Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, në fjalën e saj në parlament, deklaroi se situata e koronavirusit, ka detyruar qeverinë që të shtyjë disa vendime.Balluku thekson se në funksion të parandalimit të Covid-19, qeveria shqiptare ka nxjerrë aktin normativ për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së certifikatës së kontrollit teknik
“Në funksion të parandalimit të Covid-19, Qeveria Shqiptare ka nxjerrë aktin normativ për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së certifikatës së kontrollit teknik. Ky akt synon të menaxhojë emergjencën aktuale shkarkuar nga Covid-19 si dhe të garantojë të gjithë standardet e sigurisë për të gjithë qytetarët, ashtu siç është parashikuar në një sërë aktesh e urdhrash të Komitetit të Ekspertëve dhe të Ministres të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Si të gjithë vendet e tjera të botës, edhe Shqipëria ka qenë e detyruar të marrë një sërë masash për të kufizuar shpërndarjen e pandemisë mes popullsisë, e veçanërisht mes më të rrezikuarve prej saj, duke kufizuar lëvizjen brenda vendit, duke kufizuar lëvizjen e automjeteve në zonat urbane, duke kufizuar lëvizjen brenda kufijve dhe sigurisht duke vendosur një orar policor për të kufizuar të gjithë lëvizjen në fashën 22:00 e mbrëmjes me orën 06:00 të mëngjesit. Të gjitha këto sakrifica të përbashkëta kanë sjellë kontrollin mbi kuotat në spitale dhe rastet e rënda, por një tjetër efekt i tyre ka qenë që kanë kufizuar dhe lëvizjen e mjeteve e për pasojë edhe amortizimin e tyre përgjatë këtij viti.
Për këtë arsye, nga ekipi ekspertëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor është propozuar që duke pasur parasysh këtë fakt teknik, mos amortizimin e këtyre mjeteve, por mbi të gjitha nevojën për të kufizuar rrezikun që vjen prej pandemisë, kemi kërkuar që të shtyhet vlefshmëria e afatit të kontrollit teknik me tre muaj, për të qenë në një linjë dhe konformitet të plot me të gjithë udhëzimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve si dhe për të ruajtur sigurinë fizike si të operatorëve, të cilët e zhvillojnë kontrollin, si dhe mbi të gjitha të vetë qytetarëve, kemi vendosur të shtyjmë afatin e vlefshmërisë të certifikatës së kontrollit teknik me 3 muaj.
Për të gjithë qytetarët që kanë apo kanë patur datën e kontrollit periodik teknik të automjeteve të tyre në këto kohë ata kanë edhe 3 muaj kohë për të përcaktuar datën e kontrollit të tyre të radhës. Efekti primar i këtij vendimi do të jetë që do të ketë një ulje të grumbullimeve dhe radhëve për kontroll teknik duke ulur kështu rrezikun për jetën e qytetarëve. Sigurisht, sistemi i caktimit të takimeve është një sistem online, ne kemi prej kohësh që nuk kemi më radha në sportelet tona, por përsëri si pasojë e masave të diktuara nga standardet e sigurisë përballë pandemisë, kohët e këtij kontrolli janë zgjatur disi, duke ulur fluksin e kontrolleve mundësohet kështu menaxhimi i tyre brenda standardeve dhe domosdoshmërisë për sigurinë e secilit drejtues automjeti”, tha Balluku.
Kuvendi miratoi edhe aktin normativ për shpronësimin e 12 familjeve që preken nga ndërtimi i Spitalit të Fierit, që do të financohet nga Turqia. Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku tha se marrëveshjet e shpronësimit janë lidhur ndërkohë që ka nisur puna në kantier prej ditësh.
“Janë nënshkruar të gjitha marrëveshjet me banorët për angazhimin e ndërsjellët në funksion të kryerjes së procedurave ligjore për shpronësimin e tyre. Kantieri tashmë është i hapur, është siguruar furnizimi me energji dhe me ujë i këtij kantieri. Ka nisur puna për rrugët dytësore që do të aksesojnë spitalin, duke pasur parasysh edhe parametrat që kërkon aksesi në një spital siç është edhe hyrja e urgjencës dhe në ndërkohë mjetet e para nga Turqia, trajlerat të cilat po sjellin bazën materiale janë nisur, kanë arritur dy dhe po vijnë edhe shtatë të tjerë”, deklaroi Balluku.
Lajmi kryesor: