Gazment Bardhi ngriti para mbledhjes së Komitetit të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE shqetësimin për çështjen e ish-zv. kryeministres Belinda Balluku duke u shprehur se votimi i Kuvendit për të mos i hequr imunitetin, ishte mbrojtje politike për të. Ai solli në vëmendje sekuestrimin e vilës së dytë të Ballukut në Palasë dhe mosparaqitjen e kërkesës së SPAK për arrestimin e saj.
Bardhi shtoi se s’ka pasur asnjë reagim pendese nga mazhoranca, ndërsa parlamenti duhet të kërkojë transparencë dhe të mos ndërhyjë në çështjet e drejtësisë.
“Kuvendi i ofroi mbrojtje politike nga arrestimi duke mos i hequr imunitetin me argumentin se nuk është e korruptuar, por abuzoi me pushtetin. 11 ditë më parë, SPAK njoftoi zyrtarisht se kishte arritur të zbulonte një tjetër rast korrupsioni të Belinda Ballukut, një super vilë luksoze në një nga plazhet më të bukura të jugut. Në 3 muaj, i janë zbuluar 2 vila luksoze në këmbim të 2 tenderave. SPAK ende s’ka paraqitur një kërkesë të re për heqjen e imunitetit të saj edhe pse ndaj saj rëndojnë 2 akuza për korrupsion, 2 akuza për pastrim parash në bashkëpunim, 2 akuza për fshehje pasurie dhe 8 akuza për shkelje të barazisë në tendera. Kolegët e mazhorancës nuk kanë shprehur asnjë pendesë. Dua ta them shumë qartë: nuk është detyra e politikës të shpallë fajtorë njerëzit. Këtë e bën vetëm gjykata. Por është detyra e parlamentit të kërkojë llogari politike dhe transparencë kur ngrihen dyshime serioze mbi mënyrën se si është ushtruar pushteti. Është detyra e Parlamentit të jap mesazh të qartë se e mbështet luftën ndaj korrupsionit, se nuk mbështet asnjë zyrtar të korruptuar, dhe se nuk ndërhyn në cështje të drejtësisë për të marrë në mbrojtje të korruptuarit. Demokracia testohet kur drejtësia mund të hetojë qeverinë”, tha Bardhi.
Lajmi kryesor:
Mbledhja e Komitetit të Stabilizim-Asociimit, PS: Integrimi në BE, prioritet! Opozita: Kuvendi mbron pakicën! Ambasadorja Moreira de Sousa: Të ruhet ritmi i reformave








