Rama: Anëtarësia do të vlerësojë në 3 cikle deputetët dhe mua! Kush merr më shumë vota do jetë në listat për 25 prillin! PS do hapet, deputet edhe nga diaspora

TIRANË- Deputetët socialistë do të vlerësohen nga anëtarësia e partisë, jo një, por tre herë është kujdesur të theksojnë kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e PS-së. Qëllimi i këtij vlerësimi, ka sqaruar kreu i qeverisë, është jo vetëm për të kuptuar ata se çfarë mendojnë, por për të përmirësuar vetveten. Më pas mbi bazën e këtyre vlerësimeve do të bëhet edhe përzgjedhja e deputetëve për zgjedhjet e 25 prillit. Vlerësimi do të nisë në muajin nëntor, për të vijuar në janar dhe në fund në shkurt.

Në filtër do të jetë edhe ai vetë, ndërkohë që ka njoftuar edhe për hapje brenda partisë ku të gjithëve do u jepet mundësia për të qenë deputet nën siglën e socialistëve në zgjedhjet e 25 prillit.

" Vlerësimin e të gjithë anëtarëve të PS-së, tre herë një herë që e lëmë pak fleksibël që të përfshihen të gjithën , në nëntor, janar dhe shkurt. Në platformën që kemi krijuar për familjen tonë politike, vlerësimin për qeverinë, nga unë, ministër për ministër, dhe hapim tani edhe derën për këdo në Shqipëri apo emigracion që mendon se ka arsye që të shprehë interesin për të qenë pjesë e skuadrës sonë", tha Rama, duke qartësua edhe një herë se nuk ka koalicion me asnjë parti ekzistuese, pasi asnjëra nuk i plotëson kushtet për të qenë krah socialistëve në zgjedhje.

Përpara socialistëve të cilët kësaj here ishin më të pakët në numër për shkak të pandemisë së COVID-19, Rama prezantoi shtyllat kryesore mbi të cilët do të bazohet plani i tyre. Infrastruktura, transporti, energjia, burimet natyrore dhe digjitalizimi, do të jenë pikat kyçe të PS-së për këto zgjedhje. Në 1 orë e 51 minuta fjalim, Rama renditi punët e bëra nga PS-ja që në mandatin e parë dhe të dytë që tha se ishin për të ndaluar rrënimin dhe hemorragjinë e lënë nga paraardhësit, dhe se mandati i tretë duhet për Shqipërinë. Nga aeroportet tek portet turistike, ai bëri me dije se kantieret e tyre do nisin para se të mbarojë ky katër vjeçar. 

Nuk kanë munguar edhe sulmet për kundërshtarët, ku fokusi ka qenë LSI-ja dhe presidenti Ilir Meta. Në fund, Rama ka kërkuar që të mos ndryshohet Kryesia edhe për një vit, kjo sipas tij jo se i druhet hatërmbetjeve të mundshme,  por sepse ka mbetur i kënaqur nga puna e tyre dhe se më tepër i fokusi është vetëm fitimi i një mandati të tretë qeverisës. Për këtë është i bindur, madje për një fitore shumë të thellë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:20
Rama xhiro nga liqeni, qytetari ia merr këngës: Ku t’ka lala moj picirruke (VIDEO)

Pas përfundimit të Asamblesë socialiste që u zhvillua në Amfiteatrin e Liqenit Artificial në Tiranë, Rama ka dalë edhe një xhiro nga kodrat e këtij liqeni. Aty ka takuar një qytetar i cili ia ka marrë këngën.

“Ju përshëndesim nga liqeni i Tironës, pas Asamblesë së Partisë Socialiste me këtë mjeshtrin këtu”, thotë Rama në video. Ndërkohë qytetari me kitarë vazhdon gjatë gjithë kohës të këndojë këngën “Ku t’ka lala moj picirruke”.

Ora 19:22
Pas Asamblesë së PS-së, Rama darkon me socialistët 'e preferuar'

Pas Asamblesë, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të darkojë me disa nga socialistët në një restorant në zonën e liqenit. Nga sa mund të shihet në foton që sjell Report Tv, në prani të tij është Ulsi Manja, Taulant Balla, Arben Pëllumbi dhe Blendi Klosi.

Ora 19:03
Socialistja i ndërpret fjalën, Rama i kthehet: Çfarë do? Vërtet ju kemi dhënë gjithë të drejtat, por mos më ndërprisni fjalën (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama teksa po fliste në Asamblenë e PS-së për 7 vite qeverisje, është ndërprerë nga një zonjë e pranishme në Asamble.

Siç duket socialistja ka kërkuar të marrë fjalën, por Rama iu kthye duke i thënë se vërtet iu ka dhënë grave të gjitha të drejtat, por jo sa t’i ndërpresin fjalën.

“Ça do? Të flasësh…? Prit, mos më ndërprit, se po flas unë. Kemi thënë grave të gjitha të drejtat, por jo sa të na ndërprisni fjalën”, tha Rama.

Ora 18:59
Çfarë do të ndodhë me Bushatin në PS, përgjigjet Edi Rama (VIDEO)

Rama u ka dhënë një përgjigje të gjithë atyre që janë "interesuar" për fatin e Ditmir Bushatit brenda PS-së

"Ditmir Bushati ka kontributet e veta mund t'i bëj fare mirë të dyja (deputet dhe këshilltar për mediat i OSBE) por çështja e listave do të trajtohet si thashë dhe në fund ne do të kemi skuadrën më të mirë dhe efikase që do të fitojmë 25 prillit për të pasur fitoren më të madhe", tha Rama

Ora 18:57
A do rikthehet Fatos Nano në PS? Rama: Lider historik, më jep këshilla kur ia kërkoj, siç do bëj dhe unë kur të mos jem më (VIDEO)

I pyetur në Fatos Nano do jetë në listën për deputet në zgjedhjet e 25 prillit, Rama ka dhënë një përgjigje të prerë.

"Fatos Nano nuk ka ndërmend të kandidojë është lider historik i PS i ka dhënë në fron çfarë ka pasur të jap, tani jep eksperiencën e tij, kur unë ia kërkoj, si çdo bëj dhe unë kur të mos jem kryeministër dhe kryetari PS", tha Rama.

Ora 18:02
Rama kërkon që të mos ndryshohet kryesia për një vit

Nga diskutimi pa kamera, kryeministri Edi Rama ka kërkuar që të mos ndryshohet kryesia për një vit. Gazetarja e Report Tv, Klesiana Omeri e cila e ka ndjekur të gjithë Asamblenë e PS-së, mëson se kreu i qeverisë e ka argumentuar këto jo si një vendim për të shmangur hatërmbetjen, por sepse fokusi i tij është fitorja e një mandati të tretë dhe jo kryesia. 

Anëtarët e Kryesisë së PS-së që vijojnë edhe për një vit
Edi Rama
Taulant Balla
Gramoz Ruçi
Ditmir Bushati
Mimi Kodheli
Eglantina Gjermeni
Vangjush Dako
Fatmir Xhafaj
Valentina Leskaj
Niko Peleshi
Lindita Nikolla
Evis Kushi
Erion Veliaj
Damian Gjiknuri
Blendi Klosi
Erion Braçe
Armando Subashi
Arben Ahmetaj
Olta Xhaçka
Pandeli Majko
Vasilika Hysi
Ermonela Valikaj Felaj
Ulsi Manja

Sekretariati
Taulant Balla Sekretar i Përgjithshëm
Alfred Peza Sekretar për Median dhe Shoqërinë Civile
Blerina Gjylameti Sekretare e Koordinimit Digjital
Ilir Beqaj Sekretar për Koordinimin e Këshillave të Rajoneve
Laert Duraj Sekretar për Emigracionin
Teuta Vodo Sekretar për Marrëdhëniet Ndërkombëtare
Arben Pëllumbi Sekretar Organizativ
Damian Gjiknuri  Sekretar për çështjet Zgjedhore
Lindita Nikollaj Sekretare për Burimet Njerëzore dhe Bashkëqeverisjen
Gent Cakaj Sekretar për Rininë

Ora 17:35
FOTOGALERI/ Asambleja e PS-së - Dominon e zeza te gratë socialiste, burrat 'heqin' kravatën

Asambleja e Partisë Socialiste është mbledhur pasditen e sotme te Amfiteatri i Liqenit. Ngjyra e zezë ka dominuar më së tepërmi në veshjet e grave socialiste. Ndërsa ajo që vihet re te veshja e burrave të PS-së, mungon kravata.

Ora 17:23
Rama: Anëtarësia do vlerësojë deputetët në tre cikle! Do u jepet mundësia të gjithëve që duan të jenë deputet i PS-së në 25 prill! Asnjë parti s'i plotëson kushtet për të qenë aleati ynë (VIDEO)

Rama ka zbuluar detaje se çfarë pritet të ndodh në Partinë Socialiste pas Asamblesë së Partisë.

