Deputetja e Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi është shprehur se kryedemokrati Sali Berisha duhet të heqë dorë nga thirrjet për dhunë dhe të mos sulmojë institucionet dhe policët me molotov.
Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Çaushi tha se Berisha në të gjithë karrierën e tij politike ka pasur si synim djegien dhe shkatërrimin e Shqipërisë.
“Sot diskutojmë për shërbimin e jashtëm, për mënyrën sesi Shqipëria përfaqësohet në botë. Ky projektligj forcon karrierën diplomatike, qartëson përgjegjësitë, rrit meritokracinë dhe vendos më shumë rregull në një sistem që duhet të funksionojë me hierarki dhe disiplinë. Kur ne flasim për shtet, nga ana tjetër shohim një tjetër model. Shohim që djegin institucione, që sulmojnë Policinë e Shtetit, që dërgojnë përfaqësuesit e tyre jashtë kufijve për të shpikur e trilluar 1001 të zeza për vendin. Kjo është politika që doni të eksportoni jashtë kufijve? Spektakël mbi vendin dhe qytetarët. Të sulmoni punonjësit e policisë me flakë të molotovëve dhe të vini këtu e të thoni e bëmë për shtetin.
Doktor, tani në këto momente ndërsa Rama është i ulur në tryezën e rëndësishme të vendimmarrjes, duke vendosur Shqipërinë krah vendeve që ndërtojnë dhe jo shkatërrojnë, kurse ti një person non grata nga ai vend erdhe këtu për të përgatitur spektaklin tënd të radhës. Rama është në kilomentrin e fundit për ta vendosur flamurin kuqezi krahas atyre të vendeve anëtare të BE-së, ndërsa ti përpiqesh ta përdhosësh atë flamur në skenën e zezë të filmit tënd aksion të përjavshëm”, tha mes të tjerash Çaushi.
Çaushi vijoi më tej duke iu drejtuar Berishës me fjalët e ‘Yllit të Fierit’ i cili sipas saj kishte thënë për kreun e PD-së se ‘babi i Zenit e ka provuar më shumë se një herë se mbi çdo interes publik, vendos interesin e tij personal’.
“Doktor, po të drejtohem nga kjo foltore se e di që po më ndiqni se më keni merak të gjithë si parti. Ti ndoshta jo tani, sepse je në orarin e gjumit, por Muli, doktori yt i vogël, ti bie ai sihariqet, kështu i themi ne nga anët tona. Reflekto doktor, mos luaj me fatin e njerëzve. Njerëzit nuk harrojnë. Hiq dorë nga thirrjet për dhunë nga ai I-Padi jot për hesapet e tua politike. Ta kanë thënë edhe nga anët tua këtë gjë doktor. Ta ka thënë Ylli i Fierit dhe po ta rikujtoj ‘babi i Zenit e ka provuar më shumë se një herë se mbi çdo interes publik, vendos interesin e tij personal’”, tha mes të tjerash Çaushi.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- Kuvend/ Debate për nismën e PS-së që pengon gjykatat të pezullojë ministrat! Bardhi: Dorëzoni Ballukun! Balla: McAallister s’u erdhi te partia









