HONG KONG - Gigi, vajza e miliarderit të njohur në Hong Kong, Cecil Chao ka reaguar ndaj vendimit të të atit i cili ofroi 50 milionë euro për djalin që do të martohej me vajzën e tij.

Gigi është shprehur se është prekur nga ky vendim i të atit. Një miliarder i njohur në Hong Kong ka ofruar plot 50 milionë euro për atë mashkull që do jetë në gjendje të fitojë zemrën e vajzës së tij dhe ta bindë atë për martesë.

Vetëm se ka një problem. Vajza e tij është lesbike. Miliarderi i pronave dhe anijeve, Cecil Chao, e bëri publik premtimin e tij pasi u raportua se vajza e tij mund të ishte martuar me të dashurën e saj. Chao, që vetë nuk është martuar kurrë, tha se vajza e tij është akoma single dhe ka nevojë për një burrë të mirë.

Martesat e seksit të njëjtë nuk njihen në Hong Kong, edhe pse homoseksualiteti është dekriminalizuar në vitin 1991. Gigi Chao thuhet se është martuar me partneren e saj prej shtatë vitesh, në një ceremoni në Francë. Por babai i saj thotë se nuk është e vërtetë.

Miliarderi është shprehur se: "Nuk ka rëndësi nëse je i pasur apo i varfër, e rëndësishme është që të jesh bujar dhe të kesh një zemër të madhe. Gigi është shumë e mirë, me talent dhe e bukur. I do prindërit e saj, është bujare dhe bën shumë bamirësi".

Megjithëse ka shpallur publikisht gjuetinë për një mashkull, ai thotë se nuk do e detyrojë vajzën e tij të martohet me dikë.

(S.Ç/Shqiptarja.com)