Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka folur në Parlamentin Europian edhe për investimin në Zvërnec dhe aeroportin e Vlorës.

Balla tha se në vendin ku aktualisht po ndërtohet aeroporti i Vlorës, ka pasur me parë një aeroport të ndërtuar nga italianët.

Sipas Ballës, nuk është ndikimi mjedisor shkaku për kundërshtimin e ndërtimit të aeroportit në Vlorë, por konkurrenca nga vendet fqinje.

Më tej Balla ftoi eurodeputetët e Parlamentit Europian që të krijonin një mision faktmbledhës, për të parë nga afër si është situata në Zvërnec dhe në vendin ku është ndërtuar aeroporti.

“Nga Parlamenti i Shqipërisë edhe unë jam regjistruar të them 2 fjalë lidhur me këtë temë. Është bërë qëllimisht që 2 parqet, i Vjosës dhe i Nartës të ‘bashkohen’ dhe të përmenden në një. Ne jemi i vetmi vend që ka një park të tillë në Europë si Vjosa. Ju duhet të mësoni nga ne, mos na jepni mësime. Lidhur me Aeroportin e Vlorës, duhet ta dini që aty ka pasur një aeroport shumë kohë më parë. Ka qenë një aeroport i ndërtuar nga italianët. Ne na nevojitet një port në jugun e Shqipërisë dhe lufta për aeroportin e Vlorës nuk ka të bëjë me çështjet mjedisore, por lidhet me konkurrencën. Neve na nevojitet një aeroport në jug. Shpresojmë që vitin që vjen të kemi mundësi të fluturojmë nga Vlora në Strasburg. Do ju ftoja të vinit të realizonit një mision faktmbledhës të gjithë bashkë, jo për të marrë like, por për të parë si është situata në terren”, tha mes të tjerash Balla.

Më tej, duke folur për ‘Zvërnecin’, Balla tha se ende nuk ka një leje të dhënë për ndërtimin e resortit, teksa shtoi se do të studiohet ndikimi që investimi do të ketë në mjedis.

Balla shtoi se qëllimi i Qeverisë është promovimi i turizmit të qëndrueshëm, për hapjen e sa më shumë vendeve të punës.

“Në vitin 2014 ne prezantuam moratoriumin e gjuetisë për të ruajtur jetët e flamengove. 21.7% e gjithë territorit të vendit tonë është zonë e mbrojtur. Kemi 12 parqe kombëtare kategoria 2, kemi 11 pejsazhe të mbrojtura. Sipërfaqja e tokës të cilën ju përmendët, është tokë private. Ajo çfarë u tha nuk ishte e saktë. Nuk ka leje të dhënë ende. Ndikimi mjedisor do të vlerësojë ndikimet e mundshme në habitat dhe burimet ujore. Do ketë transparencë me komunitetin lokal. Qëllimi ynë është të promovojmë turizmin e qëndrueshëm, që hap vende pune. Sepse kemi nevojë për më shumë vende pune. Jemi të bindur që të thithim investime dhe do të garantojmë dhe mbrojmë të gjitha aspektet mjedisore. Lufta më e madhe për demokracinë është luftë kundër dezinformimit dhe është një luftë që duhet ta realizojmë të gjithë bashkë”, shtoi Balla.


Lajmi kryesor:

S’ka konsensus mes PS e PD për rezolutën e përbashkët me PE! Opozita: Mazhoranca refuzoi amendamentet tona! Socialistët: Mohuat arritjet e vendit, iu bindët Saliut!