Kryetari  i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një deklaratë për mediat nga ambientet e Kuvendit, ka komentuar në emër të socialistëve, debatet në Komisionin e Medias.

Balla ka thënë se ishin 2/3 e deputetëve të Komisionit që kërkuan prezencën e Veliajt dhe Kumbaros në Komision. Balla ka paraqitur dokumentin e procedurës së Komisionit para gazetarëve.

Sipas Ballës, është e papranueshme që një parti politike të dërgojë në Komision deputetë të pajisur me vezë në xhepa për të sulmuar punonjësit e Gardës.

Sot konstatuam aktin e radhës së thyerjes së rregullores nga një person i propozuar nga PD-ja për të drejtuar Komisionin e Medias dhe Edukimit. Në mënyrë të përsëritur, Vokshi e ka kthyer këtë komision në një mjet personal. Dua të bëj publik dokumentin që 11 anëtarë të përhershëm kanë kërkuar praninë e Veliajt dhe Kumbaros. E falënderoj Veliajn që pranoi të merrte pjesë në Komision.  Ka qenë kërkesë e 2/3 në Komision. Aktorët e SHQUP-it të pajisur me vezë. Klevis Balliu ishte armatosur me vezë në të gjithë xhepat e  mundshëm të pantallonave. Salianji dhe Noka donin të dhunonin punonjësit e Gardës. I bëj thirrje PD-së dhe kryetarit Lulzim Basha të frenojë deputetët e tij nga këto akte të dhunshme. Po konsiderojmë nenet e rregullores për të kërkuar shkarkimin e Vokshit.

Taulant Balla, kryetar i grupit të  PS-së