Mbështetja e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor për integrimin në Bashkimin Evropian ka shënuar rënie. Sipas Barometrit vjetor të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, në fund të vitit 2025, vetëm 64 për qind e qytetarëve të rajonit mbështesin procesin e integrimit evropian, 10 për qind më pak krahasuar me një vit më parë.
Të dhënat tregojnë se Shqipëria dhe Kosova mbeten vendet me mbështetjen më të lartë për BE-në. Në Shqipëri, 86 për qind e qytetarëve shprehen në favor të integrimit, ndërsa në Kosovë 78 për qind.
Në anën tjetër, mbështetja më e ulët regjistrohet në Serbi, me 42 për qind të qytetarëve pro Bashkimit Evropian.
Sa i përket pritshmërive për anëtarësim, 26 për qind e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor besojnë se vendet e tyre mund të bëhen pjesë e BE-së deri në vitin 2030, ndërsa 25 për qind presin që ky proces të përfundojë në vitin 2035.
Shqipëria rezulton vendi më optimist edhe për afatin e anëtarësimit, por gjithsesi vetëm 43 për qind e qytetarëve shqiptarë mendojnë se integrimi do të realizohet deri në vitin 2030. Pas saj renditen Kosova dhe Mali i Zi, me nga 39 për qind. Besimi më i ulët për anëtarësim brenda 5 viteve është në Serbi, me 15 për qind, dhe në Bosnjë e Hercegovinë, ku vetëm 9 për qind e qytetarëve e shohin të mundur anëtarësimin në këtë afat.
Ndërkohë, 64 për qind e qytetarëve të rajonit vlerësojnë se bashkëpunimi rajonal mund të ndikojë pozitivisht në përmirësimin e situatës ekonomike. Shqipëria kryeson edhe në këtë tregues me 77 për qind, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 71 për qind.
Besimi më i ulët për përfitimet ekonomike nga bashkëpunimi rajonal shënohet në Bosnje e Hercegovinë, me 52 për qind.
Komente