"Ne do u japim më shumë në çdo aspekt, do u japim anëtarët e partisë të vlerësojnë të gjithë deputetët, në tre cikle, jo një herë, tre dhe të shohim që ne i dëgjojmë dhe çdo deputet të përpiqet të vlerësojë veten. Anëtarët e partisë do të më vlerësojnë mua, për të kuptuar që jemi të vetëdijshëm që duam të përmirësohemi. Do u japim të drejtën të gjithë ve që na thonë unë dua të bëhem deputet i PS, do u japim mundësi që të shprehin interesit të tyre për të qenë pjesë e skuadrës sonë në 25 prill dhe do të shkojmë përtej radhëve të PS sepse ka 100 mijë anëtarë, 800 mijë votues dhe kjo do të na ndihmojë që skuadra jonë të jetë një kombinim i eksperiencës dhe i pasionit të forcave të brendshme dhe kështu ne me njerëzit të mos kemi vetëm raportin e punës, as vetë, raportin e komunikimit të të vërtetave, por edh enjë urë të re të vullnetit të mirë për të qenë së bashki, ne s'kemi parti për të bërë aleat. askush nuk i plotëson kushtet për të qenë aleat i ynë, koalicioni ynë është me njerëzit dhe së bashku ne do t'i lëmë mbrapa më shumë se asnjëherë tjetër të gjithë forcat që duan të na tërheqin neve mbrapsht dhe duan të na mbajnë peng", tha Rama.

Ora 17:18
Nga aeroportet tek portet turistike, Rama: Kantieret e tyre do nisin para se të mbarojë mandati (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama tha se pas disa javësh nis gara për aeroportin e Sarandës si dhe do ndërtojë portet turistike në Vlorë, Sarandë e Durrës duke i ndarë nga shkarkimet e qymyrit në zemër të qytetit. Këto kantiere ndërtimi tha Rama do nisin para përfundimit të mandatit

"Pas disa javësh do të shpallet gara për aeroportin e Sarandës. Në manditin e tratë do të mbyllet me tre aeroporte plus këtij qe kemi dp të bëhen 4. Portin turistik do e nisim ne dhe do e nisim brenda pak kohe, pra në pranverë do të jetë kantier ndërtimi, para përfundimit të mandatit, para zgjedhjeve dhe do të ndërtojmë portin e të mallrave tek triporti dhe për peshkatarët e Vlorës. Porti i Durrësit do iki nga ty aty do bëhen port turistik. Nuk shkarkohet dot krom e qymyr në zemër të qytetit.  Porti i ri mallrave në Porto Ramano, kjo do të fillojë shpejtë. Por kështu do të kemi portin e ri turistikë në Sarandë që do të fillojë ndërtimin para se të mbarojë ky mandat", tha Rama

Rama tha se do të vijojë ndërtimi i rrugës Milot-Fier, Milot-Muriqan dhe Milot-Rrëshen, ku qytetarët nga Muriqani deri në Vlorë do shkohet pa u ndalua dhe pa u penguar nga askush.

"Brenda pak javësh fillon ndërtimi i rrugës Milot-Fier më në fund nën rrugë ku makina ka rrugën e vet, lopët kanë shtigjet e tyre, qentë dhe macet kanë kanalet e tyre dhe njerëzit nuk bëhen mish për top atje siç ndodh prej 30 vitesh. Do vijomë me Milot-Muriqan që të përfundojmë koridorin blu, i cili është një projekt europain. Nga Muriqani deri në Vlorë do shkohet pa u ndalua dhe pa u penguar nga askush. Nga ana tjetër është Milot-Rrëshen. Ata gjoja bënë rrugën e kombit, por vijon ende edhe sot. 7 ura u bënë tani dhe është ende një gyp nga Rrësheni në Milot", tha Rama.

Ora 17:00
Rama prezanton shtyllat kryesore të planit socialist (VIDEO)

Në Asamblenë e PS-së, kryeministri Edi Rama ka paraqitur shtyllat kryesore të planit socialist. Ndër to, ka veçuar digjitalizimin, duke thënë se vendi ynë që i pari në Ballkan për qeverisjen digjitale

"Tre shtyllat e planit shkojnë në harmoni me planin tonë, infrastruktura, transporti energjia, burimet natyrore dhe digjitalizimi. Sot ne jemi vendi i parë në Ballkan për qeverisjen digjitale., Kjo është e ardhmja. Nëse sot shumë zyra, punonjës kanë mentaliteti e të shkuarën, do kemi një shtet që s'do kenë nevojë ta dinë kush është drejtori apo drejtoresha, nuk do ketë më zyra pritje, gjithçka do të bëhet online. Jo pas 10 vitesh, po shumë pak vite, para se të mbarojë mandati i tretë. Nuk do keni mundësi që të paguani më rryshfete", tha Rama.

