Gjatë konferencës me temë “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias”, Jorida Tabaku theksoi se askush nuk është mbi Kushtetutën. Në panelin “Drejtësia Kushtetuese”, ajo akuzoi mazhorancën se po braktis vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe se kjo rrënon shtetin e së drejtës.
Deputetja demokrate theksoi se shumica politike ka zgjedhur rrugën e forcës dhe se mazhoranca ka vijuar përpjekjet për të ndikuar mbi përbërjen dhe integritetin e Gjykatës Kushtetuese.
“Por ajo që është edhe më shqetësuese është fakti se, ndonëse juristët dhe konstitucionalistët shqiptarë e dinë mirë rrugën e duhur, shumica politike zgjedh rrugën e forcës. Ajo e konsideron pushtetin si diçka që duhet zgjeruar përmes kontrollit, e jo forcuar përmes ekuilibrit. Kështu, siç po shohim edhe këto javë, përpjekjet për të ndikuar mbi përbërjen dhe integritetin e Gjykatës Kushtetuese vazhdojnë. Ndërprerja e mandatit të një anëtari të Gjykatës Kushtetuese që ka përfaqësuar vendimet e minorancës është ndërhyrje e hapur në përbërjen e Gjykatës Kushtetuese. Sa herë që vendimet pritet të jenë të rëndësishme, nis presioni për ndryshime, për ndërprerje mandati apo për delegjitimim të institucioneve që nuk i shërbejnë shumicës. Ky instrumentalizim dhe kjo politikë e dy standardeve përbëjnë sot rrezikun më të madh për drejtësinë kushtetuese. Sepse sa herë që shumica ka frikë nga drejtësia, kërkon t’i heqë shtyllën kurrizore Gjykatës Kushtetuese. Ndërprerja e mandateve kushtetuese, mosrespektimi i hierarkisë institucionale për dekretet e Presidentit, apo refuzimi për të zbatuar vendime të qarta të Gjykatës janë shembuj të qartë të kësaj logjike të rrezikshme”, tha Tabaku.
Sa i përket moszbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, Tabaku tha se ato kanë prodhuar shpesh edhe krizat politike.
“Fatkeqësisht, me gjithë reformën në drejtësi, kemi parë që Parlamenti dhe qeveria jo rrallë kanë refuzuar të zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Shpesh, krizat tona politike kanë qenë produkt i mungesës së respektit ndaj vendimeve të saj, e rrjedhimisht ndaj vetë Kushtetutës”, tha Tabaku.
Ajo mori si shembull edhe rastin e deputetes Olta Xhaçka. Sipas Tabakut, mazhoranca jo vetëm shkeli ligjin, por goditi vetë rendin kushtetues dhe besimin e qytetarëve tek drejtësia.
“Parlamenti hodhi në koshin e harresës një vendim të prerë të Gjykatës Kushtetuese për heqjen e mandatit të deputetes Xhaçka, duke u angazhuar në një sërë manovrash dhe akrobacish ligjore për t’iu shmangur zbatimit të vendimit. Kjo nuk qe vetëm shkelje ligji, por goditje ndaj vetë rendit kushtetues dhe besimit të qytetarëve tek drejtësia. Por jo vetëm kaq. Detyra e Gjykatës Kushtetuese nuk është të merret vetëm me konfliktet tona politike. Ajo ka për mision të mbrojë tri vlera themelore: shtetin e së drejtës, demokracinë dhe të drejtat e njeriut”, tha Tabaku.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, mori pjesë në tryezën “Drejtësia Kushtetuese” gjatë konferencës me temë “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias”. Ai theksoi se mbështetja e këtyre dy institucioneve kanë qenë thelbësore për Shqipërinë. Sa i përket “Venecias”, kreu i grupit parlamentar të PS-së tha se ka ndihmuar në shmangien e krizave. Ai e konsideroi komisionin më shumë se një trup ekspertësh duke theksuar se është “një arkitekt i ekuilibrave kushtetues, një garant i standardeve evropiane dhe një mbështetës i vërtetë i demokracive në zhvillim, siç është rasti i Shqipërisë”.
“Në të gjitha këto situata, shpesh të ndjeshme dhe të debatueshme, Komisioni i Venecias ka shërbyer si një arbitër i vlerave dhe standardeve profesionale, duke ofruar qasje të balancuar që ka ndihmuar në shmangien e krizave. Ky respekt institucional është i mishëruar edhe në ligjin për Gjykatën Kushtetuese, ku parashikohet e drejta që kjo gjykatë t’i drejtohet Komisionit të Venecias për opinione mbi çështje të ndërlikuara kushtetuese. Ky fakt flet vetë për besimin e lartë dhe rëndësinë që i japim punës së Komisionit si një udhëzues i paanshëm, teknik dhe me integritet, veçanërisht në situata ku ka ngërçe institucionale apo paqartësi juridike”, tha Balla.
Sipas Ballës, jurisprudenca ekzistuese e Komisionit të Venecias do të ndihmojë edhe në dy reforma të rëndësishme, ajo zgjedhore dhe territoriale. Balla theksoi se duhet përdorur edhe një mjet tjetër që në Shqipëri nuk është shfrytëzuar sa duhet.
“Dua të ndalem veçanërisht edhe te një instrument shumë i rëndësishëm, por që nuk njihet aq sa duhet në Shqipëri: “Checklista e Shtetit të së Drejtës” (“Rule of Law Checklist”) e Komisionit të Venecias. Ky dokument është një udhëzues praktik dhe gjithëpërfshirës për të vlerësuar përputhshmërinë e legjislacionit dhe veprimtarisë së institucioneve me parimet themelore të shtetit të së drejtës, të cilin do të ishte me vend ta përdornim edhe gjatë raportimit të institucioneve të pavarura në Kuvend”, tha Balla.
Komente













Jorida je bo e neveritshme,me i vrime po i bje fyllit.Ndrysho style,jep idera etj.Gjithe jeten tende politike vetem lloqe kot,duke mbajte qendrim pa qendrim.Flet kot ne pergjithsi,ngul çengelin te qeveria dhe fol.Fliti nje here Sales,po ta majti.
PërgjigjuËshtë Partia yte pa shtyllë kurrizore mi plehre që poe mban parlamentin peng me banditin Berrisha në krye!
Përgjigju