Ballkani i Hapur: Njerëzit që gatuajnë bashkë ëmbëlsira nuk bëjnë luftë!

Ballkani i Hapur: Njerëzit që gatuajnë bashkë ëmbëlsira nuk bëjnë luftë!

Presidenti i Serbisë Vuçiç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zaev dhe kryeministri Edi Rama

“Open Balkan” është kthyer në një debat rajonal por edhe mes dy vendeve “të të njejtit gen” siç është Shqipëria dhe Kosova. Jo me emra konkretë Rama ka bërë përgjegjëse politikën e Kurtit dhe të Haradinajt për “Mini- Shengen”, si e shihni këtë debat?

Marenglen Rushiti, vlonjati simpatik, me batutë plot ngjyra si linja e re e Desigual-it, është nje nga ata djemtë e brezit të viteve 70-të, që sot janë në kulm të suksesit vetjak si shumatore e produktit të komunizmit gri, asimetrisë së mundësive dhe standarteve të kapitalizmit absurd shqiptar dhe projektimit të vitalitetit të cuditshëm ballkanas. Bashkë me vëllain e tij, dy viktima të suksesit të tyre, ata janë duke hapur një pasticeri të re dhe supermoderne në Vlorë. Punë kanë pafund dhe nuk ankohen, por nuk janë në gjendje të gjejnë punëtorë për ta përballuar fluksin e shtuar të kërkesës për produkte brumi. Rushiti e shpjegon më mirë se një traktat politik se cdo të thotë treg pune, kur përmend atë pjesë të rinisë shqiptare që është e gatshme të vjelë ullinj jashtë shtetit për qindarka dhe të mos punojë në vend për shumë lekë më tepër. “Eshtë dhe cështje krenarie. Në një vend ku dukja është gjithcka, duket si sërë më e lartë ai që punon në emigracion, pavarësisht vështirësive, privacioneve dhe bukës gjithmonë të hidhur të kurbetit”, thotë ai duke treguar problemin e jashtëzakonshëm të sigurimit të fuqisë punëtore. “Ballkani i hapur është pjesë e zgjidhjes. Tek unë mund të vijnë të punojnë pasticierë nga Kosova, shitëse nga Bosnja dhe pse jo, edhe brumëzënës nga Serbia”, shpjegon më qartë se një dyzinë politikanësh Rushiti marrëdhënien e ndërlikuar me paqen në punë dhe sherrin si gjendje natyrale të Ballkanit. Duke shtuar se kjo amalgamë e mundshme kombësish, nuk e bën pasticerinë një copëz Jugosllavi sic trembet një tufë ksenofobësh, por thjesht e bën produktin më cilësor për ca fare pak gjermanë e francezë, për më shumë polakë e ukrainas, italianë të jugut dhe norvegjezë nga veriut që mësyjnë Vlorën në verë, për ta pushtuar me pak lekë dhe po aq pritshmëri. Duhet të jetë aksiomë e thjeshtë, njerëzit që gatuajnë ëmbëlsira bashkë, kanë shumë më pak mundësi që të luftojnë me njëri tjetrin.

Leksioni gjeopolitik i vlonjatit me ngjyra kujton një tjetër të vërtetë gri në hapësirën shqiptare. U bënë disa vera rresht, që duke nisur pak me majin, duke vazhduar me qershorin, duke u nxehur ne korrik e duke shpërthyer në gusht, këtej dhe andej kufirit shpiken sherre e luftohen sherre nga më të ndryshmet. Herë për faturën e një lokali në Dhërmi, herë për zgjedhjen e kombëtares së futbollit nga një futbollist, herë për diferencë identitetesh kulturore dhe epërsi dialektesh, herë për dashuri që importohet qelepir tek njëri për hir të urrejtjes ndaj tjetrit, herë për lëvizjen e lirë e herë për kufizimin e lëvizjes; këtej dhe andej kufirit bijtë e shqipes sillen si misrat në zjarr të befasishën. Fryhen dhe shpërthejnë, fyejnë dhe sokollijnë të fshehur në llogoret e anonimatit, hipotekojnë dashurinë për atdheun dhe shesin triska tradhëtarësh duke u shndërruar në kacavida në sytë e tjetrit. Për të kuptuar vlerën e këtij debati shumëformësh, të këtyre batareve të baltës, duhet kuptuar se kujt i shërben kjo klimë artificiale e një grushti ulëritësish që për shkak të zhurmës, edhe pse janë një pakicë e mjerë, duket se janë shumicë absolute. I përdoruri perfekt është ai që nuk e di se po përdoret! Maskarai më i madh është ai që ligësinë e tij e shet si vlerë morale, intelektuali më idiot është ai që mendon se nuk ka asnje lidhje me gabimin, krimineli më i egër është ai që nuk e quan mëkat krimin që bën; të gjitha këto kategori janë bashkë nën flamurin e budallallëkut dhe në llogoret e verës shqiptare kundër njëri-tjetrit. Eshtë e sigurt që edhe ata që urrejnë faktin qe Bregoviçi do të këndojë në Korçë, edhe ata që e quajnë të gabuar nje gjë të tillë, e duan njëlloj Prishtinën dhe Tiranën. Diferenca është se mjafton çdo gomar zhurmë dhe çdo zhurmërimë gomari, që të bëjë të mundur që ligësia, interesi, naiviteti dhe malinjiteti të shpërthejnë si qelb i qelbur. Dhe ky është momenti per të pyetur seriozisht: Cilët janë ata horra që kërkojnë të ngrejnë mure në Morinë? Në fakt nevojitet shumë baltë për të vizatuar më saktë portretin e maskarait që nga streha e patriotizmit, qëllon vëllain e tij dhe e vë në gijotinë mallkimesh. Ky është identikiti pa duf i maskarait pa din e pa imam, pa fe e pa atdhe që ngre mure fiks aty ku klonet dhe telat me gjemba që mbroheshin me Zastava, i hodhën në erë avionët e NATO-s dhe ëndrra e një populli që bashkohet me një gjuhë e një ngjyrë gjaku. Është e tmerrshme lehtësia e përbindshme e çdo budallai që afron gurë për mure në vijëzën e kufirit. Është e frikshme aftësia e politanëve shqiptarë që e përmendin Kosovën sa herë që kanë probleme vetjake në Tiranë apo dhe i atyre pisave me plisa në kokë që për vota në Prishtinë, hedhin gurë në Tiranë. Për ta, në Prishtinë e në Tiranë zakonisht thuhet një shprehje: Kina… fundshpinën e tyre…!!!

Dhe mbasi Kina të mbarojë punë me ta, le të hedhin një sy e të shohin se çfarë thotë Amerika për Ballkanin e hapur që të kuptojë çdo mendje e mbyllur se në çfarë krahu zgjedh të rrijë e vërteta relative.

Një ditë pasi reagoi Rama për sulmet si “tradhtar”, reagoi edhe qeveria gjermane nëpërmjet zëdhënësit të saj. A është ky një presion për tu përfshirë Kosova në këtë marrëveshje rajonale? Dhe përse Kosova zyrtare e konsideron “devijim të rrugës drejt BE-së”?

Është e pabesueshme aftësia e shqiptarëve këtej dhe andej kufirit për të humbur lehtësisht në paqe atë që fitohet me gjak dhe sakrifica në luftë. Ne fituam luftën, por nuk po dimë të ndërtojmë paqen mes njëri-tjetrit në vecanti, por dhe në gjithë rajonin e trazuar në përgjithësi. Sporti i preferuar për të gjetur tek kundershtari shqiptar i ideve, tradhëtarin e shitur tek armiku, është një mekanizëm arkaik dhe qesharak. Imagjinoni qe dikush t’i thotë në Serbi Vucicit dhe Brnaniçit argatë te Ramës dhe Berishës në Tiranë. Në Beograd do t’i gjuanin me gurë jo të akuzuarit, por akuzuesit e ligj e mendjengushtë. Habia ndodh në Tiranë dhe në Prishtinë. Kush pret qe Vucici të mos jetë serb i mirë, është thjesht idiot. Ai është serb dhe do të punojë e veprojë ashtu sic mendon se është më e mira për vendin e tij. Ai do të ishte partner i duhur në negociatë me shqiptarët vetëm duke qenë serb i mirë. Dhe në gjykim racional, ai do të ishte i tillë sa kohë qe nesër apo më vonë, por më mirë vonë se kurrë, dikush si ai do të mësojë te sillet si gjermanet dikur mbas lufte: të kërkojë ndjesë per te shkuarën dhe ta pranojë te ardhmen si bashkëjetesë normale edhe me Republikën Evropiane të Kosovës. Ndaj nuk duhet parë problemi tek “serbi i mirë”, por tek secili prej nesh që duhet të jetë shqiptar i mirë! Historitë me tradhëtarë kanë një shije të neveritshme në Ballkan, aq më tepër që heroi i një kombi, shpesh quhet tradhëtar nga kombi tjetër.

