Në Reggio Emilia, vendasit e Sassuolos treguan se janë në vështirësi dhe humbën 0-3 kundër Leçes. "Mapei Stadium" pa dy gola të shpejtë, me Gendrey dhe Dorgu që shënuan në minutat 11 dhe 15-të. Me tri pikët "në xhep" puljezët e Leçes nuk u vendosën në vështirësi as në pjesën e dytë, madje gjetën golin me Piccoli në të 61 minutë, për të "vulosur" tri pikët. Te vendasit nga minuta e parë luajti Nedim Bajrami, teksa Marash Kumbulla qëndroi në stol. Ndërkohë te Leçe mungoi Ylber Ramadani për shkak të lëndimit, ndërsa Medon Berisha u fut në fushë në minutën e 75. Me 35 pikë Leçe ngjitet në vendin e 13-të dhe thuajse ka siguruar mbijetesën, ndërkohë që Sassuolo është në zonën e ftohtë me 26 pikë.