Vdekja e aktorit shqiptar Gjergji Lala në Poliklinikën Umberto I në Romë ka çuar në hapjen e një hetimi nga Prokuroria italiane. Familjarët e aktorit 78-vjeçarit kanë kallëzuar spitalin, duke pretenduar se ai vdiq pa marrë ndihmën e nevojshme, ndërsa hetimi është regjistruar për veprën penale të vrasjes nga pakujdesia.
“Babai ynë vdiq para syve tanë, pa bërë askush asgjë për ta ndihmuar”. Këto janë fjalët me të cilat përfundon kallëzimi i familjarëve të aktorit, sipas mediave italiane që kanë raportuar rastin.
Për momentin nuk ka persona nën hetim. Prokuroria synon fillimisht të shqyrtojë përfundimet e autopsisë përpara se të vendosë nëse do të ketë regjistrime të mundshme të personave të përfshirë në procedim.
Sipas raportimeve, kur Lala mbërriti në Poliklinikën Umberto I, gjendja e tij shëndetësore ishte e ndërlikuar. Megjithatë, familjarët pretendojnë se situata nuk dukej aq e rëndë sa të linte të kuptohej se mund të përfundonte në mënyrë tragjike.
Gjergji Lala ishte një figurë e njohur për publikun shqiptar, por prej vitesh jetonte dhe punonte në Itali. Gjatë karrierës së tij ai mori pjesë në disa prodhime televizive dhe kinematografike të njohura. Mes serialeve ku ai u shfaq përmenden “Don Matteo”, “La Squadra”, “Gli Orologi del Diavolo” dhe “Romulus”. Ai pati role edhe në filma si “House of Gucci”, “Gangs of New York” dhe “Il papà buono”, me regji të Ricky Tognazzit.
Sipas rindërtimit të ngjarjeve të publikuar nga mediat italiane, problemet shëndetësore të aktorit nisën më 14 maj. Djemtë e tij, Renato dhe Klaudio, e dërguan në urgjencën e spitalit të Frosinones për shkak të komplikacioneve në veshka.
Pak javë më herët, Lala ishte operuar në fshikëzën urinare për shkak të një tumori. Për shkak të kompleksitetit të rastit, mjekët e Frosinones vendosën transferimin e tij në Poliklinikën Umberto I në Romë, ku ai u pranua me kod të kuq.
Gjatë qëndrimit në spital u konstatuan disa komplikacione të tjera. Një prej tyre ishte një frakturë e femurit. Sipas raportimeve, mbetet ende e paqartë se kur dhe ku ishte shkaktuar kjo dëmtim. Nuk dihet nëse fraktura kishte ndodhur para shtrimit në spital apo gjatë qëndrimit të tij në strukturën shëndetësore. Ajo që dihet është se dëmtimi i shkaktonte dhimbje të forta aktorit.
Më pas ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje për rivendosjen e kateterit në veshkë. Pas operacionit, sipas mediave italiane, u infektua me bakterin Klebsiella. Pas rreth 20 ditësh ai arriti ta kalonte infeksionin, por gjendja e tij fizike mbeti e dobësuar.
Nga ai moment, sipas rindërtimit të familjarëve, gjendja e aktorit nisi të përkeqësohej me shpejtësi. Më vonë ai u prek edhe nga një tjetër infeksion bakterial, të cilin familjarët e konsiderojnë si një element që mund të ketë ndikuar në vdekjen e tij.
Tashmë do të jetë hetimi i Prokurorisë së Romës dhe rezultatet e autopsisë që do të përcaktojnë shkaqet e sakta të vdekjes së Gjergji Lalës dhe nëse ka pasur përgjegjësi nga ana e personelit shëndetësor gjatë trajtimit të tij në spital.
Gjergji Lala aktor dhe regjisor shqiptar, lindi më 6 dhjetor të vitit 1947 në Lushnje dhe ndërroi jetë me 17 qershor 2026 në Itali. Ai ka luajtur shumë role në teatër dhe kinematografin shqiptare. Më i përmenduri është roli i Mihal Gramenos në filmin shqiptar “Liri a vdekje”.
Komente









Qofte i parajses. Ne rolin e Mihal Gramenos tek filmi "Liri a Vdekje" Gjergji Lala ka shkelqyer.
Përgjigju