“Dasma” e Preljocaj me balerinët shqiptarë turne dyjavor në teatrot e Italisë

Noémie Perlov, asistent-koreografja e baletit “Preljocaj” ka ardhur në Tiranë për të përgatitur balerinët shqiptarë për turin dyjavor  të baletit “Noces (Dasma)”&“La Stravaganza” në teatrot e Italisë.

Trupa e baletit do të japë shfaqje duke filluar nga data 29 prill në disa qytete të Italisë me këtë vepër të koreografit të mirënjohur Angjelin Preljocaj.

Noces & La stravaganza do të prezantohet nga trupa e baletit në disa nga teatrot e rëndësishme në Itali si në “Teatro Giordano” në Foggia,  “Teatro Garibaldi” në Bisceglie, “Teatro Abeliano” në Bari dhe “Teatro Apollo” në Leçe.

 Turi i shfaqjeve të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Itali realizohet në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe  Presidenti i Rajonit të Puglia-s, z. Michele Emiliano. Marrëveshja është nënshkruar  në fushën e atit, kulturës dhe turizmit kulturor mes Shqipërisë dhe Rajonit të Puglia-s.

 “Kemi shpallur prioritet diplomacinë kulturore dhe është detyrë e institucionit të krijojë mekanizmat e duhur që skena e vogel e artit shqiptare të përballet me skenën e madhe evropiane”, u shpreh ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro rreth këtij bashkëpunimi.

“Noces” është baleti 29-vjeçar që mban peshën e fortë të origjinës së Angjelinit me një energji të bukur”- u shpreh Noémie Perlov, bashkëpunëtorja më e afërt e koreografit prej disa vitesh, e cila ka mbërritur në Tiranë për të përgatitur trupën e baletit përpara nisjes në Itali.

Përzgjedhja e baletit të Preljocaj është bërë nga pala italiane, që këmbëgulën mes disa shfaqjeve të suksesshme më shumë për baletin e Preljocaj, e donin shumë Preljocaj”, -u shpreh drejtoresha e TKOB-it Zana Çela. Ndërsa asistentja e Angjelin Preljocaj, Noémie Perlov, tha se ndihet shumë e kënaqur sa herë vjen në Shqipëri.

“Angjelini kur e ka krijuar këtë ishte vetëm 29 vjeç, tani jemi moshuar, por spekakli nuk ka pasur asgjë rrudhë, nuk është plakur”, u shpreh asistent-koreografja franceze e baletit “Preljocaj” në një konferencë për mediat. Më tej zonja Perlov tha se “Në fakt kjo pjesë shfaqet në të ngjithë botën, madje është e çuditshme që çdo vend e vesh atë me kulturën e vet, e perfomon me ngjyrimet e veta”

Noémie Perlov ka shumë arsye për ta vlerësuar veprën e koreografit me famë botërore Angjelin Preljocaj.

“E vlerësoj shumë rivënien e kësaj pjese në skenë, sepse mbart një peshë të madhe që është e mbështeur fort tek Angjelini, sigurisht ajo do të vijë në skenë me një energji të bukur, të cilën edhe unë e mbështes fort”, tha zonja Perlov, duke falënderur edhe balerinët shqiptarë që sipas saj janë shumë të përfshirë në frymën e këtij baleti.

“Turi i shfaqjeve do të prezantojë veprat më të arrira skenike të trupës sonë të baletit, ndërsa shpresojmë në vendosjen e kontakteve me teatro të tjerë në Itali dhe më gjerë. Është detyrë e institucionit të vazhdojë me bashkëpunime ndërkombëtare, të cilat rrisin kapacitetet artistike të artistëve të TKOB-së”- u shpreh drejtoresha e institucionit Zana Çela.

Baleti “La Stravaganza” me koreografi të Angjelin Preljocaj do të interpretohet për 30 minuta në skenat e teatrove italiane. Me ndihmën e  aistent-koreografes Noémie Perlov dhe me skenografi të Maya Schëeizer e kostumet e Hervé Pierre, në këtë vepër do të interpretojnë Ledia Sulaj, Loreta Bala, Odeta Dishnica, Elda Logo, Adela Muçollar, Rovena Shqevi, Gerd  Vaso, Fation Lito, Anxhelo Muçollari,  Eltjon Merja, Andi Vrapi e Kristi Dushmani.

