Balli e Legaliteti: PD presion 
qytetarëve “Jo votë partive të vogla”

Balli e Legaliteti: PD presion <br />qytetarëve “Jo votë partive të vogla”
TIRANË - Partia Lëvizja e Legalitetit dhe Balli Kombëtar i bëjnë thirrje mbështetësve të votojnë me 21 qershor partitë e tyre por për kandidatët për kryetar bashkie të vendosin vetë sipas kandidaturave.

Thirrja është bërë nga kryetarët e këtyre forcave politike Sulejman Gjana dhe Adriatik Alimadhi pas prishjes së marrëveshje elektorale nga Partia Demokratike që udhëheq koalicionin opozitar.

Gjana dhe Alimadhi pretendojnë se kjo sjellje e Partisë Demokratike është një rast i paprecedent , kur partitë brenda një koalicioni nënshkruajnë marrëveshje e ajo thyhet gjatë një procesi elektoral. Edhe gjatë negociatave këto parti politike shfaqën pretendimet e tyre për përfaqësim në këtë proces zgjedhor, e kjo u vu re sidomos në shpalljen e listave për këshillat bashkiakë.

Deklarata e perbashket
Propaganda e majtë në Shqipëri e ka trumbetuar “Rilindjen” dhe “fitoren e 23 Qershorit 2013” si fitore të jashtëzakonshme dhe si mbështetje e fuqishme popullore, duke e glorifikuar deri në përmasat e mitit, paçka se qeverisja dyvjeçare ka sjellë deri më tash vetëm vështirësi dhe varfërim të shqiptarëve.

Rasti për ta sfiduar maxhorancën aktuale, për ta kanalizuar si duhet pakënaqësinë e njerëzve, për ta zhbërë mitin e “Rilindjes”, dhe për të ofruar një perspektivë të re dhe reale, janë zgjedhjet vendore të 21 Qershorit 2015.

Vlen të theksohet se maxhoranca aktuale ka punuar intensivisht dhe me objektiva të qarta për të siguruar fitoren e zgjedhjeve vendore, duke shfrytëzuar edhe ngurtësinë e qëndrimeve politike të PD... Qëndrime që çuan në hartimin e reformës administrative të vendit dhe përpilimin e një harte të ndarjes territoriale krejt të favorshme për maxhorancën, pa pjesëmarrjen e PD.

Për t’i bërë ballë agresionit ideologjik, propagandistik dhe ligjor të maxhorancës, partitë tona, PLL dhe PBK, dhanë kontribut maksimal nëpërmjet negociatave parimore, të logjikshme dhe të bazuara në rezultatet e zgjedhjeve vendore të kaluara.

Në traditën tashmë shumëvjeçare të bashkëpunimit tonë me PD, gjithnjë me pikësynimin e forcimit dhe konsolidimit të një të Djathe efiçiente në dobi të demokracisë dhe elektoratit shqiptar, finalizuam marrëveshjet dypalëshe të datës 20 Prill 2015, krahas marrëveshjes kuadër që u depozitua në KQZ, e që formalizonte koalicionin e partive të djathta.

Marrëveshjet dypalëshe sanksiononin:
1. Caktimin e kandidatëve të përbashkët për kryetar bashkie (të gjithë të PD)
2. Kriteret për hartimin e listave shumemërore të kandidatëve për këshillat e bashkive
3. Bashkëqeverisjen pas fitores në bashkitë dhe këshillat bashkiakë

Pa u tharë akoma boja mbi marrëveshjet e përbashkëta, PD në mënyrë të njëanshme e të paprinciptë i shkeli ato në thelb, sidomos në kapitullin e dytë për hartimin e listave shumemërore për këshilltarë, duke cënuar përfaqësimin tonë në këshillat bashkiakë dhe duke na shkaktuar qëllimisht një krizë besimi brenda strukturave tona, gjë që ne kurrsesi nuk mund ta tolerojmë.

Sikur të mos mjaftonte ky veprim i paprecedent në historikun e marrëdhënieve të partnerëve në një koalicion, nga burime të sigurta të strukturave tona në bazë na rezulton se, të deleguarit e PD për drejtimin e fushatës nëpër qarqe, kanë përcjellë në strukturat e bazës së PD mesazhin se “çdo votë proporcionale për aleatët është votë e çuar dëm”.
Këto veprime amorale të PD në raport me aleatët, janë një “thikë pas shpine” për partitë tona. Ato trondisin dhe zhbëjnë besimin për bashkëpunim në koalicion, madje krijojnë një precedent që dëmton rëndë, jo vetëm besimin në elektoratin e partive tona, por edhe në elektoratin e djathtë në përgjithësi, çka do të ndikojë negativisht në rezultatin përfundimtar.

Ne jemi sot këtu për t’iu drejtuar në radhë të parë elektoratit tonë me mesazhin se, në këto zgjedhje, duhet të mobilizohen më shumë se kurrë për të siguruar një rezultat maksimal në favor të PLL dhe PBK në votimin për këshilltarë, si dhe për ta ruajtur votën nga vjedhja e të gjitha palëve që punojnë për dështimin tonë.

Ne i bëjmë thirrje elektoratit tonë që, votën për kryetar bashkie në secilën nga 61 bashkitë ta hedhin atje ku i orientojnë bindjet e tyre personale, në bazë të gjykimit për aftësitë e kandidatëve të cilitdo subjekt qofshin, për të dhënë kësisoj më të mirën në dobi të komuniteteve lokale respektive.
 
Sulejman Gjana                                                                           Adriatik Alimadhi
Kryetar i PLL                                                                                 Kryetar i PBK


Redaksia Online
(al.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Ilir Metaj: Turizmi 2024?...Karvani do të ecë përpara

Ilir Metaj: Turizmi 2024?...Karvani do të ecë përpara