Balluku inspekton punimet në lotin II të aksit Korçë-Ersekë, pritet të përfundojë në pranverë: Do shkurtojë distancën në 20 minuta

TIRANË- Në lotin II të aksit rrugor Korçë-Ersekë realizimi fizik i punimeve ka arritur në masën 91%. E gjithë traseja është hapur, ndërsa mësohet se punohet paralelisht me ndërtimin e mureve mbajtës si dhe sistemit të kullimit. Me përmirësimin e kushteve të motit, në pranverë pritet të nisë puna për asfaltimin e të gjithë gjatësisë së lotit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, inspektoi nga afër ecurinë e punimeve të realizuara në të gjithë gjatësinë e këtij loti.

“Progresi është i dukshëm. Është hapur e gjithë traseja prej 4.15 kilometrash. Po punohet për shtresat e fundit të stabilizantit. Për shkak të rreshjeve do marrë një stabilizimin më të madh dhe pastaj në pranverë do vazhdojmë me shtresat asfaltike dhe do ta dorëzojmë gati për sezonin e ri. Jemi në një terren të thyer malor, kemi gjeologji të ndryshme, kemi pasur vende që kemi bërë mbushje 32 metra dhe normalisht të gjitha këto mbushje, kanë kohën e tyre për t’u ulur”, bëri të ditur Berberi referuar punimeve të realizuara deri më tani në këtë segment.

Aktualisht aksi rrugor Korçë-Ersekë ka një gjatësi prej 45 kilometrash, ndërsa me përfundimin e segmentit të ri distanca shkurtohet në 35 kilometra. Po kështu, aksi i ri do të ketë të gjithë elementët e nevojshëm që lidhen me sigurinë rrugore. Ndërtimi i tij do të nxisë zhvillimin e mëtejshëm turistik të juglindjes së vendit duke afruar më pranë dy zona me mjaft potenciale, siç është Korça dhe Erseka.

“Është një rrugë shumë e rëndësishme kjo e Korçë-Ersekës, një zonë e rëndësishme jo vetëm përsa i përket zhvillimit të vetë bujqësisë këtu, por edhe shumë elementëve të rëndësishëm që ka si Korça dhe Erseka. Nuk duhet të harrojmë që këtu kemi një pol turistik, i cili prej disa vitesh është zhvilluar. Erseka është një thesar i pazbuluar dhe ne gjatë kohës që inspektojmë këtë kantier, prej disa vitesh tashmë, duke qenë se loti i parë ka përfunduar dhe tashmë punohet në pjesën e parë të lotit të dytë, kemi arritur të shikojmë që ka një potencial shumë të madh dhe ky është një projekt që duhet të të ecë dhe të përfundojë sa më shpejt”, deklaroi Balluku.

Në projekt janë përcaktuar edhe krijimi i aksesit të fshatrave që ky aks përshkruan me rrugën kryesore. Me përfundimin e tij distanca mes Korçës dhe Ersekës shkurtohet në 20 minuta, ndërkohë që shpejtësia e lejuar parashikohet të jetë nga 60 deri në 80 kilometra në orë.

“Ky ka qenë një aks i vështirë edhe për kushtet atmosferike, edhe për gjeologjinë, një gjeologji shumë komplekse e cila ndryshon në 10 metra nga një lokacion në një tjetër. Por, përveç të gjithë çështjeve teknike të cilat janë mbuluar ashtu siç duhet, kemi qenë të kujdesshëm edhe për të përshtatur këtë vepër infrastrukturore me natyrën përreth dhe për të qenë shumë të kujdesshëm. Siç thamë kjo nuk është një vepër që i shërben thjesht 2 qyteteve, pra dy zonave, Korçës dhe Ersekës, por është edhe një vepër e cila ka synimin kryesor që të mbështesë turizmin mjaft të zhvilluar në këto dy zona”, nënvizoi Balluku.

Në fillim të vitit të ardhshëm pritet të hapet gara edhe për ndërtimin e pjesës së fundit të këtij aksi për ta lidhur atë në të gjithë gjatësinë e tij.

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja