Bajerni i Mynihut është shpallur matematikisht kampion i Gjermanisë për të dytin vit radhazi duke thyer të gjitha rekordet.

Ekipi i drejtuar nga spanjolli, Pep Guardiola arriti që të siguronte titullin kampion si kurrë më parë në Bundesligë, 7 javë përpara fundit të kampionatit.

Bavarezët siguruan titullin pas fitores përballë ekipit të Hertës së Berlinit në transfertë me rezultatin 1-3, golat u shënuan nga Kros, Gëtze dhe Riberi.

Pas fitores së kampionatit, Guardiola tani ka filluar që të mendojë për ndeshjen e Champions League në çerekfinale përballë ekipit të Mançester United.

Në ndeshjet e tjera në Gjeramni, Dortmundi ka barazuar, ndërsa Bremeni ka humbur.

Shkëlqejnë shqiptarët në Gjermani
Ilir Azemi dhe Alban Meha kanë realizuar të dy në fitoret e Greuther Fuirth dhe Paderborn, që janë dhe kandidate për të hyrë në Bundesligë sezonin e ardhshëm. Alban Meha realizoi golin e dytë në fitoren e Paderborn 3-0 ndaj St.Paulit.

Shqiptari që po mahnit Gjermaninë shënoi në minutën e 58, pas një goditje të jashtëzakonshme në hyrje të zonës, duke u ngjitur në kuotën e 10 golave këtë edicion. Alban Meha pas rikthimit nga dëmtimi që e mbajti larg fushave për një kohë të gjatë po shkëlqen duke shënuar pothuajse në cdo javë në kampionat, madje super gola me goditje standarde.

Drejtuesit e ekipit të Paderbon pritet që të ofrojnë edhe një zgjatje të kontratës pas paraqitjeve këtë edicion. Paderborn është pretendent për t’u ngjitur në Bundesligë. Ndërsa Ilir Azemi shënoi dy golat e parë për ekipin e tij.

Golin e parë Azemi e shënoi në minutën e 39-të, ndërkohë që të dytin në minutën e 54,  Greuther Fuirth fitoi 4-1 ndaj Fortunës së Duseldorfit. Azemi u vlerësua madje dhe si lojtari më i mirë i ndeshjes, deri tani ka shënuar 6 golave në kampionat.

d.b/shqiptarja.com