Deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu u takua në paraburgim me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Ai tha se ishte informuar nga Meta se prej 18 mujash nuk po lejohet të takojë as prindërit e sëmurë, ndërsa qelia ku qëndron është e vetmja që nuk ka sinjalizues për të kërkuar ndihmë.

Balliu përsëriti thirrjen që seancat ndaj tij të bëhen publike.

“Sot isha në burgun ‘313’ ku bëra një inspektim dhe takova Metën. Unë kisha dëshirë që ta sqaroja për disa gjëra, por në fund më sqaroi ai mua. E vetmja qeli ku nuk punon sinjali për të thirrur policinë është ai i Ilir Metës. Ajo që kërkon Meta më minimalja është që të ketë takime me deputetët e tij. Mund të them edhe diçka personale është se ai prej 18 muajsh që nuk takon prindërit e sëmurë, sepse këtu çdo gjë bëhet me një listë të kufizuar. E vetmja gjë që ai kërkon është që seancat të jenë publike që qytetarët të dëgjojnë se ku Ilir Meta ka vjedhur një cent shtetit shqiptar.

Rasti i Metës është unikal. Sot ky njeri mbetet aty, në shkelje të ligjit. Meta bën gati 2 vite që ndodhet në paraburgim pa asnjë akuzë. Meta i ka ndjekur të gjitha reagimet, ai ndodhet në top formë. Meta është super i qartë për çdo gjë. Një njeri që ka bërë krimet i fshihet kamerave”, tha Balliu.

Pas kësaj deklarate Meta përmes një postimi në rrjetet sociale shprehu mirënjohje për inspektimin e bërë te '313'.

"Mirënjohje Nënkryetarit të Komisionit Parlamentar për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen, deputetit të Partisë Demokratike, Z. Klevis Balliu për këmbënguljen e tij të vazhdueshme për të inspektuar nga afër kushtet e trajtimit në IEVP "Jordan Misja".

E falenderoj për inspektimin që ju ka bërë të gjithë ambienteve të këtij institucioni, për interesimin që ka shprehur për t'u njohur me trajtimin dhe kushtet e të paraburgosurve të tjerë, si edhe për adresimin e drejtë të problematikave të konstatuara, jo vetem te Komiteti Shqiptar i Helsinkit, por edhe në institucionet e tjera, sepse besoj se kushtet e trajtimit të të paraburgosurve janë të njëjta në të gjithë vendin.

Në veçanti përshëndes iniciativën e Z. Balliu për të mbështetur krijimin e një biblioteke dinjitoze në IEVP "Jordan Misja", ku edhe unë do të jem kontributori i parë.

Gjithashtu e falenderova në veçanti Z. Balliu për solidaritetin, mbështetjen dhe thirrjen publike për domosdoshmërinë e një procesi të drejtë të bërë nga lideri i Partisë Demokratike dhe opozitës, Prof. Dr. Sali Berisha", shkruan Meta.

Sa i takon çështjes ndaj tij, Meta kërkoi që opozita të fokusohet te transparenca publike, duke theksuar se qytetarët meritojnë llogaridhënie, për shkak të funksioneve të larta shtetërore që ai ka mbajtur ndër vite.

"Lidhur me procesin ndaj meje kërkova që opozita të angazhohet vetëm për transparencën publike për shkak të profilit të lartë publik dhe gjithmonë në respekt të qytetarëve shqiptarë që meritojnë transparencë dhe llogaridhënie për shkak të tre funksioneve më të larta shtetërore që kam mbajtur, President i Republikës, Kryetar i Kuvendit dhe Kryeministër, si dhe angazhimin për t'u garantuar të gjithë gazetarëve të interesuar dhe që kanë marrë leje nga SPAK për të më intervistuar", thuhet në postim.