Ora 16:57
Rama: Shengeni rajonal sot është baza e planit Europian, e tha dhe Verhelyi! Rajoni s'mund të jetë në mëshirë të kohës për t'u integruar në BE (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka risjellë në vëmendje Shengenin Rajonal, duke e cilësuar si një nga arritjet e qeverisë së tij më të mëdha, Rama tha se ky Shengen Rajonal është përqafuar edhe nga ndërkombëtarët, duke përmendur Komisionerin për Zgjerimin.

"Ka miq të Shqipërisë që janë dhe të Lulit dhe Ilirit që mendojnë si ata të dy është normale, por Europa është BE dhe shtetet kanë zërin e tyre dhe ne kemi bërë gjënë e duhur, jo për veten tonë, por për vendit, kemi bërë gjënë e duhur për të pasur një parlament më përfaqësues, më të përgjegjshëm dhe sigurisht një parlament akoma më të aftë se çdo parlament tjetër më parë dhe kjo është ajo që vlen. Pse ne dhe si do ta bëjmë Shqipërinë të vrapojë, pasi ka ecur jo pak në këtë mandat duke marrë veten nga lëngimi dhe paraliza ku e gjetëm më parë, faktet thonë që ne kemi dy krah, atë të fuqisë sonë të brendshme që sot është shumë më e madhe nga sa ishte, pavarësisht asaj që predikojnë kasandrat dhe përmes kësaj ne sot kemi një sëri motorësh të rinj për t'i ndezur ekonomisë dhe për të nxitur jo vetëm punësimin në numra, por kur vlera e pagës edhe në privat do të rritet. Unë do të doja të thoja që kemi edhe një krah tjetër të ri dhe të fuqishëm që është plani europian që bazohet te ai që ka qenë vizioni që për fatin tim të madh dhe nderin ju e keni përqafuar, vizioni i Shengenit rajonal. Ka avancuar me vështirësi vit pas viti dhe është bërë baza e planit masiv europian dhe ka qenë edhe këmbëngulja jonë, e Shqipërisë dhe e vendeve të tjera për të insistuar që integrimi Europian mund të marrë kohë, por rajoni nuk mund të lihet në mëshirën e asaj kohe. Dhe sot, Komisioneri për Zgjerimin tha diçka që s'ishte aspak e habitshme, një plan prej 9 mld eurosh grante për vendet e rajonit dhe 20 mld të tjera kredi të garantuara nga 1 mld në 9 mld. Kjo është diçka fantastike na takon ne, patjetër që tani të bëjmë projekte dhe t'i kthejmë këto para në investime dhe ne e kemi treguar që këtë dimë ta bëjmë. Paratë për bujqësinë, ishin aty prej vitesh. U desh vota e vitit 2017  për PS që ne të merrnin më në fund kreditimin për agjencinë dhe sot jemi vendi i parë në rajon për fondet për bujqësinë, dhe nëse bëjmë llogarinë mes parave tona dhe ato europiane është më e madhe se shuma e financimit të bujqësisë së bashku", tha Rama.

Ora 16:53
Rama: Luli është çun i mirë, por askush si bie telefonit të tij për ndihmë se e dinë që është në gjumë (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama nuk ka ndalur ironitë për kundërshtarin e tij Lulzim Bashën duke thënë se ai është një "çun i mirë" por që qytetarët nuk do e merrnin kurrë në telefon për t'i zgjidhur një hall pasi është"në gjumë'

"Luli është çun shumë i mirë, por a ka një shqiptar që të ketë një hall natën do marri në telefon Lulin? JO! Dhe njerëzit e tij më të afërt do të thonë mos e shqetëso se është ora e gjumi", tha Rama

Ora 16:49
'PS  i bën gjërat drejtë', Rama: Të tjerët shkaktojnë rrëmujë dhe i bëjnë mbrapsht gjërat(VIDEO)

Kryeministri Rama tha se PS është e vetmja alternativë që i bën gjërat drejt dhe siç duhet, ndërsa alternativa tjetër është rrëmuja dhe bërja e gjërave mbrapsht.

