuesit e rinj të sistemit fiskal shqiptar?
Fiskalistët (ju i quani tatimorë të zotë), principet e tyre i ngrejnë mbi bazën e qytetarisë, moralit të kultivuar apo trashëguar, potencialit të tyre intelektual dhe nuk aspirojnë kurrë që të pozicionohen duke u zvarritur pas emrave të përveçëm, qofshin këta bashkëkombas apo jashtëkombas. Këta njerëz, që gjithnjë pretendimet e tyre janë munduar t’i arrijnë brenda të gjitha caqeve objektive që kushtëzon niveli ekonomiko-shoqëror i vendit, kërkojnë vetëm vlerësim të potencialit të tyre individual, të mirëpozicionohen në shkallët hierarkike që, në fakt, janë të shumta në këtë sistem. Dhe ajo më kryesorja, të guxojë, të paktën, ndonjë që t’u thotë “punë të mbarë”.
Disa reforma të rëndësishme në fushën tatimore, si vendosja e kasave fiskale, apo deklarimi individual vjetor i të ardhurave ose ngelën në vend numero, ose nuk u filluan fare. A ka ndikuar kjo në nivelin e ulët të të hyrave fiskale?
Më shumë do të thoja në stabilitetin rregullator të sistemit. Sistemi i pajisjeve fiskale që u implementua tek ne është nga më të avancuarit. Por analiza e riskut u dizenjua bazuar vetëm në territor duke nxjerrë çdo ditë e natë grupe verifikuesish në front. Kjo është sikur të vadisësh një parcelë me 100 mijë rrënjë agrume me një fuçi ujë. Ndërsa për deklarimin e të ardhurave individuale, ndoshta sistemi duhet përmirësuar, duke synuar një zgjerim të fushës së zbatimit, por edhe bërjen më atraktiv të tij përsa u takon shpenzimeve të zbritshme.
Sipas jush, sistemi tatimor tek ne ka ecur, apo është kthyer prapa në mendësi dhe qasjen ndaj biznesit?
Sistemi ynë ka ecur mirë, falë edhe krijimit të shumë funksioneve moderne që na kanë munguar më parë. Po ashtu, në rradhët e biznesit ka një evoluim për t’u marrë shembull, si përsa u takon kapaciteteve teknike, ashtu edhe intelektuale. Ato që themi mangësi, i themi se janë shqetësime dhe kemi edhe pretendime që ndoshta një pjesë e administratës nuk e arrin ritmin e kërkuar të kohës.
A jeni i shqetësuar ju personalisht, jo vetëm si Avokat i Tatimpaguesve, por edhe si një specialist i njohur i fushës, për mënyrën e menaxhimit të sistemit fiskal shqiptar gjatë 2-3 viteve të fundit? Nëse po, pse?
Personalisht, kam qenë dhe jam i shqetësuar jo për dy a tre vite, por për gjithë kohën e karierrës sime në këtë administratë. Ajo ka evoluar me të tatëpjeta, me rënie e ngritje, të kushtëzuara nga faktorë ndoshta më subjektive se ç’duhet, pa i lënë kohë akoma ngritjes apo funksionimit të një sistemi si një i tërë. Pa një të tillë, subjekti do të bëjë ligjin mbi objektin, këtë e them me bindje e siguri të plotë.
Por vitet e fundit, ajo që bie në sy është këndvështrimi i njanshëm që i jepet sistemit, duke quajtur si të tillë vetëm kapacitetin administrativ, të shkëputur nga partneriteti. Përkundër ndihmesave e mbështetjeve ndërkombëtare, që pikërisht këtë synojnë, pra një sistem të ekuilibruar marrëdhëniesh partneriteti administratë/biznes, në fakt arritjet kanë konverguar në një qasje të kundërt. Ndoshta këtu është edhe një arsye e fortë e rënies së të ardhurave publike. Kosto e tejkaluar e një pale kurrë nuk mund të bëhet e ardhur për palën tjetër.
Shkrimi u publikua sot (01.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)