Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Taulant Balla, ka sulmuar Kryetarin e Bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja, për nisjen e punimeve në bulevardin kryesor të qytetit në kulmin e sezonit turistik, duke e cilësuar vendimin një dëm për ekonominë lokale dhe bizneset.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Balla akuzoi Qosen se, pas tre vitesh pa investime të dukshme, ka zgjedhur pikërisht muajt e verës për të prishur sheshin qendror të Kavajës.
“Po si ka mundësi që mjafton të kesh vulën e bufit dhe janë të gjithë njëlloj. Pas tre vitesh, pa asnjë punë, sot, mu në kulm të sezonit, shkallmohet qendra e Kavajës”, shprehet Balla.
Sipas tij, po hiqen pllakat e gurit që i jepnin sheshit një pamje europiane mesdhetare për t’u zëvendësuar me asfalt, një ndërhyrje që, sipas Ballës, përbën një dëm ekonomik pasi shkatërron një investim të rëndësishëm publik.
Balla ngriti edhe shqetësimin për kohën e ndërhyrjes, duke theksuar se punimet po dëmtojnë aktivitetin ekonomik të bizneseve në qendër të qytetit në periudhën me fluksin më të madh të vizitorëve.
“Ne duhet t’i ftojmë turistët që vijnë në Golem të vizitojnë edhe qytetin e Kavajës dhe të konsumojnë në bizneset e qendrës. Në vend të kësaj, kryetari i bashkisë ka zgjedhur të shkallmojë bulevardin kryesor pikërisht në kulmin e sezonit turistik”, deklaroi Balla.
Komente