"Në çdo sektor dhe përtej fakteve në aspektin ekonomik, infrastrukturor, zhvillimor ka një fakt në themel , që në çdo drejtim me PS ka më shumë përpjekje dhe ka përpjekje të pandalshme dhe të pakthyeshme për t'i vënë gjërat në vend dhe për t'i bërë drejtë. Me të tjerët ka vetëm rrëmujë dhe gjërat do të bëhen mbrapsht. Ky është një dallim i thjeshtë", tha Rama

Ora 16:42
Përjashtimi nga lista për deputet të PD/ Rama: Na kanë shkruar te platforma e bashkëqeverisjes, kërkojnë drejtësi për Klevis Balliun (VIDEO)

Përjashtimi nga lista e deputetëve të Klevis Ballit për deputet nuk ka kaluar pa një koment nga kryeministri Eid Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste. Kreu i qeverisë ka zbuluar se ka pasur qytetarët që kanë shkuar te platforma e bashkëqeverisjes që kërkonin drejtësi për të. Rama nuk i ka kursyer lëvdatat për ish- ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, sipas së cilit ka bërë një sistemi të arsimit për t'u vlerësuar që nga emërimi i mësuesve deri të hyrja e studentëve në fakultet sipas meritës, jo lekëve apo se është "mbesa" apo "vajza" e dikujt që ka lekë.

"Po mësuesit janë më të mbrojtur në të drejtën e tyre, a ajanë si mish për top që i lëviznin sa andej këtej sipas interesave të partisë, jo vetëm në mitingje, por për t'i hedhur rrugëve për dikë që vjen me lekë, apo me tesera. Sot mësuesit hyjnë në sistem falë meritës së tyre, po vetë studentët, ata që nesër bëhen mësues, mjekë, nënpunës, ata që nesër trokasin në dyer të ndryshme si në universitet, falë Lindita Nikollës, hynë më se është djali i Fahriut? Nuk e besoja dot se kishin shkruar te platforma e bashkëqeverisjes së kërkonin drejtësi për Klevisit, apo mbesa e Monikës, e Saliut, nuk hynë dot më. Mund ta kenë babain me shumë lekë, por vjen djali i një cobani që të lë mbrapa, partia nuk bën asnjë punë. keni pasur vështirësi për të hequr dorë nga disa zakone, kaloi dhe kjo vështirësi. Kështu është në të gjithë fushat, si është sot Shqipëria me fëmijët, më e drejtë apo siç ishte, që kur dalin nga barku i nënën, merrnin një cek 50 mijë lekë në letër, një pjesë se merrnin fare se mbetej në ato zyrat e pushtetit vendor dhe të ministrisë së brendshme dhe nuk e merrnin, shkonte pastaj në Bashki c e merrnin ca s'e jepnin. Sot si është, 400 mijë lekë, 800-1200 sipas fëmijëve, i pari i dyti i treti, e merr në maternitet në dorë dhe shk në bankë dhe e merr kur të duash, është i joti, po kur shkojnë fëmijët në shkollë? Është siç ishte? Kush ka lekë ble libra, kush jo? të gjithë i kanë librat falas dhe jo vetëm i kanë librat falas, po ca librash kanë, se mund t'i japësh falas librat e Fahriut, Hakiut, por u jep një hall të madh në dorë si ato tekstet kur varet teksti i kujt të binte se dikur ishte 28 nëntor dita e çlirimit dikur 29, diku pula quhej kafshë e egër, diku shtëpiake. Sot të gjithë fëmijët e Shqipërisë, vajzat dhe djemtë kanë tre zgjedhje, njëra më e mirë se tjetra, kanë librat e njëjtë me bashkëmoshatarët e tyre", tha Rama.

Ora 16:37
Mesazh kryebashkiakut të Lezhës? Rama: Sot s'keni më fuqi për të futur në punë infermierët me tesere partie, apo jo Pjerin? (VIDEO)

Me qeverisjen e tij, kryeministri Edi Rama liston se ka arritur që të vendos rregull dhe në punësimet e bluzave të bardha, një gangrenë e hershme që vuante vendi ynë. Sipas tij. kjo nuk është më në dorën e deputetëve, siç ka qenë në kohën e paraardhësit e tij. Ajo që tërhoqi vëmendje ishte se teksa thoshte këtë, Rama përmendi emrin e kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu.