Prej katër vitesh marrëdhënia politike Tiranë –Prishtinë është në nivelin më të ulët, gati në kufinjtë e një “lufte të ftohtë”. A e dëmton kjo seriozisht çështjen kombëtare?

Ky është perceptim dhe jo realitet. Marrëdhëniet mes Prishtinëa dhe Tiranës nuk përcaktohen nga humori i qeverisësve të tyre. Të jetë për një shumicë të tyre, secili prej kësaj shumice do të preferonte të ishte i parë cifliku dhe jo qytetar i Shqipërisë Normale. Parë në këndvështrim njerezor, Tirana e Prishina është shumë më larg sesa duhet të ishte, por është shumë herë më pranë sesa ka qenë ndonjëherë. Historia e shqiptarëve në këto 20 vjet ka ndryshuar në mënyrë radikale dhe për mirë. Kemi kaluar nga telat me gjemba që na ndanin tek mjë autostradë që na bashkon. Kush nuk e shikon këtë, nuk është budalla dhe i verbër, por është i lig dhe maskara. Shuarja e kufinjve në kuptimin Evropian të fjalës është një proces qe edhe sikur të duan, ata që qeverisin këtej apo andej vijëzës se kufirit, janë te paaftë ta ndalin. Mund ta vonojnë, mund ta pengojnë, mund të sillen si shkop në rrota, por në fund kanë të garantuar vetëm shkopinjtë e historisë.

Për një nismë kaq të rëndësishme a duhet që më parë të unfikojë qëndrimi politik Kosovë-Shqipëri dhe më pas të nënshkruhej ose jo kjo nismë rajonale?

Kjo është pista ku duhet ecur dhe ku duhet të shpenzohet shumë më shume energji mes faktorit shqiptar. Me kusht qe të gjithë faktorët ta duan një gjë të tillë. Me kusht që edhe politikanët të thonë si shqiptari i mirë dhe i heshtur këtej dhe andej kufirit: unë jam shqiptar nga Prishtina dhe kosovar ne Tirane. Dhe anasjelltas! E sigurt është se do ta thonë dhe do të detyrohen ta duan shpejt. Kush nuk kupton se Ballkani ka ndryshuar, se erëra të reja po fryjnë nga Uashingtoni, se po kuptohet që korrupsioni është një portë e hapur për fuqi jo miqësore me interesat shqipare dhe se korrupsioni politik i bën politikanët vulnerabël ndaj intereave shqiptare, është mbrapa kohe. Dhe koha është e pamëshirshme në Ballkan. Fatmirësisht, edhe pse i ka kundër shqiptarët e llogoreve të baltës, ajo po punon sot për shqiptarët! Vlonjati Rushiti, me emrin tipik te sistemit të djeshëm, që bënte bashkë klasikët e fesë komuniste, është shqiptari i mirë që e kupton më mirë se shumëkush cdo të thotë Ballkan i Hapur. Në pak fjalë ai vlen më shumë se një traktat gjeopolitik qe shpjegon se nëse njerëzit gatuajnë bashkë ëmbëlsira, kanë shumë më pak shanse që të kthejnë armët kundër njëri-tjetrit./ Fjala.al

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë