Axhenda / Anastasia performon sot live

Axhenda / Anastasia performon sot live
Sot, shqiptarët për herë të parë do të kenë mundësinë të shijojnë në një natë të gjatë live, zërin dhe spektaklin e mrekullueshëm të divës së muzikës pop, Anastacia.  
Këngëtarja e  njohur e hiteve të suksesshme, si “Paid my Dues” apo "I'm Outta Love”, e njohur gjithashtu për adrenalinën dhe emocionet e gjalla që përcjell në koncertet e saj, vjen në Shqipëri në vijim të turit të saj botëror “Resurrection” (Ringjallje).

Por përveç muzikës dhe performancave koreografike, që ajo ka përgatitur me stafin e saj, në stilin e koncerteve të Anastacias janë menduar edhe një sërë surprizash për publikun, të cilat këngëtarja i ka aplikuar me sukses në disa nga qytetet e njohura botërore ku është shtrirë deri tani turneu i saj.

Organizatorët na kanë treguar se një nga surprizat më të veçanta që Anastacia organizon në çdo qytet ku shkon, është fshehja e biletave. Në një pikë të caktuar të qytetit, ajo fsheh dy bileta për koncertin duke i nxitur fansat t’i kërkojnë në vendet që ajo do të orientojë. Natyrisht kush i gjen, ka përfituar kështu biletën për të ndjekur koncertin falas.

Anastacia është tashmë e njohur në të gjithë botën, jo vetëm për cilësitë e saj vokalistike, por edhe për performancat e veçanta koreografike, duke qenë se vjen nga një përvojë e konsiderueshme si balerinë. Artistja amerikane, është cilësuar nga kritika edhe si këngëtarja e bardhë me zërin e zi, pikërisht për shkak të nuancave të forta “black” në vokalin e saj.

Ajo ka shënuar kulmin e parë në karrierën e saj muzikore në vitin 2000 me albumin “Not that kind”, ndërsa kënga “I'm Outta Love” ishte kënga më e shitur e vitit. Hite të tjera vijuan më pas, duke e mbajtur sërish në majën e klasifikimeve botërore edhe pas diagnostikimit të parë të saj me kancer në vitin 2002.

Ajo rikthehet për publikun në vitin 2004 duke devijuar tashmë në rrymën pop-rock. Albumi arriti të zërë vendin e parë në shitjet e 11 vendeve të botës, ndërsa kënga "Left Outside Alone" mbajti vendin e parë në klasifikimet muzikore europiane për 11 javë.

Por e prekur sërish nga sëmundja, në një sagë 10-vjeçare ndërhyrjesh dhe mjekimesh, që e çoi në heqjen e të dy gjinjve, vetëm në tetor të vitit 2013, Anastacia deklaroi se më në fund e kishte mposhtur sëmundjen. Pikërisht për natyrën e saj të hapur duke e deklaruar sëmundjen e saj, Anastacia u kthye në simbol të mbështetjes së grave dhe luftës së tyre ndaj çdo forme paragjykimi.

Është pikërisht albumi i saj i gjashtë, “Resurrection”, që mishëron këtë luftë të saj për jetën dhe që menjëherë pas daljes arrin në Top 10, në Itali, Holandë, Zvicër, Gjermani, dhe Angli, ndërsa në klasfikimet austriake, irlandeze, portugeze dhe spanjolle, hyn në top 20. Ky album, u shoqërua edhe nga turneu me të njëjtin emër, që prej një viti vijon në Europë dhe Amerikë. Anastacia, vjen në Tiranë, pas koncerteve të suksesshme në Australi, Gjermani, Itali, Belgjikë, Holandë, Austri, Spanjë, Portugali. Turi i saj parashikon të mbyllet në 28 gusht, me një rikthim në Itali dhe pikërisht në Napoli.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Peja si Lazarati! Kapen 1 ton kanabis, ska të arrestuar

Peja si Lazarati! Kapen 1 ton kanabis, ska të arrestuar