Baleti Noces (Dasma) me koreografi të Angelin Preljocaj do të interpretohet për 35 minuta në skenat e teatrove italiane. Me ndihmën e asistent-koreografeve Noémie Perlov e Claudia De Smet dhe me kostumet e Caroline Anteski-t dhe muzikën e Igor Stravinskit, interpretuar nga: Percusionet e Strasburg dhe Kori kontemporan i d'Aix-en-Provence, drejtuar nga Roland Hayrabedian, do të interpretojnë në këtë vepër Loreta Bala, Odeta Dishnica, Rovena Shqevi, Adela Muçollari, Elda Logo, Gerd Vaso, Eltjon Merja, Kristi Dushmani, Besi Skura e Andi Vrapi.

“La Stravaganza”, krijim i 1997-s,  emocion midis një burri e një gruaje

Ky balet bashkon dy copa të krijuara për Baletin e Qytetit të Nju Jorkut 21 vjet më parë. Megjithatë, Angelin Preljocaj shfaqet me një hijeshi ekstreme, të inspiruar nga e kaluara neoklasike e baletit dhe komedisë muzikore; një ide e Shteteve të Bashkuara dhe historisë së tyre, si për emigracionin ashtu edhe për magjistarët e Salemit.

Baleti përshkruan gjyqin e katër grave të veshura jo me të bardha, por me rroba me njolla të kuqe. Të katër burrat, të rreptë me të zeza, kërcejnë ashpër, ndërkohë që të çrregullt dhe sensualë, duket se u bëjnë thirrje forcave që u mungojnë. Linjat gjeometrike të elementëve dekorativë, ose të muzikës perkusive instalojnë një univers të ftohtë dhe të frikshëm. Derisa të vijë një melodi dhe lind një emocion midis një burri dhe një gruaje. Një takim që nuk do ta ndalojë zjarrin e kunjit, as ëndrrën e një ringjalljeje.  ...

Grupet përballen me shpenzimet e tyre ekstravagante, kulturat e tyre dhe gradualisht hyjnë në gjurmët e tjetrës. Baroku dhe epoka e lashtë, e kaluara dhe e tashmja, përballen, qasen, përzihen, asimilojnë, pa hequr dorë nga kujtesa e botës së tyre. Çiftet e të gjitha moshave të emigracionit amerikan po formojnë dhe mposhtin logjikën e grupeve, për t'i çuar ato në një vend tjetër. Me valle virtuoze dhe të jashtëzakonshme, “La Stravaganza” ka hyrë në repertorin e shumë baleteve europiane.

“Noces” (Dasma), kijim i 1989-s”, i frymëzuar nga histori personale

“Dasma” si pjesë baleti është krijuar në vitin 1989 nga Preljocaj. Kur prindërit e tij ishin arratisur nga Shqipëria, ai ende s’kishte lindur. E ëma ishte shtatzënë dhe ai lindi në Francë, pak muaj më vonë.

“Baleti ‘Dasma’ u realizua nga eksperienca ime nga ajo që unë kisha parë në dasmat që organizoheshin në familjen time, sidomos në Mal të Zi, ku kam dhe anëtarë të familjes sime. Kjo është një vepër tërësisht shqiptare, e shqiptarizmi im mund të ndihet jo vetëm aty, por dhe në vepra të tjera të miat. Unë jam thellësisht i lidhur me vendin e origjinës, çdo pjesë e imja e vënë në skenë në mënyrë direkte ose jo, reflekton brendinë time dhe origjinën time”. “Gjithmonë dasmat më janë dukur si tragjedi të çuditshme. Ndoshta, nisur nga tradita ballkanase apo thjesht prej fantazisë së gjallë të një fëmije, instiktivisht e kam ditur që kishte një mister që shoqëronte figurën e nuses, e cila asnjëherë nuk shfaqej gjatë festimeve të dasmës së saj. Rituali që shprehet në balet është tërësisht shqiptar dhe ka lidhje me mënyrën sesi organizoheshin dasmat shqiptare, ku nusja nuk njihte bashkëshortin e saj, apo krushqit vinin të armatosur për të marë nusen”, është shprehur Preljocaj në vënien e parë skenike të kësaj vepre në Tiranë në vitin 2016.

“Forca e dansit qëndron te fuqia për të interpretuar atë që unë ndiej. Unë përfaqësoj diçka që duhet banuar, që duhet veshur, dhe janë pikërisht valltarët, balerinët ata që do t’i japin pjesës sime të gjithë veshjen e saj”, ka thënë koreografi i kësaj vepre, Angjelin Preljocaj.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vox Pop/Ku do e presin shqiptarët natën e ndërrimit të viteve?

Vox Pop/Ku do e presin shqiptarët natën e ndërrimit të viteve?