Brenda kësaj jave kuvendi mund të rimblidhet përsëri në seancë plenare për të shqyrtuar dhe votuar reformën territoriale.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla e la të hapur mundësinë që reforma të kalojë në mënyrë të njëanshme brenda muajit korrik, pasi sipas tij kuvendi është ende në punë dhe se sesioni parlamentar përfundon të premten.
PS-dhe PD prishën pas shumë muajsh paktin për një produkt të përbashkët, ndërsa mazhoranca parlamentare vendosi të vijonte e vetme ndarjen territoriale.
Pyetje: A do të shkojë Partia Socialiste me një propozim për ndryshim në ligjin e vetëqeverisjes vendore, pasi deri më tani nuk shohim dakordësi në Komisionin e Reformës mes dy bashkëkryetarëve?
Balla: E para është që reforma administrativo-territoriale ka ecur. Sipas të gjitha parashikimeve tona. Nuk kam pasur asnjë dyshim në tetor, kur është votuar, që Partia Demokratike do të ishte në fund të këtij procesi e përfshirë. Është vendimmarrja e tyre. Megjithatë, Kuvendi do të jetë i përfshirë në raportin që ju e dispononi tanimë, të bërë publik nga bashkëkryetari i Komisionit, zoti Mazniku. kemi identifikuar disa propozime, të cilat nuk janë vetëm thjesht ndarje e re administrativo-territoriale.
Në sesionin tjetër, përveç kësaj pjese, do të keni edhe propozime që lidhen me përmirësimin e shërbimeve. Fokusi ynë është që të garantojmë që çdo shtetasi të Shqipërisë, pavarësisht se jeton në qendër të Tiranës apo në fshatin më të thellë të Shqipërisë, të ketë infrastrukturë arsimore të mirë, infrastrukturë shëndetësore të mirë, infrastrukturë rrugore të mirë, shërbime. Jo pa qëllim kemi investuar përmes e-Albania-s në përmirësimin e shërbimeve dhe ofrimin e shërbimeve online.
Për këto shërbime online duhet të ofrohen në mënyrë të atillë që edhe moshat e treta apo të tjerë që nuk i aksesojnë dot shërbimet, t'i kenë në zyrat e posaçme në çdo fshat, në çdo qendër komune, në mënyrë që ne të kemi, flas për zonën rurale, të garantojmë shërbime. Kështu që, për të qenë korrekt me përgjigjen e pyetjes padyshim që grupi parlamentar i Partisë Socialiste, por në rastin në fjalë duhet ta ndajmë. Do të jenë deputetët tanë në Komisionin e Posaçëm të Reformës Administrativo-Territoriale. Pas përfundimit të mandatit të Komisionit, pas paraqitjes së raportit përfundimtar në Kuvend, tani do vinë edhe propozimet.
Pyetje: do ta depozitoni? Brenda këtij sesioni, pra deri të premten, që është 31 korriku, për të fituar edhe këtë hapësirën kohore? Z. Balla, 60 ditë?
Balla: Nuk është puna te pjesa e fitimit të hapësirës, pa dyshim që kolegët tanë të komisionit të posaçëm vazhdojnë punën edhe në këtë moment që flasim bashkë dhe besoj që do ta konkretizojmë.
Pyetje: Do t'i qëndroni kërkesës për ndarje në rajone?
Balla: Tani, të lutem, unë dua që për këtë çështje të flasin ata të parët, ata që kanë bërë punën për muaj me radhë. Kështu që, për të gjitha këto, do të keni mundësi në ditë në vijim. Ne nuk po ikim me pushime, jemi këtu.
Lajmi kryesor:
Kuvend/ Me 74 votat e PS, miratohet huaja prej 302 mln $ nga SHBA për pajisje ushtarake! PD bojkoton seancën! Marrëveshja futet në fuqi menjëherë me miratim të Begajt

