Baleti i Kosovës 34 vjet
i shpërfillur nga Tirana

Baleti i Kosovës 34 vjet<br />i shpërfillur nga Tirana
TIRANE- Kanë kaluar plot 34 vjet që Baletit Kombëtar të Kosovës nuk i është krijuar asnjë mundësi për shfaqje në Tiranë. Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës vjen për herë të parë në Tiranë me një shfaqje të përgatitur me koreografi të Ilir Kernit dhe një nga koreografi kosovar Mehmet Bakalli. Bëhet fjalë për shfaqjet “Balloja e diplomës” dhe “Dashuria që vret”, të cilat në datat 14, 15 Mars dhe 16 mars 2014 do të ngjiten në skenë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. Hera e fundit që ka qenë në Shqipëri trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës ka qenë viti 1980, me shfaqjen koreografike të titulluar “Halili dhe Hajria”, që ishte realizuar nga kompozitori Tish Daija në vitin 1963.

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj, shprehet se ndihet i respektuar iu është dhënë mundësia që pas tridhjetë e katër vitesh të shfaqin dy koreografi nga repertori i tyre para publikut shqiptar në sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. “Pas përfundimit të luftës ne kemi dhënë shfaqje të repertorit tonë në disa qytete shqiptare si në Tiranë, Durrës, Vlorë, Apoloni, në Elbasan dhe në qytete të tjera.

Mirëpo paraqitja jonë Operën e Tiranës do të jetë për të parën herë, pasi më herët nuk na është krijuar mundësia nga udhëheqja e mëparshme e Teatrit të Operës dhe Baletit shqiptar, për të pasur paraqitje koreografike me trupën e Baletit të Kosovës përpara publikut tiranas”, ka thënë Brahimaj, duke shtuar më tej se “Ky bashkëpunim ka qenë i domosdoshëm ndërmjet dy trupave të Baletit, të Kosovës dhe Shqipërisë. Tashmë ne kemi raporte dhe mundësi të tjera me drejtorin e Operës dhe Baletit, Ilir Kerni. Ai na ka ofruar përkrahje të vazhdueshme dhe na ka thënë edhe herëve të tjera të jemi pjesë e repertorit të Operës dhe Baletit shqiptar”.
 
Shfaqjet që do të jepen në Tiranë
 Shfaqja koreografike “Balloja e Diplomës” është një përmbledhje e pjesëve muzikore të Johan Strauss (valse, marshe, mazurka, galop, etj.) të cilat së bashku krijojnë tërësinë e një vepre. E bukura e kësaj shfaqje qëndron në freskinë dhe thjeshtësinë e saj. Në një konvikt nxënësesh, vajzash të reja, organizohet Balloja e Diplomës dhe me këtë rast ftohen të festojnë në ditën e diplomimit të tyre edhe disa kadetë të rinj të një shkolle ushtarake aty pranë.

Ajo që i fton, por edhe që i mbikëqyr njëkohësisht, është Guvernantja, ose drejtoresha e vajzave. Rolin e Guvernantes do ta interpretojë Alisa Gjoni. Guvernantja dhe vajzat e presin këtë moment me shumë emocion dhe së bashku përgatisin një program që do t’i bëjë të dyja palët të mbeten të kënaqur. Megjithëse në fillim të dyja palët janë të ndrojtura karshi njëra-tjetrës, dalëngadalë mes të rinjve fillojnë të lindin pëlqimet dhe simpatitë e para. Përjetimit të ndjenjave nuk u shpëton as Guvernantja dhe Gjenerali (në rol është Erlad Zela), një burrë në moshë që udhëheq kadetët e rinj.

Festës i vjen fundi, dhe kadetëve u duhet të kthehen në garnizon. Vajzave dhe drejtoreshës nuk u mbetet gjë tjetër veçse të shpresojnë që një gjë e tillë do të ndodh sërish, po kaq bukur dhe me ndjenjë…. Ndërsa baleti “Dasma” ka pasur disa ngjitje të suksesshme në Kosovë dhe drejtuesit e trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës premtojnë “një sukses të ri” në Tiranë.

“Balloja e diplomës”
 
Koreografia: Ilir KERNI (sipas David Lichine)
Skenografia: Tonin Prendi
Kostumet: Elva Bella
Baletmaestër: Alisa Gjoni
 
Interpretojnë:
Solistët dhe Trupa e Baletit  e TKOB
 
Në datat 14 dhe 15 Mars 2014, Ora 19.00
 
Guvernantja: Alisa Gjoni; 
Gjenerali: Erald Zela; Besi Skura;                     
Vajza e parë: Ledia Sulaj; 
Vajza e dytë: Jonida Onuzi, Odeta Dishnica; Bateristi: Endri Shkoza; Fatjon Lito; 
Pas de deux “La Sylphide”: Enada Hoxha, Gerd Vaso; Erisa Gina, Dion Gjinika; 
Rivale foute: Jonida Onuzi, Loreta Bala, Adela Muçollari;  
Kadeti i parë: Ervis Nallbani; 
Kadeti i dytë:Dion Gjinika.
 
 “DASMA”
Balet me 1 akt
 
Koreografia: Mehmet BAKALLI
 
Interpretojnë:
Solistët dhe Trupa e Baletit  të Kosovës
 
Në datën 16 Mars 2014, Ora 19.00


Shkrimi u publikua sot (11.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

E zezë apo indiane? Trump vë në dyshim identitetin racor të Harris, reagon Shtëpia e Bardhë

E zezë apo indiane? Trump vë në dyshim identitetin racor të Harris, reagon Shtëpia e Bardhë