Sot Balla është ndalur në deklaratën e pasurisë së çiftit Argita Berisha - Jamarbër Malltezi, duke i quajtur si çifti më i paguar në Europë, pasi në total ata fitojnë 216 milionë lekë në vit nga profesioni i mësuesit, në bazë të deklaratës së pasurisë.
“Bazuar në deklarimin zyrtar të pasurisë së Sali Berishë dhe familjes së tij sot do të flasim për për çiftin më të mirë paguar në Shqipëri, Argita Berisha dhe Jamabër Malltezi. Gjatë 2 ditëve të fundit treguam si vajza e Kryeministrit paguhet 146 milionë lekë në vit si mësuese. Kjo nuk mjaftonka. Në një vit bashkëshorti i saj fiton 70 milionë lëkë si mësues, kjo sipas deklaratës së pasurisë së Jamarbër Malltezi, dhëndri i Kryeministrit. Për ta bërë më të qartë për të gjithë shqiptarët, nga përllogaritja rezulton se çifti në një vit vetëm për mësuesin fiton 216 milionë lekë, ndërkohë që fitimet totale shkojnë në 313 milionë lekë. Ky është çifti më i paguar i bllokmenëve blu, vajza dhe dhëndri i Kryeministrit. Nëse zonja Argita fiton njësoj sa zv/presindeti amerikan Joe Biden, si çift nuk gjejmë dot një krahasim”, u shpreh Balla.
Më tej deputeti socialist llogarit edhe orët e mësimit që duhet të bëjë çifti Argita Berisha-Jamarbër Malltezi që të përligjë deklaratën e pasurisë. Balla tha se zonja Argita duhet të punojë 22 orë në ditë si mësuese që të fitojë 146 milionë lekë në vit.
“Vlen të ndalohet një çast mbi këtë çift arsimtarësh oborrtarë, të cilët duke dhënë mësim arrijnë të mbledhin midis tyre një shumë që kalon buxhetet e shumë shkollave publike. Deklarojnë se merrkan plot 216 milionë lekë nga mësimdhënia. E duke qenë se kjo nuk është një fushë abstrakte, të dy bashkëshortët duhet të përgjigjen publikisht për ti bërë me dije publikut se sa është tarifa që ata paguhen në orë. Dihet publikisht se çdo orë mësimi në fakultetet shtetërore paguhet maksimumi 10 mijë lekë dhe në fakultetet private paguhet maksimumi 30 mijë lekë.
Pas një llogarie të thjeshtë, sipas kësaj tarife, del se Jamarbëri jep me këtë tarifë 2333 orë mësim, ndërsa Argita thyen çdo rekord duke rezultuar se jep 4867 orë mësim në vit. Me këtë llogari mjaft të thjeshtë na rezulton se zonja Argita Berisha, në 223 ditë shkollore në total, jepka mësim gati 22 orë në ditë, pavarësisht në është ditë apo natë. A mund të besohet kjo? Mendoj se ka ardhur momenti që zonja Berisha të shpjegojë vetë shifrat që ajo ka deklaruar si individ i lirë. Sa paguhet për çdo orë mësimi vajza e kryeministrit? Po bashkëshorti i saj? Në çfarë universitetesh paguhen këto tarifa? Publiku shqiptar ka nevojë të njihet me të vërtetën për të ardhurat e zonjës Berisha dhe bashkëshortit të saj”, deklaroi deputeti i PS-së.
Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)