TIRANE - Edhe pse opozita ka disa ditë që akuzon qeverinë për marrëveshjen e arritur me palën çeke për çështjen e kompanisë CEZ shpërndarje, duke u shprehur se se ka varfëruar shqiptarët duke pranuar këtë konsensus, dokumente nxjerrin në dritë fakte të kundërta të cilat provojnë se Shqipëria do të paraqitej dobët në arbitrazhin ndërkombëtar.
 
Është vetë avokati i kontraktuar nga vendi ynë për procesin e arbitrazhit ndërkombëtar Hamid Gharavi, i cili në një letër dërguar Ministrit të Energjisë Damian Gjiknuri më 20 maj të këtij viti, shprehet se Shqipëria ka shumë pak shanse të fitojë arbitrazhin për shkak se nuk ishte bërë vlerësimi i situatës ku kompania çeke kishte lënë sektorin e shpërndarjes.

cez leter
(Në foto: Letra e Avokatit drejtuar Ministrit Damian Gjiknuri)
 
Po ashtu Gharavi në letrën e tij rendit një tjetër kundërargument që Praga do të përdorte kundër Shqipërisë. Ai thekson se certifikimi i vlerës së aseteve të CEZ, 9 muaj më vonë ishte një minus i madh, duke dobësuar ndjeshëm lidhjen shkakësore mes veprimeve të CEZ a.s dhe gjendjes së CEZ Shpërndarje.
 
Nga ana tjetër auditi financiar nxjerr se vlera e kompanisë CEZ në fund të vitit 2013-të ishte më negative se gjatë kohës së administrimit të çekëve. Në momentin që CEZ-i u mor të administrohej nga shteti ynë, bilanci i saj u thellua me 270 milion dollarë ose 27,026,730,000 lekë  më shumë.
 
Ky raport i auditit financiar, i cili konstatoi humbjet e mëdha në e bilancet e sektorit të shpërndarjes, do të bënte që pala shqiptare në arbitrazhin ndërkombëtar të humbte pikë. Kjo pasi nëse Shqipëria do të ankohej për heqje të licencës për shkak se CEZ nuk kishte kryer investimet, çekët do të shpreheshin se nuk i ishin krijuar kushtet e tilla pasi shumë institucione shtetërore rezultonin debitore ndaj saj.

cez
cez
(Në foto: Raporti i Auditit financiar të CEZ në kohën e qeverisë "Berisha")

Po ashtu çekët do të mund të vërtetonin edhe pjesën, që vetë shteti shqiptar nuk mund të administronte më mirë sektorin energjetik. Kjo pasi në një kohë kur shteti, nuk e administroi dot CEZ-in më mirë se çekët, edhe për avokatët do të mbeteshin më pak argumente për tu mbrojtur. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)