Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, mori pjesë në tryezën “Drejtësia Kushtetuese” gjatë konferencës me temë “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias”. Ai theksoi se mbështetja e këtyre dy institucioneve kanë qenë thelbësore për Shqipërinë. Sa i përket “Venecias”, kreu i grupit parlamentar të PS-së tha se ka ndihmuar në shmangien e krizave. Ai e konsideroi komisionin më shumë se një trup ekspertësh duke theksuar se është “një arkitekt i ekuilibrave kushtetues, një garant i standardeve evropiane dhe një mbështetës i vërtetë i demokracive në zhvillim, siç është rasti i Shqipërisë”.

“Në të gjitha këto situata, shpesh të ndjeshme dhe të debatueshme, Komisioni i Venecias ka shërbyer si një arbitër i vlerave dhe standardeve profesionale, duke ofruar qasje të balancuar që ka ndihmuar në shmangien e krizave. Ky respekt institucional është i mishëruar edhe në ligjin për Gjykatën Kushtetuese, ku parashikohet e drejta që kjo gjykatë t’i drejtohet Komisionit të Venecias për opinione mbi çështje të ndërlikuara kushtetuese. Ky fakt flet vetë për besimin e lartë dhe rëndësinë që i japim punës së Komisionit si një udhëzues i paanshëm, teknik dhe me integritet, veçanërisht në situata ku ka ngërçe institucionale apo paqartësi juridike”, tha Balla.

Sipas Ballës, jurisprudenca ekzistuese e Komisionit të Venecias do të ndihmojë edhe në dy reforma të rëndësishme, ajo zgjedhore dhe territoriale. Balla theksoi se duhet përdorur edhe një mjet tjetër që në Shqipëri nuk është shfrytëzuar sa duhet.

“Dua të ndalem veçanërisht edhe te një instrument shumë i rëndësishëm, por që nuk njihet aq sa duhet në Shqipëri: “Checklista e Shtetit të së Drejtës” (“Rule of Law Checklist”) e Komisionit të Venecias. Ky dokument është një udhëzues praktik dhe gjithëpërfshirës për të vlerësuar përputhshmërinë e legjislacionit dhe veprimtarisë së institucioneve me parimet themelore të shtetit të së drejtës, të cilin do të ishte me vend ta përdornim edhe gjatë raportimit të institucioneve të pavarura në Kuvend”, tha Balla.


Lajmi kryesor:

Jorida Tabaku akuza mazhorancës: Synon t’i heqë shtyllën kurrizore Kushtetueses, moszbatimi i vendimeve ka prodhuar kriza politike