KORCE - Vala e azilkërkuesve që zgjedhin shtetet kufitare për të kaluar më pas drejt Gjermanisë, ka shtuar kontrollet në pikat kufitare ku shënohet edhe numri më i madh i kalimit të tyre. 

Një ditë më parë gjatë kontrollit të hollësishëm nga policia kufitare e Kapshticës, janë kthyer katër persona dhe ka rënë në pranga transportuesi i tyre. Kthimi ka sjellë edhe irritimin e tyre, sipas të cilëve janë kthyer padrejtësisht duke shkelur të drejtat e lëvizjes së lirë. 

Bëhet fjalë për familjen Xhambazi banues në lagjen 8, familje e komunitetit rom të cilët ishin nisur drejt Greqisë dhe më pas destinacioni i tyre ishte Gjermania. 

Sipas Irena Xhambazit arsyeja e largimit nga Shqipëria ka qenë për shkaqe shëndetësore teksa është bllokuar në pikën kufitare duke i marrë të gjitha dokumentat. Ajo pohon se janë trajtuar keq nga policia kufitare duke diskriminuar komunitetin rom. Gjithashtu thekson se i është dashur të shesë gjitha orenditë e shtëpisë për të siguruar lekët e udhëtimit ndërsa pas rikthimit gjendja ekonomike është mjaft e rënduar. 

Gjatë muajve të fundit është shënuar një numër i madh, mbi 300 familje kryesisht të komunitetit rom që janë drejtuar Gjermanisë për të kërkuar azil politik.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)