Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka mbërritur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku do të dëshmojë lidhur me akuzat e tij ndaj ministrit Fatmir Xhafaj, pas audio-përgjimit të Albert Veliut, njohur ndryshe si dosja Babale. Salianji pritet të merret në pyetje nga prokurorët e Krimeve të Rënda. Lajmi u bë publik dje, ndërkohë që thirrja në prokurori e deputetit demokrat vjen vetëm disa ditë pasi nga Anglia ka ardhur përgjigja e audio-përgjimit të pretenduar mes Albert Veliut njohur si Babalja dhe Agron Xhafajt vëllait të ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj.

Nga të dhënat e para mësohet se ekspertët anglezë kanë mbërritur në përfundimin se përgjimi nuk është autentik. Prokuroria e Tiranës regjistroi procedimin penal pasi mori një kallëzim nga Agron Xhafaj, i cili u vetëdorëzua tek autoritetet italiane për të vuajtur dënimin. Mbetet për t’u parë nëse Salianji do të merret përsëri në pyetje apo do t'i komunikohet akuza.

Në datë 21 maj të këtij viti, tre zyrtarët e Partisë Demokratike, Ervin Salianji, Gazmend Bardhi dhe Enkelejd Alibeaj kanë dhënë dëshminë e tyre në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, lidhur me përgjimin e PD, ku pretendohet se Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj është i përfshirë në trafikun e drogës.