"Për t'u bërë infermiere duhej të merrje kartonin kuq e bardhë të ndërrmarjes së Ilir dhe Monikës, pavarësisht se i bie gozhdës, kush studion për mjekësi dhe infermieri e ka rrugën e haur nëse është më i zonjë se ai që ka pas në gara dhe askush nuk mund të bëjë kapërcime siç bëheshin dje. Ju e dini si bëheshin infermierët, se si mbusheshin radhët e bluzave të bardha me tesera partie, ju e dini se sa shumë jeni mërzitur me Ilir Beqajn dhe pastaj me Ogerta Manastirliun. Sot s'është fuqia e deputet tek sa mjekë  dhe infermierë fut me teser partie, apo jo Pjerin", tha Rama.

Ora 16:32
'Mos paguani taksat' Rama ironi me opozitën: Basha do pastrojë qytetin me fshesën e Monikës! Dritat mos i paguani se do na ndriçojë Saliu me Metën (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama nuk i ka kursyer ironitë për klasën politike dhe kundërshtarin e tij duke thënë se Luli thotë të mos paguajë taksa pastrimi por kush do e pastroj më pas qytetin tha Rama, Luli me fshesën e Monikës. Ironitë nuk i ka kursyer as për Metën dhe Berishën.

"Sa nxjerr shteti nga arka është shumë e thjeshtë 56.2 % dalin më shumë sot nga arka e shtetit për të paguar pagat. Sot ne vijmë në pikën kur zerojmë taksën dhe zerojmë dhe TVSH për biznesin e vogël deri në 100 milionë. Dhe nuk është premtim elektoral, por ligj i kuvendit. Zerojmë taksën deri në 140 milionë. Atëherë unë e kuptoj që ky zerim krijon problem, sepse është fakt, nuk është një garë premtimesh, por duhet të jesh vertetë kaq i mllefosur sa të mos qeshësh dhe jo më pas ta votosh Lulin kur thotë ne do i bëjmë 0.5. Unë jam i bindur se në fushatë do thotë do e  bëjmë me -0.5, e bën se priret për mirë. Imagjino mos paguaj pastrimin se do  e pastrojë Luli qytetin me fshesës e Monikës. E imagjinoni fshesën e Monikës ca u bën qyteteve po t'ja japësh në dorë. Mos paguani më ndriçimin se do ndriçojë Saliu me Metën. Ku është një dëmshpërblim i madh që në fakt këto janë fakte", tha Rama.

Ora 16:19
Rama: Me Monikën, Saliun e Metën do keni vetëm vështirësi (Luli bën ç'thonë këta), me ne në krye do keni drejtësi (VIDEO)

Një nga arsyet se përse PS-ja duhet të fitojë, kryeministri Edi Rama ka listuar drejtësinë. Ai është shprehur se ajo që po ndodh me gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar që po largohen nga sistemi i drejtësisë është vetëm fillimi, duke bërë me dije se brenda një dekade do të jetë drejtësia si në shumë vende europiane. Ai nuk i ka kursyer edhe ironitë për kundërshtarët e tij politik.

"Ajo që ne kemi detyrë është të shkojmë përtej pamjes së parqë dhe t'u japim njerëzve të kuptojnë këndvështrimin tonë. Dhe çfarë kemi bërë ne që sipas meje është themelore, edhe për të bërë dallimin e madh mes neve dhe atyre dhe për të përcaktuar Psenë e PS për të vazhduar për të bërë dallimin, ne kemi bërë vendosja e një raporti të ri me drejtësisë, jo vetëm me sistemin e drejtësisë, por në sensin e thjeshtë bazik të së drejtës dhe këtë mendoj që ne duhet ta bëjmë pjesë të të gjithë bashkëbisedimet me shqiptarëve nga sot deri kur të bjerë gongu i vrapimin në sprint drejt 25 prillit. Sot drejtësia si drejtësi në sensin e sistemit të drejtësisë është një kantier ku punohet, ku ka plot akoma rrëmujë, ku ka plot pisllëk, ku ka plot ende për të përfunduar, por ku për herë të parë, që nga ndryshimi i sistemit janë vendosur themelet, e një sistemi drejtësisë që do t'u japë mundësinë fëmijëve tanë që nesër të mos e pësojnë si ata që ishin fëmijë apo lindën në 1990 dhe që sot janë bërë burra e gra dhe nuk e kanë një siste, drejtësie të drejtë. Nuk mjafton as vullneti dhe as vizioni, apo ligjvënia, por shumë më tepër se kaq. Duhet kohë. Sistemeve të drejtësisë që ne i referohemi nuk duhet ta harrojmë që janë ngritur yhyy, jo kur nuk s'kishim lindur akoma, po as ata që na kanë bërë kokën, s'kishin lindur akoma. Ndërkohë që ne falë faktit që jemi në një sfidë ku s'jemi vetëm, dhe kemi BE, do i kapërcejmë etapat për të arritur që brenda një dekade të kemi drejtësinë që kanë të tjerët, se nuk e kanë pasur, por e kanë ndërtuar vetë. Të gjithë eksperiencën që e e marrim, nuk e kishim, por e krijuam vetë, së bashku me aleatin e SHBA. përtej drejtësisë, ku e përsëris njerëzit kanë shumë të drejtë, edhe unë si ata, secili prej nesh të thonë dhe themi ku është drejtësia sot? Patjetër që nuk është ende aty ku e presim, në pozicion është një ferishte që po përpëlitet në pelenat e përgjakura të një lindjeje të vështirë, ama kujt i shkonte mendja dhe kush tjetër mund ta bënte, se do vinte dita në vend që korporata më e madhe antishtet, fitimprurëse nën kostumin e shtetit, në paprekshmërinë e vetë, do të cmontohej dhe një pastrim kaq masiv do të fillonte dhe do të materializohej para syve tanë, askujt. Dhe kjo është arsye për të kuptuar se kush do drejtësinë nesër duhet të mbështesë PS. Dhe mjafton të dëgjojnë Lulin, Saliun, Monikën, edhe pse Luli bën ca i thonë këta tre të tjerët për të kuptuar që me ne në krye ka shumë vështirë, por nesër do të ketë drejtësisë. me ta në krye do të ketë vështirësi, jo drejtësi", tha Rama.

