Pak kohë më parë gazetari i Report Tv, Artan Hoxha shprehej se Klement Balili nuk pranon që të dorëzohet pa u dërguar dosja në gjykatë për t’u njohur me akuzat që janë ngritur ndaj tij. Dhe në fakt dorëzimi i tij erdhi vetëm pak ditë, pasi autoritetet greke sollën në Tiranë letërporosinë, teksa në fund të janarit pritet që dosja të dërgohet për gjykim.
“Klement Balili nuk pranon të dorëzohet deri sa prokuroria të dorëzojë dosjen në gjykatë, pasi pretendon se nuk ka prova. Ai ka thënë se në momentin që dosja do të shkojë për gjykim, do të dorëzohet. Policia nuk ka arritur ta thyejë këtë sistem mbrojtës që ka krijuar Balili për ta arrestuar. Ne dimë çfarë provash ka sjellë Greqia, por nuk dimë çfarë ka bërë prokuroria shqiptare me hetimet”, shprehej pak kohë më parë gazetari i Report TV, Artan Hoxha.
E ndërsa për dy vite me radhë ish-ambasadori amerikan Donald Lu kërkoi disa herë arrestimin e Balilit, pas largimit të tij, në tetor të vitit të kaluar, kryeministri Edi Rama kërkoi që baroni i drogës të prangoset para se të vinte ambasadorja e re amerikane.
“Nuk dua që të presim të vijë ambasadorja e re e SHBA që të thotë se Klement Balili nuk është arrestuar ende. Nuk dua i dashur drejtor, të na përmendë ambasadorja e re amerikane Klemend Balilin, ashtu si nuk dua të jenë në detyrë drejtorë e shefa, në zona, ku uniforma vihet në diskutim”, shprehej Rama dhe në fakt, Balili u kap para ardhjes së ambasadores së re të SHBA.