Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Taulant Balla, së bashku me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi dhe kryetarin e Bashkisë Kamëz Rakip Suli zhvilluan një bashkëbisedim me banorët e Kamzës, ku diskutuan për investimet dhe punët e realizuara në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve dhe energjisë elektrike.
Gjatë takimit Balla theksoi se Kamza ka pësuar një transformim të madh krahasuar me vitin 2019, duke u kthyer në një nga bashkitë model për zhvillimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Balla tha se investimet në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve kanë sjellë një përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së jetesës dhe nënvizoi se ndërmarrja e ujësjellësit në Kamëz është një nga 14 ndërmarrjet në vend që operon me bilanc pozitiv, pavarësisht se ende vijon të shlyejë borxhet e trashëguara nga e kaluara.
Balla shtoi se një lajm shumë pozitiv për qytetarët është ecuria e mirë e punimeve për ndërtimin e nënstacionit të ri dhe rrjetit të furnizimit me energji elektrike 20kV, duke garantuar furnizim më të qëndrueshëm dhe cilësor me energji.
Në përfundim, Balla theksoi se projektet për Bashkinë Kamëz duhet të jenë ambicioze dhe në përputhje me kërkesat në rritje të qytetarëve, me synimin për të ofruar standarde gjithnjë e më të larta në shërbimet publike
Komente