Ora 16:14
Rama: Ne nuk jemi e keqja më e vogël, jemi e vetmja e mirë që ka politika jonë! Në mandatin e 2 ndalëm hemorragjinë e trashëguar (VIDEO)

Kryeministri Rama tha se gjatë mandatit të dytë PS tregoi se ishte e aftë të ndalte hemorragjinë  e trashëguar nga më parë por edhe të rikthente rregullin në financat e vendit, rritjen e pagave të mjekëve dhe arsimtarëve dhe investimeve të bëra në shumë sektorë. Rama tha se sërish të gjitha këto nuk mjaftojnë prandaj  kanë nevojë për një mandat të tretë. Ndërsa shtoi se PS nuk është alternativa si e keqja më e vogël, por e vetmja gjë e mire që ka politika shqiptare, ku lufton çdo ditë për forcimin e vlerave.

"Në mandatin e 2 pasi rivumë rregull në financat e vendit, pasi ndaluam hemorragjinë e trashëguar, pasi iu dhamë njerëzve më shumë instrumente për jetën e tyre të përditshme, ishte mandati ku kemi forcuar organizmin e një trupi që lëngonte 7 vite më parë edhe pse na është dashur të përballemi jo vetëm me problemet  e trashëguara edhe me probleme të krijuara jashtë vullnetiti tonë si tërmeti dhe pandemia. Sot kur jemi në përfundim të këtij mandati të dytë, është një mandat i forcimit të trupit dhe i ecjes pas një paralize nga ku ne e nisëm këtë rrugëtim. Nuk më rezulton që ndokush rreth e rrotull nesh ta ketë bërë këtë mirë rritjen e pagave si asnjëherë tjetër për mjeket dhe bluzat e bardha. E konsiderojmë të domosdoshme që këtë mundësi ta vëmë në dispozicion të mjekëve dhe arsimtarëve. As i prekem rrogat dhe pensionet kur morëm detyrën dhe as i bëmë bisht zotimit tonë për të kaluar nga një sistem i padrejtë taksimi në një sistem të drejtë ku i ulëm taksat për 97 % të shqiptarëve. As mendojmë se këto mjaftojnë për ta quajtur të mbyllur punën tonë. përkundrazi këto janë arsye pse ne na duhet një mandat i tretë jo për vetë por për Shqipërinë. Ne nuk jemi  e keqja më e vogël,ne jemi e  vetmja e mire që ka në politikën shqiptare, patjetër nuk jemi më e mira më e mundshme  dhe kjo është arsyeja që potenciali i kësaj familjet politike është për shumë më tepër besnikëri ndaj vlerave dhe për më shumë më tepër besnikëri ndaj atyre që meritojnë më shumë edhe në aspektin e përfaqësimit. Dhe për më shumë më tepër besnikë ndaj bindjes ku të gjithë shqiptarët e votojnë dhe do e votojnë PS", tha Rama

Ora 16:04
Rama në Asamblenë e PS rendit punët e bëra: Mandati i parë përpjekje për të ndaluar rrënimin! (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama e ka nisur fjalën e tij në Asamblenë e PS-së me batuta, por duke renditur edhe punët e bëra që në mandatin e parë të qeverisjes.

