Nësër Gjykata Kushtetuese do të vendosë nëse do të kalojë apo jo për shqyrtim ankimimin e Këshillit të Ministrave ndaj masës së sigurisë pezullim nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, të caktuar nga Gjykata e Posaçme.

Çfarë kërkon qeveria në Kushtetuese?

Kryeministri Edi Rama nuk e shkarkoi nga detyra Ballukun pas pezullimit nga GJKKO, por i hoqi të drejtën e firmës ndërsa iu drejtua Kushtetueses. Qeveria kërkon të zgjidhet mosmarrëveshja e kompetencave e krijuar mes saj dhe GJKKO-së dhe shfuqizimin e vendimit për pezullimin nga detyra.

Parashikimi kushtetues, sipas të cilit anëtari i qeverisë gëzon imunitetin e deputetit, është pika kryesore mbi të cilin kryeministrit Edi Rama ka ndërtuar ankimin. Sipas ankimit, përsa kohë nuk mund të vendoset gjyqësisht pezullimi nga detyra i deputetit, kjo s’mund të ndodhë as për një ministër. Në ankimim flitet për ndërhyrje të pastër në kompetencat e një tjetër pushteti, siç është ai ekzekutiv, dhe se GJKKO ka marrë attribute që nuk ia njeh Kushtetuta. Qeveria nuk e ka ankimuar në Kushtetuese masën tjetër të sigurisë për ndalimin e daljes jashtë shtetit.

Nga ana tjetër, Miliana Muça do të jetë gjyqtarja në Gjykatën e Posaçme të Apelit që do të shqyrtojë ankimin e masave të sigurisë të kërkuara nga SPAK dhe caktuara nga GJKKO për zëvendëskryeministren Balluku dhe dy vartësit e saj, drejtorin e KESH Erald Elezi, dhe drejtorin e ARRSH Gentian Gjyli.

Më 20 nëntor, Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyra zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke i ndaluar gjithashtu të drejtën për të dalë jashtë vendit. Ajo është marrë e pandehur për procedurat në tenderin e tunelit të Llogorasë dhe është nën hetim për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe. Në të dy rastet, dyshohet se fituesi është paracaktuar. SPAK ka bërë të ditur se po heton dhe një sërë procedurash të tjera prokurimi.

Gjithashtu, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi akuzohen për shkelje të barazisë në tendera për ndërtimin e tunelit të Llogorasë. Elezi është i dyshuar edhe për tenderin e Lotit 4 të Unazës së Madhe.