Bllokimi i foltores për të mos vijuar me raportet e palëve për reformën territoriale, është skenar i opozitës, tha Taulant Balla duke hedhur poshtë pretendimet se sot kalohet në votim. Ai hodhi propozimin e ndërprerjes së diskutimeve për reformën dhe kalimin te pr.rezolutat për institucionet e pavarura të drejtësisë.
“Nuk ka asnjë surprizë. Në seancën e ditës së hënë skenari të mos lëmë të flasë avokati i popullit. U bllokua foltorja që mos të flasë Endrit Shabani. Sot skenari është të mos lëmë të flasë z. Mazniku. Edhe sikur të tërhiqeshim ne, pastaj e ka radhën Shabani dhe aty ka të njëjtin skenar. Na e thanë kolegët tuaj skenarin, të ndërpritet seanca që të fillojmë pushimet sa më shpejt. Kjo nuk do të thotë të merrni peng seancën. Më vjen keq që sot s’kemi mundësinë të flasim për rezolutat. Ne dhe grupi i PS do ta gjejmë mundësinë të komunikojmë. Është e pavërtetë ajo që thoni ju që sot do të votohet reforma territoriale. Sot paraqiten raportet e dy palëve. Shpresoj që deri në shtator t’ju ketë dalë inati se ju e keni si shkollë nate këtë. Duke qenë se deputetët bllokojnë foltoren në mënyrë të përsëritur, kërkoj ndërprerjen e diskutimeve dhe kalimin në çështjet e rendit të ditës”, tha Balla.
Propozimi u miratua me 84 vota pro, 7 kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa u kalua në 5 minuta pushim. Mes votave pro ishte edhe ajo e kryeministrit Rama, i cili merr pjesë në seancë.
Lajmi kryesor:
Kuvend/ Debate për ‘Territorialen’, PD bllokon foltoren! Bardhi i hedh ujë Ramës, përjashtohet! PS kalon direkt në votim