" Falenderoj Ballën që organizoi këtë mbledhje në qiell të hapur dhe që bëri të mundur që të mos mungoj as dielli sot këtu duke n krijuar mundësinë që të nisim fazën e fundit të këtij mandati dhe njëkohësisht fazën finale të përpjekjes për të marrë mandatin tjetër. Besoj që është e rëndësishme gjithmonë të kemi parasysh se nga vijmë për të bërë të mundur të dimë se ku mund të shkojmë dhe tani më kur bëhen 7 vjet nga dita kur ne morëm detyrën, mund të thuhet se jemi në kushtet kur e keqja më e madhe është harruar, ose duhet kujtuar dhe rikujtuar sepse dita kur ne e nisëm këtë rrugëtim nuk ka asgjë të ngjashme me ditën ku jemi sot, por siç e keqja harrohet shpejt e mira nuk ka fund. Ne duhet të mbajmë parasysh se teksa numërojmë me të drejtën tonë ato që kemi bërë  në asnjë moment të mos ia themi veten dhe të mos lëmë përshtypjen te të tjerët se jemi të kënaqur me sa kemi bërë. Dhe kur kthejmë kokën pas është e vështirë që të zgjedhësh më parë në raport me sa shumë na është dashur të bëjmë. Mandati i parë ishte përpjekja për të ndaluar rrënimin dhe hemoragji të rrezikshme në raport me vetë financat e vendit ku ne jemi ulu në detyrë dhe kemi parë në tryezë të dhënat reale kemi qenë përballë sfidës së madhe të vendimit të rrogave dhe pensioneve pa pasur nevojë për t'i ulur ato. E kujtoj betejën që kemi pasur me Fondit që të mos ulnim rrogat, nuk e harroj kur FMN na janë drejtuar dhe na kanë thënë "këtë e kam dëgjuar nga të gjithë kryeministrat, por e kemi mësuar se kjo reformë në Shqipëri nuk bëhet" dhe sot besoj se të gjithë ato që me të drejtë ankohen për shumëçka iu duhet kujtuar që 7 vite më parë mbanin radhën në shi për të paguar fatura afrofe të energjisë elektrike, që i paguanin për vetë dhe për gjysmën e dynjasë që nuk denjonte të paguante, ndërsa sot, prej disa vitesh tani më s'ka më fatura afrofe dhe s'ka më radhë në shi", tha Rama.

Ora 15:58
Me maska dhe distancë, ja si janë ulur socialistët në Amfiteatrin e Liqenit

1602251830_7.jpg

Asambleja e PS

Për shkak të pandemisë  Asambleja e PS po zhvillohet në ambient të hapur në Amfiteatrin e Liqenit. Socialistët janë ulur në distancë nga njëri-tjetri dhe janë të pajisur të gjithë me maska.

Ora 15:47
Kryeministri Edi Rama mbërrin në Amfiteatrin e Liqenit (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama mbërrin në Amfiteatrin e Liqenit ku do të zhvillohet Asambleja e PS-së.

Ora 15:43
Asambleja e PS, mbërrijnë socialistët (VIDEO)

Deputetë, ministra dhe anëtarë të Partisë Socialiste kanë nisur mbledhjen për zhvillimin e Asamblesë së PS-së. Të pajisur me maska për shkak të pandemisë, ata janë vendosur në rresht ku konfirmojnë dhe pjesëmarrjen e tyre.

Asambleja mbahet në Amfiteatrin te zona e Liqenit ku grumbullimi të bëhet në ambiente të hapur për shkak të COVID-19. 

 

E.M./I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • tironci: 09/10/2020 17:58

    ju jeni partia Mashtrusi.com , me ju nigju ju thone gjermont gjynof qe kemi lind ne gjermani, per 3D dhe lloqe sja u fut njeri, ato delet qe ke aty gjithmone gati keshtu qe mere me long se mishi maroi

    Përgjigju
  • Tirona: 09/10/2020 16:10

    Suksese..... dhe sa me shpejte te shkojne para drejtesise te gjithe Ata qe kane shkelur Kushtetuten pa dallim si majtas dhe djathtas......

    Përgjigju
  • delegati: 09/10/2020 16:00

    Dele-gatiii....beeee...nga 10 veta cdo i punesuar per te mbajtur vendin e punes.Vend robqir qe s.behesh kuuuuurre

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni